NjË VËSHTRIM MBI JETËN E IMAM HASANIT
Përshtatur nga Kitab ul-Irshad i Shejh el-Mufidit
08.12.2006



Më poshtë, vijon një paraqitje e Imamit pas Prijësit të Besimtarëve, datëlindjes së tij, dëshmive për Imametin e tij, periudhën e khilafetit të tij, kohën e vdekjes dhe vendin e varrimit të tij. Gjithashtu, jepet një skicim i shkurtër i transmetimeve rreth tij.

Imami pas Emir ul-Mu′mininit ishte i biri, Hasani, djali i zonjës së botërave, Fatimes, së bijës së Muhammedit, kreut të të dërguarve, bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij. Titulli i Hasanit ishte Ebu Muhammed. Ai u lind në Medine, natën e mesit të muajit të Ramazanit, tre vjet pas hixhrës.

Nëna e tij, Fatimeja e solli atë tek Profeti, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij, në ditën e shtatë pas lindjes, të mbështjellë me një shall mëndafshi nga Xhenneti, që Xhibraili ia kishte zbritur Pejgamberit (bekime pastë mbi të dhe familjen e tij). Ai e quajti Hasan dhe bëri kurban një dash për të (në ceremoninë e akikes).

Transmetohet nga një grup autoritetesh, përfshi Ahmed ibn Salih et-Temimin, që citon ′Abdullah ibn Isain, i cili përcjell nga Imam Xha′fer es-Sadiku se:

Hasani ishte personi me ngjashmëri më të madhe me të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) në trajtë, sjellje dhe fisnikëri.

Nga një grup tjetër autoritetesh, përfshi Mua′merin, që citon Zuhriun, i cili transmeton nga Enes bin Maliku se:

Askush nuk i ngjante më shumë të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) sesa Hasan ibn Aliu.

Ibrahim ibn Ali el-Rafi′iu transmetoi me autoritetin e të atit, që citon gjyshen e tij Zejneben, të bijën e Ebu Rafi′ut - dhe Shabib ibn Ebi Rafi′ el-Rafi′iut që transmeton nga ata që i treguan - se:

Fatimja, i solli dy djemtë e saj, Hasanin dhe Huseinin tek i Dërguari i Allahut (bekime pastë mbi të dhe familjen e tij) gjatë sëmundjes së tij, nga e cila ndërroi jetë.

″O i Dërguari i Allahut, këta janë bijtë e tu. Jepu diçka si trashëgimi!″

″Sa për Hasanin, ai ka trupin dhe fisnikërinë time. Ndërsa Huseini ka bujarinë dhe trimërinë time.″

Hasan ibn Aliu ishte i besuari ekzekutiv (wasi) i Prijësit të Besimtarëve mbi familjen, fëmijët dhe ndjekësit e tij. Ai e porositi të kujdesej për pozitën e tij dhe atë të sadakasë, dhe i shkruajti një zotim (pasuesie) që është i mirënjohur. Wasijeti i tij është i dukshëm për nga mbështetshmëria në parimet fetare, karakteristikën thelbësore të urtisë dhe prejardhjen e mirë. Një numër i madh dijetarësh e kanë raporuar këtë wasijet, teksa shumë burra të mprehtë e kanë kuptuar të vërtetën e tij nëpërmjet qëndrimit të atij Imami ndaj botës.



Ngjitja e Imam Hasanit në khilafet dhe abdikimi i tij

Kur Prijësi i besimtarëve ndërroi jetë, Hasani iu drejtua njerëzve me një fjalim mbresëlënës, në të cilin u kujtoi të drejtën e tij për udhëheqje. Ndjekësit e të atit ia dhanë betimin për të luftuar ata që luftoi ai dhe bërë paqe me ata që bëri paqe ai.
Ebu Mikhnaf Lut ibn Jahja el-Azdi raporton: Ashath ibn Suvvari më tha, duke cituar Ebu Is′hak es-Sabi′iun dhe të tjerë, se:
Hasan ibn Aliu iu drejtua njerëzve aty nga agimi i natës në të cilën Prijësi i Besimtarëve vdiq. Ai e lavdëroi dhe madhëroi Allahun dhe dërgoi bekime mbi të Dërguarin e Tij (bekime pastë mbi të dhe familjen e tij) e pastaj tha:

Sonte vdiq një njeri që ishte i pari ndër (muslimanët) e hershëm në vepra. Dhe askush nga të mëvonshmit nuk e arriti nivelin e tij në vepra. Ai luftoi përkrah të Dërguarit të Allahut (bekime pastë mbi të dhe familjen e tij) dhe e mbrojti atë me jetën e tij. I Dërguari i Allahut (bekime pastë mbi të dhe jetën e tij) e niste përpara me flamurin e tij, teksa Xhibraili e mbështeste në të djathtë kurse Mikaili në të majtë. Ai nuk kthehej gjersa Allahu të sillte fitoren përmes duarve të tija. Ai vdiq në po atë natë që Isa ibn Merjem u mor lart, dhe Jusha ibn Nuni, wasiu i Musait, vdiq. Ai nuk la as ar as argjend, përveç shtatë qind dirhemëve të rrogës së tij (ata′), me të cilat donte t′i blinte një shërbëtor familjes.

Atëherë lotët e mbuluan dhe ai qau, e bashkë me të edhe njerëzit qanë. Pastaj, ai vazhdoi:

Unë jam pasardhësi i atij që solli sihariqet. Unë jam pasardhësi i paralajmëruesit. Unë jam pasardhësi i atij që, me lejen e Allahut, i thirri njerëzit drejt Tij. Unë jam pasardhësi i nurit që ndriçoi (botën). Unë jam nga Shtëpia, prej së cilës Allahu ka larguar tërë ndytësinë dhe të cilën e ka kulluar në skaj (33:33). Unë jam nga Shtëpia, dashurinë ndaj së cilës Allahu, më i Larti, e ka bërë obligim në Librin e Tij, duke thënë: {Thuaju: ′Nuk kërkoj nga ju asnjë shpërblim, veç dashurisë për të afërmit (e mi).′ Kujtdo që bën mirë Ne do t′ia rrisim të mirën e saj} (42:23). Vepra e mirë këtu është dashuria për ne, Ehl ul-Bejtin.

Pastaj, ai u ul.

Abdullah ibn Abbasi r.a. u ngrit përpara tij dhe tha:

O njerëz, ky është pasardhësi i Pejgamberit tuaj, i besuari ekzekutiv (wasi) i Imamit tuaj. Ndaj, jepjani betimin!

Njerëzit iu përgjigjën:

Askush nuk është më i dashur për ne dhe askush nuk e meriton më shumë khilafetin sesa ai.

Ata vërshuan për t′ia dhënë betimin si khalif. Kjo ndodhi të premten e 11 Ramazanit të vitit 40 H/660 e.s. Pastaj ai caktoi taksambledhësit dhe udhëzoi guvernatorët. Ai e dërgoi Abdullah ibn Abbasin në Basra dhe mori kontrollin e të gjitha çështjeve.

Kur Muavie ibn Ebu Sufjani mësoi për vdekjen e Prijësit të Besimtarëve dhe betimin e njerëzve ndaj të birit, ai dërgoi një njeri nga fisi el-Himajri në Kufa dhe një tjetër nga fisi el-Kejn në Basra, të cilët do t′i raportonin veprimtarinë e tyre subverzive kundër Hasanit. Imami e mori vesh këtë. Ai urdhëroi të sillej himajriu nga fisi Lakhm i Kufas. Ai u soll dhe u ekzekutua. Imami pastaj i shkroi Basras, duke urdhëruar sjelljen e kejniut nga fisi Sulejm. Edhe ai u soll dhe u ekzekutua.

Atëherë, Imam Hasani i shkroi Mu′avies:

Ke nisur njerëz për të bërë fitne dhe kryer vrasje, si dhe spiunë - thua se dëshiron përplasje. Kjo do të ndodhë shpejt, ndaj prite kur të vijë, insha Allah. Kam marrë vesh se je bërë i ngutshëm ashtu siç nuk do të bëhej asnjë i urtë. Në këtë aspekt, je porsi ai që përshkroi el-Evveli:

Thuaji kujt dëshiron të kundërtën e atij që vdiq:
bëhu gati për një tjetër si ai, nga e njëjta rrënjë.
Unë dhe ai nga mesi juaj që vdiq jemi si
ai që shkon në mbrëmje, për të ardhur (tjetri) në mëngjes.

Muavia iu përgjigj dhe kështu filloi një letërkëmbim debatesh lidhur me të drejtën e Imam Hasanit për khilafet, marrjen e pushtetit nga ata që i paraprinë të atit, dhe përpjekjen e Muavies që t′ia hiqte autoritetin dhe të drejtën e Ehl ul-bejtit nipit të të Dërguarit të Allahut (bekime pastë mbi të dhe familjen e tij).

Muavia u nis drejt Irakut. Me të mbërritur tek ura e Manbixhit, Imam Hasani u kundërpërgjigj. Ai nisi Huxhr ibn Adiun që t′u urdhëronte prijësve të Ammanit të niseshin e t′i ftonin njerëzit në xhihad. Ata ngurruan, por në fund dolën në luftë. Imam Hasani kishe me vete grupe të përziera njerëzish: disa ishin shi′itë të tij dhe të të atit, disa ishin khavarixhë të nxitur nga dëshira për ta luftuar Muavien me çdo kusht; disa ishin njerëz që pëlqenin fitnen dhe lakmonin prenë; disa ishin dyshues kurse të tjerët mbështetës fisnorë që ndiqnin prijësit e tyre pa iu referuar fesë.

Ai marshoi deri në Hammam Umer, pastaj vazhdoi në Dejr Kab dhe ndaloi në Sabat, rrëzë urës, ku edhe kaloi natën. Në mëngjes, ai deshi t′i sprovonte ndjekësit e tij dhe t′ua bënte situatën të qartë në lidhje me bindjen ndaj tij, në mënyrë që të mund të dallonte miqtë nga armiqtë dhe të ishte i prerë për takimin me Muavijen dhe sirianët. Ai urdhëroi që të thërritej ezani për lutjen e përbashkët (në xhemaat).

Ata u grumbulluan e ai u ngjit në minber, nga ku iu drejtua me fjalët:

Lavdia i takon Allahut saherë që dikush e lavdëron. Dëshmoj se nuk ka zot përveç Allahut saherë që dikush e dëshmon Atë. Dëshmoj se Muhammedi është shërbëtori dhe i dërguari i Tij, të cilin Ai e nisi me të vërtetën dhe të cilit i besoi shpalljen, bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij. Për Zotin, shpresoj se do të jem gjithmonë me lavdërimin dhe mirësinë e Allahut. Unë jam më i sinqerti i krijesave të Allahut në këshillim të tyre. Nuk jam bërë si ai që i mban mëri ndonjë muslimani e as si ai që i dëshiron të keqen a belanë atij. Vërtet, ajo që s′ju pëlqen te bashkimi (xhema′a) është më e mirë se ajo që ju pëlqen tek ndarja. E shoh atë që është më e mirë për ju më mirë sesa ju vetë. Ndaj mos m′i kundërshtoni urdhrat e mos ma refuzoni gjykimin. Allahu na e faltë mua dhe juve dhe na udhëzoftë në atë që ka dashuri dhe kënaqësi.

Atëherë njerëzit filluan të shikonin njëri tjetrin dhe të pyesnin:

″Çfarë don të thojë ai me këto fjalë?″
″Mesa duket, kërkon të bëjë paqe me Muaijen dhe t′ia dorëzojë atij pushtetin″ erdhi përgjigjja.
″Për Allah, ai është bërë kafir″ deklaruan ata dhe iu vërsulën çadrës së tij. E plaçkitën deri aty sa ia shkulën edhe sixhaden e namazit nën vete. Atëherë ′Abdur-Rahman ibn Abdulllah ibn Xha′al el-Azdi iu sul Imamit dhe ia hoqi pelerinën nga supet. Imami qëndroi ulur i gatshëm me shpatën e tij, por pa pelerinë. Ai kërkoi kalin e vet dhe hipi mbi të. Grupe të mbështetësve dhe ndjekësve të tij e rrethuan dhe i larguan sulmuesit prej tij. Ai thirri:


Mblidhini fiset e Rabies dhe Hamdanit këtu!

Ata u mblodhën rreth tij dhe e rrethuan, duke e mbrojtur nga njerëzit. Atyre iu bashkua edhe një grup i përzier njerëzish të tjerë. Kur Imami po kalonte nëpër shtegun e ngushtë të Sabatit, një njeri i fisit Asad i quajtur Xherrah ibn Sinan e kapi për frerët e kalit dhe duke tundur sopatën që kishte në dorë, bërtiti:

Allaku ekber! U bëre mushrik, o Hasan, tamam si yt atë përpara teje.

Pastaj e theri në koshë, duke e shpuar deri në kockë. Ai e kapi Imamin për qafe dhe të dy u rrëzuan përtokë. Një nga shi′itët e Imamit, i quajtur Abdullah ibn Khatal et-Tai ia mori sopatën nga dora dhe e goditi me të në bark. Një tjetër me emrin Zubjan ibn Umara e goditi në hundë dhe e vrau. Një rebel tjetër që ishte me Xherrahin u kap dhe u vra.

Imam Hasani u mbart deri në Madain ku bujti tek Sa′d Mes′ud eth-Thekafi. Ky ishte guvernatori i Prijësit të Besimtarëve atje dhe Imam Hasani e kishte konfirmuar në atë pozitë.

Imami ishte i preokupuar nga dhimbjet dhe mjekimi i plagës; ndërkohë një grup i prijësve të fiseve i shkruajtën fshehtazi Muavijes duke i ofruar pranimin e autoritetit të tij. Ata e nxitën t′u vinte dhe i garantuan se do t′ia dorëzonin Hasanin kur të shkonin tek kampi i tij, ose që do ta vrisnin pabesisht.

Imam Hasani e mësoi këtë kur mori një letër nga Kejs ibn Sa′di, r.a. Ai e kishte nisur Kejsin me Ubejdullah ibn Abbasin, kur ishte drejtuar për në Kufa që të takonte Muavijen dhe ta përzinte nga Iraku, duke u bërë Emir i xhemaatit. Ai i kishte thënë Ubejdullahit:

Nëse ti bie, komandant do të jetë Kejs ibn Sa′di.


Letra e Kejs ibn Sa′dit arriti me lajmet se ata e kishin ndaluar Muavijen në një fshat të quajtur el-Habubijje, përballë Maskanit. Pastaj Muavija i kishte çuar fjalë Ubejdullah ibn Abbasit, duke e joshur t′i bashkohej dhe ofruar një milion dirhemë, gjysmën e të cilave do t′ia jepte menjëherë, kurse gjysmën tjetër me të hyrë në Kufa. Ubejdullahu kishte ikur fshehtasi natën me mbështetësit e tij për t′iu bashkangjitur kampit të Muavijes. Në mëngjes njerëzit panë se u mungonte prijësi. Kejs ibn Sa′di r.a. i priu atyre në namaz dhe u vu në komandë.

Imam Hasani po bëhej gjithnjë e më i vetëdijsëm për tradhëtimin e tij nga njerëzit, ashtu si edhe për tradhëtinë e khavarixhëve, që u pa qartë nga mallkimet e tyre ndaj tij, akuzat për kufr dhe deklaratat se gjaku dhe pasuria e tij ishin hallall. Kështu që nuk kishin mbetur njerëz që do ta mbronin nga kjo gjendje e pafat, përveç mbështetësve të tij të afërt nga mesi i shi′itëve të tij dhe të babait të tij, që ishin tepër të pakët për t′u bërë ballë trupave siriane.

Muavia i shkroi për një pakt paqeje. Ai i nisi edhe letrat e ndjekësve të vet në të cilat i kishin garantuar se do ta vrisnin Imamin ose do t′ia dorëzonin atij. Muavija i ofroi shumë kushte për t′iu përgjigjur ftesës së tij për paqe dhe i dha besën, me përmbushjen e së cilës do të mbroheshin interesat e secilit. Imami nuk i zuri besë. Ai ishte i vetëdijshëm për mashtrimet dhe përpjekjet e Muavijes për ta vrarë. Megjithatë, ai nuk kishte rrugëdalje nga pranimi i kërkesave të Muavijes për të braktisur luftën dhe ndërmarrë një pakt, për shkak të dobësisë së bindjes së ndjekësve të tij se e drejta ishte me të, qëndrimit të tyre të prishur dhe kundërvënies së tyre ndaj tij. Përveç kësaj, ai ishte i ndërgjegjshëm edhe për opinionin e shumë syreshëve ndër ta se ishte hallall të derdhej gjaku i tij dhe t′i dorëzohej armikut. Ai gjithashtu ishte në dijeni të tradhëtisë së kushëririt të tij dhe bashkimit të tij me armikun e Imamit, si dhe animit të njerëzve nga e tashmja dhe mosinteresimit të tyre për të ardhmen.

Prandaj, ai u zotua në paktin me Muavijen si rezultat i konfirmimit të gjendjes së tij dhe me justifikimin para Zotit dhe muslimanëve, mbi atë që kishte ndodhur mes tyre. Ai deklaroi si kushte:

Se mallkimi i Prijësit të besimtarëve duhet braktisur dhe praktika e këndimit të kunutit në namaz kundër tij duhet lënë mënjanë;

Se shi′itëve të tij, Allahu qoftë i kënaqur me ta, u duhet garantuar siguria dhe asnjëri prej tyre nuk duhet ekspozuar ndaj së keqes të çfarëdo lloji; secili prej tyre që kishte të drejta duhet t′i shfrytëzonte ato të drejta.


Muavia i pranoi të gjitha dhe bëri pakt me Imamin për t′i respektuar kushtet. Ai u betua se do ta përmbushte marrëveshjen. Kur pakti ishte nënshkruar, Muavija vazhdoi dersa arriti në en-Nukhejla. Kjo ndodhi të premten; ai fali paraditen (duha en-nahar) me njerëzit dhe iu drejtua atyre me fjalët:

Për Allah, nuk ju luftova që t′ju bëj të falni namaz, të agjëroni, të kryeni haxhxh apo të jepni zekat. Sepse ju i bëni këto. Unë ju luftova që të kem pushtet mbi ju dhe Allahu ma dha këtë kur ju ngurruat t′i bindeshit. Vërtet, Hasani më kërkoi ca gjëra dhe unë ia dhashë. Të gjitha këto janë tani nën këmbët e mia. Dhe që sot nuk do të përmbush asgjë.

Pastaj ai vazhdoi, gjersa mbërriti në Kufa, ku qëndroi për disa ditë. Kur banorët e saj duhet të jepnin betimin, ai u ngjit në minber dhe iu drejtua atyre duke përmendur Prijësin e Besimtarëve, dhe duke thënë se ai kishte marrë prej tij dha Hasanit atë që kishte marrë.

Hasani dhe Huseini ishin të pranishëm. Huseini u ngrit që t′i përgjigjej, por Hasani e kapi për dore dhe e uli. Atëherë vetë Hasani u ngrit dhe foli:

O ti që përmend Aliun! Unë jam Hasani dhe Aliu është im atë. Ti je Muavija dhe yt atë ishte Sakhri. Ime më ishte Fatimja kurse jot ëmë ishte Hindi. Gjyshi im ishte i Dërguari i Allahut, kurse gjyshi yt ishte Harbi. Gjyshja ime ishte Hatixhja kurse jotja Futejla. Allahu e mallkoftë atë që përpiqet të na e përçmojë prejardhjen dhe zvogëlojë fisnikërinë, që i bën zullum paraardhësve tanë duke pasë qenë vetë në paganizëm dhe hipokrizi.

Grupe njerëzish në xhami thirrën: Amin, Amin!

Kur paqja midis Hasanit dhe Muavijes u arrit në mënyrën e lartpërmendur, Hasani u nis për në Medine. Ai qëndroi atje, duke e përmbajtur zemërimin, duke i ndejtur pranë shtëpisë dhe duke pritur urdhrin e Zotit të tij, Fuqiplotit, të Lartit, gjersa Muavija plotësoi dhjetë vjet sundim. Atëherë, ky vendosi që betimi për sundim pas tij t′i jepej të birit, Jezidit. Ai komunikoi fshehurazi me Xhadën, të bijën e Ash′ath ibn Kejsit, që ishte bashkëshortja e Imamit, që ajo ta helmonte. Muavija iu betua asaj se do ta martonte me Jezidin dhe i çoi njëqind mijë dirhemë. Xhada i dha helm për të pirë Imamit, por ai lëngoi i sëmurë për dyzet ditë. Ai kaloi në muajin e Seferit të vitit 50 H/670 e.s., në moshën dyzet e tetë vjeçare. Imameti i tij kishte zgjatur dhjetë vjet. Vëllai dhe i besuari i tij ekzekutiv, Huseini i dha ghuslin, e mbështolli dhe e varrosi pranë gjyshes, Fatime bint Esed ibn Hashim ibn Abd Menafit r.a, në varrezat Bakije.



Transmetime mbi shkakun e vdekjes së Imam Hasanit,
helmimit të tij nga Muavija, ngjarjes së varrimit të tij dhe
ndodhive e fjalëve të lidhura me të.


Isa ibn Mihrani tregon: Ubejdullah ibn es-Sabb′ahi na tha: Xheriri na ka transmetuar me autoritetin e Mughires, i cili tha:

Muavia i çoi fjalë Xhadës, së bijës së Ashath ibn kejsit:

Do ta rregulloj që të martohesh me tim bir, Jezidin, me kusht që të helmosh Hasanin.

Ai gjithashtu i dërgoi njëqind mijë dirhemë. Ajo e kreu këtë dhe e helmoi Imamin. Muavia ia dha lekët por nuk e martoi me Jezidin, duke i propozuar në vend të tij një njeri nga familja e Talhasë. Ajo i lindi atij fëmijë dhe, saherë që ndodhte ndonjë grindje mes tyre dhe kurejshëve, këta i përçmonin duke i thënë:

Bijtë e gruas që helmon bashkëshortët.

Isa ibn Mihrani tregon: ′Uthman ibn Umeri më tha se Ibn Auni citon ′Umer ibn Is′hakun me fjalët:

Isha me Hasanin dhe Huseinin, paqe pastë mbi ta, në shtëpi. Hasani, paqe pastë me të, erdhi nga jashtë dhe pastaj doli prapë. Ai tha:

Më kanë helmuar disa herë por kurrë me një helm të tillë. Një copë nga mëlçia më doli për goje dhe e nxora me një shkop që kisha.

Kush të helmoi dhe çfarë kërkon prej tij, i tha Huseini. A dëshiron që ta vrasim? Nëse ai qëndron ashtu siç është, atëherë Allahu do të jetë më i tmershëm në dënimin e Tij sesa ti. Nëse nuk qëndron ashtu, dua të jem i lirë nga çdo faj.


Abdullah ibn Ibrahimi transmeton nga Zijad el-Maharikiu:

Kur iu afrua vdekja, Hasani thirri Huseinin, paqe pastë mbi ta dhe i tha:

Vëllai im, po të lë ty e po i bashkohem Zotit. Më kanë helmuar dhe e nxora mëlçinë për goje në haud. E di personin që më helmoi dhe kush ma sajoi këtë tradhti të pabesë. Unë do t′i kundërvihem atij te Zoti, Fuqiploti, i Larti. Ndaj, me të drejtën që kam te ti mos thuaj asgjë për këtë dhe prit atë që do të vendosë për mua Allahu, i Plotfuqishmi, i Lartmadhëruari. Kur të kem vdekur, mbyllmi sytë, më laj dhe më mbështill. Pastaj çoma trupin tek gjyshi im, i Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij, që ta përtërij bejatin me të. Pastaj më ço te varri i gjyshes sime, Fatime bint Esedit, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe më varros atje. Vëllai im, njerëzit do të mendojnë se po kërkon të më varrosësh me të Dërguarin e Allahut, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij. Ndaj do të mblidhen për të të penguar. Betohem në Allah se nuk duhet të derdhësh as edhe një pikë gjaku në zbatimin e urdhrit tim.

Atëherë ai bëri testamentin për familjen dhe fëmijët e tij. Ai i dha Huseinit gjërat e trashëguara dhe sendet që i kishte lënë Prijësi i Besimtarëve kur e kishte bërë zëvendës, duke e deklaruar të denjë për të marrë pozitën e tij dhe treguar shi′itëve të tij se ai ishte zëvendësi, duke e vënë si pishtar pas tij.

Kur Hasani kaloi, Huseini ia lau trupin dhe e mbështolli. Pastaj e mbarti në arkivolin e tij. Mervani dhe umejjadët e tjerë që ishin me të nuk kishin asnjë dyshim se ai do të përpiqej ta varroste të vëllain pranë të Dërguarit të Allahut, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij. Ata u mblodhën të armatosur. Kur Huseini iu afrua varrit të Pejgamberit (s.a.v.s), në mënyrë që Hasani të përtërinte betimin me atë, ata u sulën drejt tyre me grupin e tyre. Nëna e besimtarëve ′A′ishja u ishte bashkangjitur mbi një mushkë dhe po thoshte:

Ç′paska mes jush dhe meje që të lejokeni të më hyjë në shtëpi dikush që unë s′e dua?

Mervani filloi të recitonte:

O Zot, më mirë luftë se prehje!
′Uthmani t′u varroska në rrethinat e Medines kurse Hasani pranë Profetit!?
Sa të kem unë shpatë kjo nuk do të ndodhë.


Një fitne isht gati të shpërthente mes umejjadëve dhe hashimive, kur Ibn Abbasi nxitoi tek Mervani dhe i tha:

Kthehu mbrapsht nga ke ardhur, o Mervan! E vërteta është se nuk duam ta varrosim njeriun tonë me të Dërguarin e Allahut, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij. Por duam t′i mundësojmë ripërtëritjen e bejatit me të duke i bërë zijaret. Pastaj do ta çojmë tek gjyshja e tij, Fatimja e do ta varrosim përbri saj sipas porosisë së tij. Sikur të kishte dhënë urdhër që ta varrosnim bri Pejgamberit, Allahu e bekoftë atë dhe familjen e tij, ti e di mirë se do të ishe i fundit që do mund të na pengonte. Mirëpo, ai ishte tepër i ndërgjegjshëm për Allahun dhe të Dërguarin e Tij si dhe shenjtërinë e varrit të tij që të shkaktonte gjakderdhje aty, siç kanë bërë të tjerët duke hyrë aty pa lejen e tij (s.a.v.s).

Pastaj iu kthye Aishes dhe i tha:

Ç′ngatërresë që sjell, njëherë mbi mushkë e një tjetër mbi deve! A kërkon ta shuash dritën e Zotit dhe eulijave të Tij? Kthehu! Tash u sigurove se nuk do të ndodhë ajo që kishe frikë dhe e more vesh atë që deshe. Për Allah, ngadhënjimi do t′i vijë kësaj Shtëpie, paçka se mund të presë!

Imam Huseini tha:

Për Allah, sikur të mos kisha marrë urdhër nga Hasani për të parandaluar gjakderdhjen edhe me një pikë, do ta kishit parë se si ju marrin para shpatat e Allahut; ju thyet marrëveshjen ndaj nesh dhe shpërfillët kushtet që bëmë me të për vete.

Pastaj, ata vazhduan me trupin e Hasanit dhe e varrosën në el-Baki′, pranë gjyshes, Fatime bint Esed ibn Hashim bin ′Abd Menaf, Allahu qoftë i kënaqur me të.

© dielli.net

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!