Disa dorëshkrime të vjetra të Kur’anit
Kazim Mudir Shanehçi
29.08.2011

Pa dyshim, asnjë libër tjetër nuk ka qenë subjekt diskutimesh aq sa Kur’ani, numri i shkrimeve, librave dhe komentimeve në lidhje me të cilin i tejkalojnë të gjithë ato që janë shkruar për ndonjë libër tjetër. Ndonse Torahu dhe Ungjilli janë përkthyer në më shumë gjuhë, Kur’ani ka udhëhequr bindshëm përnga shumëllojshmëria e studimeve, përnga numri i komentimeve dhe përnga aspektet e shumta të tij, të cilat kanë qenë temë diskutimesh dhe shkrimesh.


Edhe përnga numri i kopjeve në qarkullim, Kur’ani ka udhëhequr bindshëm përballë librave të tjerë. Muslimanët besojnë se një shpërblim hyjnor (sevab) fshihet jo vetëm në shkrimin ose recitimin e Kur’anit, por edhe thjesht në soditjen e shkrimit të tij të shenjtë. Sipas kësaj, siç e dimë, ka patur shumë muslimanë, të cilët gjatë jetës së tyre kanë prodhuar më shumë se qindra dorëshkrime të Kur’anit vetëm për hir të shpërblimit hyjnor. Shumë të tjerë kanë blerë qindra kopje dhe ua kanë falur xhamive ose tyrbeve që të ruhen për t’u lexuar nga vizitorët. Nëse e marrim parasysh traditën e vjetër të leximit të Kur’anit në mbledhjet e “hatmeve”, ku qindra kopje të Kur’anit janë në dispozicion për t’u lexuar nga njerëzit e pranishëm dhe këtyre ua shtojmë edhe numrin e madh të kopjeve që shkruhen nga nxënësit e rinj në shkollat tradicionale kuranore, do të shihej se numri i vërtetë i kopjeve të Kur’anit është i vërtet i pabesueshëm.


Tradita e shkruarjes së Kur’anit ka filluar që në kohën e Profetit të Shenjtë (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), i cili emëroi njerëz të caktuar që do ta shkruanin shpalljen kuranore kurdoherë që t’i shpallej dhe recitohej Profetit. Personat e tillë njihen si “shkruesit e shpalljes” (arab. “kuttab el-vahj”) dhe ishin të ndryshëm nga personat që merreshin me shkrimin e letrave, marrëveshjeve dhe lajmërimeve të Profetit ose me shkrimin e deklaratave të palëve të ndryshme në praninë dhe nën gjykimin e tij.1


1. Përmbledhësit e Kur’anit


Ibn el-Nedimi shkruan se në mesin e shokëve të Profetit, Ali ibn Ebu Talibi, Said ibn Ubejd ibn el-Numani, Ebu’l-Derda-ja, Muadh bin Xhebeli, Thabit ibn Zejdi dhe Ubejd ibn Muavije ibn Zejdi2 u morën me përmbledhjen e Kur’anit që në të gjallë të Profetit.3


Buhariu përcjell nga Enes bin Maliku se Ubajj ibn Ka’bi, Muadhi, Zejd ibn Thabiti dhe Ebu Zejdi e kishin përmbledhur Kur’anin që në kohën e Profetit.4 Në një hadith tjetër përmenden emrat e Ebu’l-Derdasë, Muadh bin Xhebelit, Zejd bin Thabitit dhe Ebu Zejdit.5


El-Zerekshiu përcjell nga el-Shabiu se ata që e përmblodhën Kur’anin gjatë kohës së Profetit ishin gjashtë vetë: Ubajji, Zejdi, Muadhi, Ebu’l-Derdaja, Said ibn Ubejdi dhe Ebu Zejdi. Së fundmi, përmendet edhe Muxhamma ibn Xharijje, i cili e kishte përmbledhur gjithë Kur’anin, përveç dy kapitujve.6


Ibn el-Nedimi e përshkruan edhe renditjen e sureve në përmbledhjen e Abdullah ibn Mesudit dhe Ubajj ibn Kabit, gjë që tregon se edhe Ibn Mesudi e kishte përmbledhur Kur’anin7 ose e kishte bërë këtë pas vdekjes së Profetit.


Në veprën “El-Temhid”, Ebu Musa el-Eshariu dhe Mikdad ibn el-Esvedi përmenden në mesin e përmbledhësve të Kur’anit. Përmendet gjithashtu se para standardizimit të përmbledhjeve të Kur’anit në periudhën e Kalifit Osman, populli i Kufes e recitonte Kur’anin sipas përmbledhjes së Ibn Mesudit, populli i Basrës sipas përmbledhjes së Ebu Musa Eshariut, populli i Damaskut sipas përmbledhjes së Mikdadit, ndërsa pjesa tjetër e Sirisë sipas përmbledhjes së Ubajj ibn Kabit.8


Ibn el-Nedimi, el-Jakubiu dhe shumë dijetarë të hadithit në mesin e shiitëve e kanë përmendur rastin e përmbledhjes së Kur’anit nga ana e Aliut menjëherë pas vdekjes së Profetit. Renditja e kapitujve (sureve) në mus’hafin e Aliut, siç përmendet nga Jakubiu në veprën e tij9, ishte ndryshe nga përmbledhja e Ibn Mesudit dhe Ubajj ibn Ka’bit, të cilët janë përshkruar nga Ibn el-Nedimi.10


Edhe në emërtimin e kapitujve ka dallime nga emrat që janë të njohur tani në botën muslimane.11


Dhe siç thamë, ka edhe dallime në renditje. Për shembull, në përmbledhjen e Ibn Mesudit, kapitulli Enfal është kapitulli i njëzet e pestë, ndërkohë që i njejti është në pozitën e nëntë në përmbledhjen e Ubajj ibn Kabit dhe në pozitën e tetë në përmbledhjen standarde moderne. Dhe siç e dimë, përmbledhja e tanishme është ajo e bërë nga Zejd bin Thabiti pas urdhrave të Ebu Bekrit, Kalifit të parë.


Zejdi thotë:

Ebu Bekri më thirri pas betejës së Jemames, në të cilën u vranë shumë shokë të Profetit dhe shumë recitues të Kur’anit. Ai më tha: “Umari që është këtu tani, thotë se shumë recitues të Kur’anit kanë rënë dëshmorë në Jemame. Nëse ndodh sërish ndonjë gjë e tillë, kam frikë se ndonjë pjesë e Kur’anit që këta njerëz e dinë përmendësh, mund të humbet përgjithmonë. Ngase ti je një njeri i zgjuar dhe je njëri nga shkruesit e shpalljes, i cili është i besueshëm, ty po të kërkoj ta përmbledhësh Kur’anin.” Pas kësaj, unë e përmblodha Kur’anin nga shënimet dhe nga kujtesa e njerëzve.”12


Sipas Jakubiut, njëzet e pesë vetë nga Kurejshi dhe pesëdhjetë nga medinasit i ndihmuan Zejdit në këtë detyrë.13


Në mesin e tyre, Abdullah ibn Zubejri dhe Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami ishin pjesëtarë të përhershëm të këshillit të përmbledhjes së Kur’anit.


Sipas veprës “El-Temhid”, kjo veprimtari u nis nga Zejd ibn Thabiti dhe disa të tjerë por më vonë, Ubajj ibn Kabi e mori përgjegjësinë e leximit dhe Zejdi atë të shkrimit të vargjeve.


Sido që të jetë, Kur’ani u përmblodh në këtë mënyrë dhe teksti i përmbledhur u ruajt fillimisht pranë Ebu Bekrit dhe pastaj pranë Umarit, ku u përdor si referencë për njerëzit. Pas vdekjes së Umarit, kjo përmbledhje qëndroi në pronësi të Hafsës (e bija e Umarit dhe njëra nga të vejat e Profetit) deri në vitin 22 pas Hixhrit, kur gjatë sundimit të Osmanit filluan të shfaqeshin dallime në recitimin e Kur’anit. Pas kësaj, me urdhër të Kalifit, përmbledhja u mor nga Hafsa dhe Zejd bin Thabiti (i cili kishte qenë përmbledhësi kryesor) përgatiti disa kopje me ndihmën e Abdullah ibn Zubejrit, Abdurrahman ibn Hishamit (që të dy pjesëtarë të komitetit fillestar të përmbledhjes së Kur’anit) dhe Said ibn el-Asit. Ndërkohë që origjinali iu rikthye Hafsës, njëra nga kopjet e bëra u ruajt pranë Kalifit në Medine, kurse të tjerat u dërguan në qytetet kryesore islame.14


Më pas, dorëshkrimet e përmbledhura të Kur’anit u shkatërruan me urdhër të Kalifit, që të eliminoheshin dallimet ndërmjet muslimanëve.15


Përmbledhja e shkruar në kohën e Ebu Bekrit qëndroi me Hafsën deri në sundimin e Mervan ibn Hakemit. Mervani dëshiroi ta digjte edhe atë, por Hafsa nuk pranoi t’ia dorëzonte. Ai priti deri në vdekjen e saj dhe më pas e dogji edhe atë dorëshkrim.16


Si pasojë, detyra e ruajtjes së uniformitetit të Kur’anit u krye në vitin 22 pas Hixhrit (642 e erës sonë)17, ndonse Abdullah ibn Mesudi nuk pranoi t’ia dorëzonte përmbledhjen e tij Osmanit, i cili dëshironte ta digjte edhe atë.18 Po kështu, edhe përmbledhja e krijuar nga Ali ibn Ebu Talibi mbeti në pronësi të tij dhe më pas, të pasardhësve të Aliut.


2. Përmbledhjet e krijuara me urdhër të Osmanit


Kopjet e përpiluara me urdhër të Osmanit nga komitetet e krijuara për këtë qëllim, në përjashtim të kopjes së parë që filloi të njihej si “përmbledhja amë” (arab.el-mus’haf el-imam), ishin ndërmjet katër dhe nëntë në numër dhe u shpërndanë në Kufe, Basra, Mekke, Siri, Bahrejn, Egjipt, el-Xhezire dhe Medine.19 Secila nga këto kopje të Kur’anit shërbente si një pikë referimi për njerëzit e qytetit përkatës, prej të cilit ata bënin kopje dhe të cilit i drejtoheshin në raste mospajtimesh në leximin e saktë të Kur’anit. Herë pas herë, në raste të mosmarrëveshjeve ndërmjet kopjeve të qyteteve provinciale, Kur’ani i Medines shërbente si kriteri kryesor.


Osmani, bashkë me kopjet që i dërgoi në çdo qytet, dërgoi edhe recitues që do t’u demonstronin njerëzve si duhej recituar saktësisht Kur’ani. Kështu, si përgjegjës të recitimit të Kur’anit, u dërguan Abdullah ibn Saibi në Mekke, Munirah ibn Shihabi në Siri, Ebu Abdullah Selamiu në Kufe, Amir ibn Abd el-Kajsi (ose Amir ibn Abdurrahmani) në Basra, ndërsa Zejb bin Thabiti mbeti në Medine.20

Këto përmbledhje (mus’hafë), që u bënë të njohura si përmbledhjet e Osmanit, mbetën të paprekura për një kohë të gjatë. Siç shkruan Jakut el-Hamaviu (vdekur 626 pas Hixhrit) në veprën “Muxham el-buldan”21, njëra nga kopjet e Osmanit ekzistonte në xhaminë e madhe të Damaskut. Ibn Fadlallah el-Umariu (vdekur 749), autori i veprës “Mesalik el-ebsar”, gjithashtu e përmend kopjen e Damaskut. Edhe Ibn Kethiri (vdekur 774), i cili e kishte parë kopjen, e ka përshkruar atë.22 Ibn Batutah i ka shënuar vëzhgimet e tija si vijon:


“Në anën lindore të vendit të adhurimit, me fytyrën e kthyer drejt mihrabit, gjendet një pozitë ku ruhet Kur’ani i dërguar në Siri nga Prijësi i Besimtarëve Osman bin Affani. Ky vend është i hapur për publikun pas namazeve me xhemaat dhe njerëzit mblidhen në turma për ta parë. Pikërisht në këtë vend, palët që kanë mosmarrëveshje vijnë dhe e bëjnë betimin e tyre.”23


Sipas Kurd Aliut24, ky Kur’an qëndroi në xhaminë e Damaskut deri në vitin 1310 pas Hixhrit (1892 e erës sonë), kur u shkatërrua në një zjarr që e kaploi xhaminë.


Megjithatë, Dr.Ramjari, pa përmendur ndonjë burim, shkruan: “Me sa duket, fragmente të vargjeve të Kur’anit që u mveshen kopjeve të Osmanit, u morën nga Emir Tajmur Gorkani nga Siria në Semerkand, me qëllim që të vendosen tek tyrbeja i tij. Më pas, ky dorëshkrim u transferua në bibliotekën e Institutit Mbretëror të Arkeologjisë në Leningrad, ku në vitin 1905, pesëdhjetë kopje të tij u litografuan dhe njëzet e pesë prej tyre iu dhuruan figurave eminente të shteteve muslimane.” 25


Ibn Batutah gjithashtu përmend se në xhaminë e Kufes ka parë një Kur’an tjetër që i mveshej Osmanit dhe që i kishte gjurmët e gjakut të tij. Nga El-Nablusiu (vdekur 1105 pas Hixhrit) është përcjellur se në mihrabin e xhamisë së vjetër në Hums ekzistonte një kopje në shkrimin kufik, i cili kishte disa gjurmë gjaku. Në kohën e el-Nablusiut, njerëzit i aviteshin kësaj kopjeje në kohë thatësire dhe luteshin që të binte shi.26


Shumë dorëshkrime që ndërlidhen në ndonjë mënyrë me përmbledhjet e Osmanit kanë ekzistuar në qytete të ndryshme dhe siç janë përmendur nga shumë autorë, numëronin rreth gjashtëmbëdhjetë.27 Edhe në kohën tonë, në Egjipt, në Turqi dhe në Tashkent të Uzbekistanit ekzistojnë disa kopje që konsiderohen nga përmbledhjet e bëra me urdhër të Osmanit. Hollësitë e tyre janë si vijon:



  1. Dorëshkrimi egjiptian i Kur’anit ruhet në xhaminë El-Meshed el-Husejn në Kairo. I shkruar me shkrimin kufik, ky dorëshkrim është në format të madh.

  2. Dorëshkrimi turk është ai, i cili fillimisht gjendej në Mosul dhe më pas u plaçkit nga pushtuesit tatarë. Më pas, ai u kthye në Stamboll, kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Për momentin, ky Kur’an ruhet në koleksionin e “Thesarit të Amaneteve” (turq. Emanet Hazinesi) në bibliotekën e pallatit Topkapi , me numrin serik numër 1. Mikrofilmi i tij është i disponueshëm në Ma’had el-Makhtutat el-Arabijjah në Kairo, me numrin serik 19.

  3. Dorëshkrimi i Tashkentit besohet gjerësisht se u soll nga Siria në Uzbekistan nga Tajmuri, si pjesë e plaçkave të tija të luftës. Sipas testamentit të tij, ky Kur’an u ruajt pranë varrit të tij në Semerkand. Më pas, ai u transferua në Petrograd (“Leningrad” gjatë Komunizmit dhe “Shën Petersburg” gjatë periudhës post-komuniste), që ishte kryeqyteti i atëhershëm i Perandorisë Ruse. Pas Revolucionit Bolshevik të Tetorit, ky dorëshkrim u kthye në Tashkent me urdhër të Leninit. Një përshkrim i shkurtër i këtij dorëshkrimi mund të gjendet në veprën “Tarikh el-Kur’an” të Dr.Ramjarit.28 Dr.Subhi el-Salih, në lidhje me këtë, thotë: “Disa hulumtues thonë se kjo kopje qëndroi një kohë në Muzeun Perandorak të Leningradit para se të transferohej në Uzbekistan.” Më pas, në fusnotë ai e këshillon lexuesin që për më tepër hollësi, t’i referohet vëllimit të dhjetë të veprës “Bibliographie des ourages Arabes ou relatifs aux Arabes”, fq.45-56. Ai shton se hulumtuesit e tjerë besojnë se kjo kopje u ruajt e sigurt në xhaminë e madhe të Damaskut deri në vitin 1892, kur u shkatërrua në zjarr.30


E dimë se Tajmuri e pushtoi Damaskun në vitin 1400 të erës sonë dhe në po atë vit, ushtria e tij hyri në qytet dhe më pas e plaçkiti dhe dogji qytetin. Ndonse Tajmuri kishte urdhëruar që xhamia e madhe të mos prekej, pullazi i saj i drunjtë mori zjarr dhe minareja lindore u shkatërrua tërësisht, ndonse minareja Arus mbeti e paprekur (siç përcillet se ka parashikuar Profeti).31


Sipas kësaj, është tejet e mundshme që para se të digjej xhamia e Damaskut, Tajmuri ta ketë marrë pranë vetes Kur’anin dhe ta ketë dërguar në kryeqytetin e tij në Semerkand. Nëse kjo nuk ndodhi, atëherë është vështirë të besohet se kjo kopje e Kur’anit i mbijetoi zjarrit që e dogji Damaskun dhe xhaminë e madhe të qytetit.


Kur t’i shohim pretendimet e ekzistencës së këtij Kur’ani deri në vitin 1310 pas Hixhrit në Damask, siç përcillet nga Dr.Subhi el-Salihu prej veprës “Khutat el-Sham”, nuk është e pamundur që pas sundimit të Tajmurit dhe me rikthimin e sundimit mamluk mbi Sirinë, përmbledhja e qytetit Hums, për ekzistencën e të cilit përcjell el-Nablusiu, të jetë transferuar në Damask. Humsi mbeti i pasulmuar nga forcat e Tajmurit në vitin 803 pas Hixhrit sepse e pranoi sundimin e tij dhe pranoi të paguante tatim.32 Sipas kësaj mundësie, dorëshkrimi i Damaskut, pas shumë transferimesh ka ardhur në Tashkent të Uzbekistanit, ndërkohë që dorëshkrimi i Hums-it, pasi u transferua në Damask në shekullin 11 pas Hixhrit, u dogj në zjarrin që e kaploi xhaminë e madhe të Damaskut në vitin 1310 pas Hixhrit (1892 e erës sonë).


Autori në fjalë (Dr.Subhi el-Salih) u lajmërua nga Drejtori i Qendrës Islamike të Uzbekistanit se ky dorëshkrim ruhej i ndryrë nga ana e guvernatorit të Tashkentit. Por një kopje fotografike e tij, e madhësisë së njejtë me origjinalin (65x50), ruhet në Qendrën Islamike për t’u parë nga vizitorët.


3. Përmbledhja e Aliut


Personi i parë që pas vdekjes së Profetit filloi të merrej me përmbledhjen e Kur’anit, ishte Ali ibn Ebu Talibi. Ai e mori përsipër këtë detyrë pas urdhrit dhe udhëzimeve të Profetit.33 Aliu i rradhiti vargjet kronologjikisht (sipas kohës së shpalljes) dhe përveç kësaj, e shënoi edhe kontekstin dhe vendin e shpalljes së secilit varg.


Ibn el-Nedimi shkruan: “Pas vdekjes së Profetit, Aliu u betua se nuk do të dilte nga shtëpia derisa ta përmblidhte Kur’anin. Ai qëndroi në shtëpi tri ditë me rradhë dhe e përmblodhi Kur’anin. Ai ishte i pari që e përmblodhi Kur’anin nga kujtesa dhe kjo përmbledhje mbeti nën kujdesin e familjes së Xhaferit.”34


Nga shënimet e Ibn el-Nedimit mund të kuptohet se para vdekjes së Profetit, Aliu e kishte mësuar tashmë Kur’anin përmendësh dhe pas vdekjes së tij, vetëm sa e përcolli në letër dhe e përmblodhi të tërin. Mbase pjesë të caktuara të Kur’anit i kishte shkruar më parë në letër, sepse as edhe shkruesi më i aftë nuk do të mund ta përpilonte gjithë Kur’anin brenda tri ditësh nga kujtesa ose duke kopjuar nga ndonjë kopje tjetër. Ngase nuk ka ndonjë dëshmi se Aliu e kopjoi Kur’anin nga ndonjë kopje tjetër, logjikisht duhet të pranojmë se ai e kishte shënuar më parë Kur’anin, sipas rradhitjes së shpalljes. Dhe ngase Profeti ishte i vetëdijshëm për punën e Aliut dhe për faktin se e shkruante Kur’anin tashmë, ai e urdhëroi Aliun ta përmblidhte librin, që ai të mund të ruhej nga shkatërrimi dhe nga dëmtimi që e pësuan shkrimet e kaluara hyjnore.


Siç shkruan Ibn el-Xhuziu në veprën “Et-Tashil” dhe Zarakshiu në veprën “El-Burhan” 35, gjatë jetës së Profetit të Shenjtë, Kur’ani ishte i shpërndarë nëpër “suhuf” (fletë të shpërndara, të palidhura me njëra-tjetrën) dhe në kujtesën e ndjekësve të Profetit. Madje disa prej shokëve (sabaheve) të Profetit, si Osmani dhe Aliu, e recitonin Kur’anin në prani të tij. Shejh el-Mufidi e përcjell këtë gjë në shkrimin e tij “Axhvibat el-masail el-saravijjah”.36


Nga ideja e përcjellur më sipër se Aliu e përmblodhi tekstin kuranor sipas kohës së shpalljes, mund të kuptojmë se kapitujt e shkurtër të Kur’anit, të cilat zakonisht janë shpallje të periudhës mekkase, ishin vendosur në fillim, të ndjekur nga kapitujt më të gjatë që u shpallën në Medine. Për më tepër, edhe konteksti i shpalljes së vargjeve ishte shënuar, bashkë me vargjet e zhvleftësuara (arab. mansukh) dhe ato zhvleftësuese (arab. nasikh)


Në historinë e tij, el-Jakubiu e përmend rradhitjen e kapitujve në përmbledhjen e Aliut. Ibn el-Nedimi, duke e diskutuar përmbledhjen e Aliut në veprën “el-Fihrist”, ka lënë disa vende të zbrazura dhe me sa duket, nuk ka arritur ta shënojë të plotë rradhitjen e kapitujve nga përmbledhja e Aliut, të cilën e kishte parë. Edhe kjo mjafton si një dëshmi e faktit se kapitujt ishin rradhitur ndryshe nga Aliu.


Përmbledhjet që i mveshen Aliut


Përmbledhja e Aliut ekzistoi deri në kohën e Ibn el-Nedimit, gjegjësisht deri në dekadat e fundit të shekullit të katërt pas Hixhrit (shekulli i dhjetë i erës sonë). Siç shkruan në veprën El-Fihrist, ai e pa këtë përmbledhje në pronësi të Ebu Ja’la Hamza el-Hasaniut dhe kjo përmbledhje mbeti si trashëgimi e pasardhësve të Imam Hasanit.38 Me shumë gjasa, personi i përmendur më sipër është El-Sherif Ebu Ja’la Hamza ibn Zejd ibn el-Husejn el-Hasani el-Aftasi, i cili ishte një nxënës i Sejjid Murteza-së.39 Duke patur parasysh se vepra “El-Fihrist” u shkrua në vitin 377 pas Hixhrit (987 e erës sonë) dhe se Sejjid Murteza u lind rreth vitit 355 pas Hixhrit, takimi i Ebu Ja’lasë me Ibn el-Nedimin duhet të ketë qenë para se Ebu Ja’la të bëhej nxënës i Sejjid Murtaza-së, sepse nuk është shumë e besueshme që Ebu Ja’la të jetë bërë nxënës i Sejjid Murteza-së, para se ky i fundit t’i ketë mbushur 22 vjet.


Përmbledhja egjiptiane:


El-Makriziu (vdekur 845/1441) përmend në veprën “Khutat Misr”40, një Kur’an të përpiluar nga Aliu, i cili ekzistonte në bibliotekën e Kalifëve fatimidë në Kairo. Kjo përmbledhje ruhej fillimisht në një kuti argjendi në xhaminë e madhe (El-xhami el-atik) të Egjiptit kur Me’mun Bata’ihi, një këshilltar i Kalifit fatimid Emir Billah, urdhëroi që të bëhej një kuti e artë për të.41 Në ditët tona, një Kur’an që i mveshet Aliut ekziston në koleksionin e tyrbes së Husejnit në Kairo. Nuk është e pamundur që kjo kopje të jetë e njejta që ekzistonte një kohë në xhaminë e madhe të Kairos dhe më pas të jetë dërguar në vendin ku është tani.


Përmbledhja në Nexhef:


Sejjid Xhemaleddin el-Davudi el-Hasani, i njohur si Ibn Inabah (vdekur 825/1422), në veprën “Umdat el-talib” përmend një Kur’an që ekzistonte në koleksionin e tyrbes së Aliut në Nexhef. Ai gjithashtu përmend një Kur’an të shkruar nga Aliu, të cilin e kishte parë në tyrben e Ubejdullah ibn Aliut. Marrëdhënia ndërmjet këtyre dy kopjeve të Kur’anit mbetet për t’u hulumtuar.

Edhe sot, në tyrben e Aliut në Nexhef42, ekziston një Kur’an që nga disa dijetarë mendohet se është i njejti Kur’an i përmendur nga autori i veprës “Umdat el-talib”. Është e mundur që përmbledhja në tyrben e Ubejdullah ibn Aliut të ketë qenë e përbërë vetëm nga disa pjesë të përmbledhjes së Nexhefit.


Sejjid Ahmed el-Husejni el-Eshkavari, në veprën “Fihrist khizanat el-ravdat el-hajdarijjah”, duke përcjellur nga vepra “Mevsu’t el-atabat el-mukaddasah” (kapitulli mbi Nexhefin), shkruan se në vitin 755/1354, tyrben e Aliut e kaploi një zjarr, në të cilin u humbën shumë trashëgimi të vlefshme, ndër të cilat edhe Kur’ani i shkruar nga Aliu në tre vëllime.


Në margjinat e dorëshkrimit të veprës “Umdat el-talib”, që gjendet në bibliotekën e tyrbes së Imam Riza-së (Astanah-i Kuds-i Radavi), ka shënime të dobishme të shkruara nga një punonjës biblioteke nga Nassabah, të quajtur Husejn, i cili përfshin edhe një përshkrim të përmbledhjes së Nexhefit. Ky shënim thotë: “Përmbledhja që e kishte parë Sejjid el-Nakibi (i njohur si Ibn Inabah, autori i veprës “Umdat el-talib”) në Nexhef, ekziston akoma në të njejtin vend. Megjithatë, pjesa më e madhe e kësaj përmbledhjeje është djegur dhe ka mbetur vetëm një vëllim, të cilit i mungojnë shënimet në margjina të faqeve, sepse të gjitha margjinat, bashkë me një pjesë të tekstit, u dogjën në zjarr.” 43


Përmbledhja në tyrben e Imam Riza-së


Përveç Kur’anit të ruajtur mbi sarkofagun (arab. dari) tek varri i Aliut në Nexhef, në pronësi të tyrbes së Imam Riza-së në Mesh’hed ekzistojnë edhe dy përmbledhje që i mveshen Imam Aliut. Përmbledhja e parë e mban numrin 6 dhe ruhet në bibliotekë. Përmbledhja është e shkruar në stilin kufik mbi lëkurë dreri dhe e ka shënimin “Katabahu Ali ibn Ebi Talib”. Në faqen e parë ka një dedikim për Shah Abbasin, mbretin Safavid, të shkruar nga Shejh el-Bahaiu në vitin 1008 pas Hixhrit. Në këtë shkrim, Shejh Bahaiu përmend se kjo përmbledhje është shkruar nga Aliu. Ky Kur’an me 68 fletë (folio) përmban një pjesë të Kur’anit nga kapitulli Hud deri në fund të kapitullit Kehf.44


Kur’ani i dytë e mban numrin 1. Disa copa të margjinave të faqeve janë zhdukur dhe disa vargje mungojnë. Për shembull, ndërmjet foliove 33 dhe 34, rreth 79 vargje mungojnë. Ky Kur’an është shkruar mbi lëkurë dreri dhe ka 341 fletë (folio), të cilat e përfshijnë gjithë Kur’anin. Ai iu fal tyrbes së Imam Riza-së nga Shah Abbasi në vitin 1009 pas Hixhrit (1600 e erës sonë). Në vijim po e përcjellim shkrimin dedikues të shkruar nga Shejh Bahaiu:


“Kur’ani i lavdishëm i shkruar nga Prijësi i Besimtarëve, Zotëriu i Trashëguesve, Luani fitimtar i Zotit, Imami i lindjeve dhe perëndimeve, Prijësi i besimtarëve Ali ibn Ebu Talibi (paqja qoftë mbi të) iu dhurua tyrbes së shenjtë, të ndritur, të pastër e të bekuar të Riza-së, mbi të cilin qofshin mijëra e mijëra selame dhe bekime. Kjo dhuratë u bë nga Shah Abbas el-Husejni el-Musavi el-Safavi Bahidur Khani, hija e Zotit, pluhuri i pragut të më të mirit të njerëzimit, mbrojtësi i fesë së drejtë të dymbëdhjetë Imamëve, robi i sinqertë i Prijësit të Besimtarëve Hajdar (Aliut). Zoti e bëftë të përjetshme mbretërinë dhe sundimin e tij dhe ia dhuroftë njerëzimit butësinë, drejtësinë dhe mirësinë e tij. Amin o Zot i Botëve!


Shkruar pranë pluhurit të tyrbës së Riza-së, paqja qoftë mbi të, nga më i thjeshti i krijesave, Baha el-Din Muhammedi, në vitin 1009.”


Përmbledhja në koleksionin e Pallatit Topkapi (Stamboll)


Në Turqi ekzistojnë edhe dy përmbledhje të cilat i mveshen Aliut. Që të dy ruhen në “Thesarin e Amaneteve” (e cila është tani pjesë e bibliotekës së Pallatit Topkapi). Përmbledhja e parë e mban numrin rendor 2. Mikrofilmi i saj, me numër 18, ruhet në Ma’had el-Makhtutat el-Arabijjah, në Kairo. Përmbledhja e dytë e mban numrin 29 dhe mikrofilmi i saj, me numrin rendor 14, ruhet po kështu në Ma’had el-Makhtutat el-Arabijjah, në Kairo. 45 46




Këtu vlen të konsiderohen pikat në vijim:



  1. Shkrimi i përmbledhjeve që i mveshen Aliut shfaq mjeshtëri, harmoni dhe elegancë, ndonse dihet se në gjysmën e parë të shekullit të parë pas Hixhrit, shkrimi arab (në stilin kufik) nuk e kishte zhvilluar akoma aq shumë finesën dhe harmoninë dhe nuk ishte shumë elegant. Andaj, si mund këto dorëshkrime t’i mveshen Aliut, i cili ra dëshmor në vitin 40 pas Hixhrit?

  2. Duke patur parasysh se Aliu pati një veprimtari të dendur, a është e mundur që ai të ketë përpiluar më shumë kopje të Kur’anit?

  3. Sipas asaj që thotë historia, përmbledhja e Aliut ishte e rradhitur në rendin kronologjik dhe e përmendte kontekstin e shpalljes së secilit varg. Përmbledhjet që ekzistojnë deri në ditën tona dhe i mveshen Aliut, nuk i shfaqin këto tipare.


Nuk ka dyshim se Aliu e përpiloi Kur’anin me rradhitjen kronologjike.47 Por nuk është e pamundur që pas kësaj, ta ketë përpiluar Kur’anin edhe në renditjen që e dimë sot.


Dhe kur flasim për veprimtarinë e dendur të Aliut, nuk ka dyshim se pas vdekjes së Profetit, ai ishte në mesin e figurave qendrore dhe më autoritative të Medines, në të gjitha çështjet që kishin të bënin me punët e përgjithshme të muslimanëve dhe në veçanti në çështjet gjyqësore. Por ngase nuk ishte i përfshirë drejpërdrejt në administratë dhe ngase personalisht nuk mori pjesë në luftëra, nuk është aq e pamundur që gjatë kësaj periudhe të jetë marrë me kopjimin e Kur’anit, veçanërisht kur ta kemi parasysh se në atë kohë kishte pak kopje të Kur’anit dhe çdo kontribut që mund të jepej në këtë drejtim ishte shumë i çmueshëm për ruajtjen e shkrimit të shenjtë. Në një situatë si kjo, përmbledhja e Kur’anit ishte një detyrim për gjithkë që kishte aftësi për ta kryer këtë detyrë.


Sa për bukurinë dhe harmoninë e shkrimit të këtyre përmbledhjeve, të cilat e krijojnë përshtypjen se nuk mund t’i takojnë periudhës së fillesave të shkrimit kufik, mund të rikujtojmë se Aliu ishte njëri nga mjeshtrit e kaligrafisë në kohën e tij. Historia përcjell se Aliu ia mësoi kaligrafinë sekretarit të tij Ubejdullah ibn Ebi Rafiut.48 Përcillet se kur e pa një shkrues të Kur’anit, Aliu e pëlqeu shkrimin e tij por nuk e pëlqeu faktin se përdorte shkronja të vogla për shkrimin e Kur’anit.


Në veprën “El-Fihrist” të Ibn el-Nedimit, përmendet Khalid ibn Ebi el-Hajjaxhi, njëri nga nxënësit e Imam Aliut, i cili njihej si njëri nga mjeshtërit e kaligrafisë kuranore.50 Pas vdekjes së Aliut, Khalidi u punësua nga veziri i Velid ibn Abd’ul-Meliku, për të bërë kopje të shkrimit të shenjtë dhe për të shkruar poezi dhe hadithe. Ai ishte personi që e shkroi shkrimin e artë që shfaqet mbi kiblen në Xhaminë e Profetit në Medine, ku jepen vargjet nga kapitulli Shems deri në fund të Kur’anit.51 Edhe përkundër gjithë kësaj, autenticiteti i këtyre përmbledhjeve dhe mveshja e tyre Aliut, është një çështje që mbetet për t’u hulumtuar ndarazi.


4. Stili i shkrimit të dorëshkrimeve të hershme të Kur’anit


S’ka dyshim se stili i shkrimit të Kur’anit në kohën e Profetit, Sahabeve dhe Tabiinëve ishte shkrimi kufik, i cili është një variacion i shkrimit hiran. Ky shkrim që buronte nga qyteti i Hiranit, erdhi nga Iraku në Hixhaz rreth kohës së fillimit të profetësisë së Muhammedit dhe shokët e tij e tij e mësuan këtë shkrim gjatë jetës së tyre.


Sipas disave, shkrimi kufik e ka zanafillën tek shkrimi nabatean.52 Megjithatë, ka edhe disa të tjerë që thonë se ky shkrim evoluoi nga shkrimi siriak53, sepse edhe në shkrimin siriak edhe në shkrimin kufik, shkronja “elif” nuk shkruhet kur është në mes të fjalës.


Megjithatë, në Hixhazin e kohës së Profetit ekzistonte edhe një stil tjetër përveç shkrimit kufik. Ky ishte shkrimi nabatean, prej të cilit më pas do të zhvillohej shkrimi në stilin naskhi. Ngase ishte më i lehtë, shkrimi nabatean përdorej më gjerësisht, përveç nga njerëzit e Arabisë.54


Në veprën “Sabkshinasi”, Malik el-Shuara shkruan se nga ajo që mund të kuptohet nga tradita islame është fakt se shkrimi islam, që nga fillimi i tij, ishte shkrimi nabatean, i cili u quajt el-naskhi ose el-darixh. Arabët e morën atë drejpërdrejt nga shkrimi nabatean. Ky shkrim erdhi në Hixhaz nga Hurani (një qytet i lashtë sirian) por siç përmendëm më sipër, Kur’ani u shkrua kryesisht me stilin kufik. Kjo praktikë vazhdoi shekuj me rradhë. Disa pretendonin madje se ishte i papranueshëm shkrimi i Kur’anit me një stil të ndryshëm nga ai kufik, sepse në kohën e Profetit dhe të sahabeve, Kur’ani ishte shkruar me këtë stil. Çdo ndryshim të shkrimit, njerëzit e tillë e konsideronin një risi në fe (bidat).55


Është e qartë se nuk ka ndonjë arsyetim të mirëfilltë për këtë lloj mendimi, sepse mjeti i shkrimit në ato ditë ishte i kufizuar vetëm në këtë lloj shkrimi. Për më tepër, nëse vazhdohet me këtë logjikë, do të duhej që edhe përdorimi i letrës dhe i shtypit të ndalohej sepse asnjëra prej tyre nuk ekzistonte në kohën e Profetit. Është interesante se dijetarët e Perandorisë Osmane e ndaluan për një kohë të gjatë shtypjen e Kur’anit56 në tokat e Perandorisë, ndonse në territorin e saj kishte hyrë tashmë shtypshkronja dhe përdorej gjerësisht. 57


Shkrimi Naskhi


Me zhvillimin e shkencave dhe artit në Islam, në veçanti gjatë periudhës abbaside, edhe stili i shkrimit pësoi ndryshime dhe e arriti kulmin. Rregulla të ndryshme u përpiluan për artin e kaligrafisë dhe u shfaqën mjeshtër të mëdhenj të kësaj zejeje. Megjithatë, ngase shkrimi naskhi ishte më i thjeshtë se shkrimi kufik, ai filloi t’ua tërhiqte më shumë vëmendjen kaligrafëve dhe njerëzve të rëndomtë. Një grup në mesin e kaligrafëve iu përkushtua rafinimit të shkrimit naskhi. Këtij grupi i takonte Muhammed ibn Ali ibn Husejn ibn Muklah (272-328 hixhri/ 885-939).

Ndonse është e gabuar, disa besojnë se ai ishte shpikësi i shkrimit naskhi. Si shkencat, artet dhe zejet e tjera, edhe kaligrafia u zhvillua gradualisht drejt përsosmërisë. Andaj është e pamundur që Ibn Muklah të konsiderohet nismëtari i shkrimit naskhi (fatmirësisht ekzistojnë akoma dorëshkrim që i mveshen atij ose që i ngjajnë shkrimit të tij). 58


Si rezultat i studimeve që i kam bërë mbi koleksionet e paçmueshme të dorëshkrimeve të Kur’anit në bibliotekën e tyrbes së Imam Riza-së (Astana-ji Kuds-i Radavi) dhe mbi kopjet e Kur’anit të ruajtura në Dar el-Kutub në Kairo, në bibliotekën Zahirijje në Damask, në bibliotekën Xhemaat el-Karvijjin në Fas dhe në bibliotekën e muzeut Topkapi në Stamboll, kam zbuluar se shkrimi naskhi është përdorur edhe para Ibn Mukla-së. Ky mendim vërtetohet edhe nga shembujt që mund të gjenden në librat në vijim:


1. “El-Khatt el-arabi el-Islami” nga Turki Atijjah

2. “Atlas-i Khatt”

3. “Intishar el-khatt el-arabi” nga Ustad Abd el-Fettah Ibadah

4. “El-Khattat el-Baghdadi” nga Suhejl Envar

5. “El-Khatt el-arabi ve adabuhu” nga Muhammed Tahir ibn Abd el-Kadir el-Maliki

6. “Musavvir el-khatt el-arabi” nga Naxhi Zejn el-Din 59

7. “Ahval ve athar-i khushnavisan” nga Mehdi Bajani (pjesa mbi shkrimin naskhi)


Një shtjellim i hollësishëm i këtyre veprave do ta hiqte çdo hije dyshimi. Andaj, Ibn Muklah vetëm u përpoq t’i përsoste gjashtë llojet e shkrimit (ndër të cilat edhe shkrimi naskhi) që në kohën e tij kishin dyqind vjet që përdoreshin.60 Një studim i veprave të mësipërme dhe i dorëshkrimeve të Kur’anit në bibliotekat dhe në muzetë që i përmendëm më lartë, na sjell në përfundimin se shkrimi naskhi buronte nga shkrimi kufik, dhe jo nga shkrimi nabatean, siç pretendojnë disa.


5. Dorëshkrimet që u mveshen Imamëve, Sahabeve dhe Tabiinëve


Fatmirësisht, sot akoma ekzistojnë disa dorëshkrime të Kuranit, të cilat datojnë nga koha e sahabeve të Profetit. Ndonse nuk mund të vërtetohet se sa është i saktë pretendimi se u takojnë personave, të cilëve u mveshet, është fakt se në mesin e tyre ekzistojnë dorëshkrime të Kur’anit, të cilat i takojnë periudhës së sahabeve të Profetit, disa prej të cilëve jetuan deri në fund të shekullit të parë pas Hixhrit.61


Përmbledhjet që i mveshen Imam Hasanit


Në mesin e përmbledhjeve që u mveshen sahabeve të Profetit, përveç Osmanit dhe Aliut që i përmendëm më sipër, janë edhe tre përmbledhje që i mveshen Imam Hasanit. E para prej tyre ruhet në koleksionin e tyrbes së Imam Riza-së (Astana-i Kuds-i Radavi), ku e mban numrin rendor 12 dhe përmban tekst nga “xhuzi” njëzet e tre deri në xhuzin njëzet e pesë të Kur’anit, në 122 fletë prej lëkurës së drerit.62 Në shkrimin kufik, mbi kopje janë të shënuara fjalët “El-Hasan ibn Ali ibn Ebi Talib” dhe data 41 pas Hixhrit. Në faqen e parë ka një dedikim (vakifname) për Shah Abbas Safaviun, me nënshkrim të Shejh el-Bahaiut, i cili ia mvesh këtë Kur’an Imam Hasanit.


Përmbledhja e dytë është ajo që ruhet mbi varrin e Aliut në Nexhef.63 Të tretën, të shkruar në dhjetë fletë prej lëkurës së drerit, e kam parë personalisht në bibliotekën e Mahmud Farukh Khurasaniut. Me shumë gjasa, ky dorëshkrim është akoma në pronësi të familjes së tij. Ai fillon me vargun e dymbëdhjetë të kapitullin Nisa dhe mbaron me vargun e shtatë të kapitullit Teube. Në të mund të shihet edhe nënshkrimi i Hasan ibn Abbas el-Safaviut dhe Ismail el-Musavi el-Hasaniut, që nënkupton se edhe këta dy persona e kanë patur mundësinë ta shohin këtë dorëshkrim.64 Nuk është aq e pamundur që ky dorëshkrim i tretë të ketë qenë pjesë e Kur’anit që gjendet në tyrben e Imam Riza-së në Meshhed ose ai atij që është tek varri i Imam Aliut, prej nga mund të jetë shkëputur. Dorëshkrimi në pronë të Ustad Mahmud Farukhut nuk ka më shumë se dhjetë fletë dhe nuk ka mundësi të përbëjë gjashtë xhuze të Kur’anit, gjegjësisht nga xhuzi i katërt deri në xhuzin e dhjetë. Me shumë gjasa, ai përbëhet nga fletë të këputura të Kur’anit, të cilat i mveshen Imamit por që janë përmbledhur dhe lidhur pa kujdes për renditjen.


Përmbledhja e Imam Husejnit


Kjo përmbledhje përbëhet nga 41 fletë mbi lëkurë dreri, me shkrim kufik dhe fillon prej vargut 72 të kapitullit Kehf dhe zgjatet deri tek vargu i fundit i kapitullit Ta Ha.65 Secila nga faqet e kësaj përmbledhjeje me dimensione të vogla ka nga shatë rreshta. Numri serik i kësaj përmbledhjeje është 14.


Përmbledhja e Akaba ibn Amir-it


Kjo përmbledhje është e shkruar me shkrim kufik në vitin 52 pas Hixhrit nga Akaba ibn Amiri, një sahabe i Profetit, i cili jetoi në Damask. Ai u emërua guvernator i Egjiptit në vitin 44 pas Hixhrit nga Muavije ibn Ebu Sufjani dhe vdiq atje në vitin 56 pas Hixhrit. Ai e recitonte Kur’anin me një zë të bukur.66 Në veprën “Takrib el-Tahdhib”, për sundimin e tij në Egjipt thuhet se zgjati tri vite dhe thuhet se ai ishte një dijetar dhe njohës i ligjit (fakih). Sujuti, në veprën “Husn el-muhadarah” shkruan: “Ai ishte një recitues (kari) i rrjedhshëm dhe një fakih në mesin e sahabeve.” 67

Ky Kur’an ruhet në “Thesarin e Amaneteve” në bibliotekën e pallatit Topkapi në Stamboll dhe e mban numrin 40. Mikrofilmi i tij, me numrin rendor 10, ekziston në Mahad el-Makhtutat el-Arabijja në Kairo.68


Përmbledhja e Khadixh ibn Muavijes


Një përmbledhje tjetër ekziston në shkrimin maghribi, e përpiluar nga Muavije ibn Salamah el-Ensari, i cili dihet saktë se nuk është babai i sahabes së njohur me emrin Rafi ibn Khadixh, sepse gjyshi i Rafiut (pra babai i Khadixhit) është Adiu, ndërkohë që babai i këtij Khadixhi (siç thotë emri) është Muavije.69 Khadixhi e përfundoi përmbledhjen në vitin 47 pas Hixhrit në qytetin Kajravan, për Emirin Akabe ibn Nafi el-Fahri. Kjo kopje ruhet në “Thesarin e Amaneteve” në Stamboll, me numrin 44. Mikrofilmi i kësaj kopjeje, me numër rendor 9, ruhet në Ma’had el-Makhtutat el-Arabijjah, në Kairo.


Përmbledhja e Imam Zejn’ul-Abidinit


Kjo përmbledhje i mveshet Imam Sexhxhad Zejn’ul Abidin Ali ibn Husejnit dhe ruhet në bibliotekën e tyrbes së Imam Riza-së, me numrin rendor 15. Ajo përbëhet nga fletë prej lëkurës së drerit me dimensione 30x20 cm, fillon me vargun 180 të kapitullit Bakara dhe vazhdon deri në fund të Kur’anit. Përgjatë shekujve, fletët origjinale u ngjitën me njëra-tjetrën dhe margjinat e faqeve u zbardhën.


Përmbledhja e Imam Sadikut


Kjo përmbledhje që i mveshet Imam Xhafer ibn Muhammed el-Sadikut ruhet në “Thesarin e Amaneteve” në bibliotekën e pallatit Topkapi në Stamboll dhe e mban numrin rendor 39. Mikrofilmi i tij, i cili e mban numrin 11, gjendet në Ma’had el-Makhtutat el-Arabijja.70


Përmbledhja e Imam Musa ibn Xhaferit


Përmbledhja që i mveshet Musa ibn Xhaferit përmban vargje që fillojnë nga vargu 265 i kapitullit Bakara dhe mbarojnë me vargun 84 të kapitullit Al-i Imran. Kjo përmbledhje është e shkruar në fletë mesatare oktavo dhe secila faqe ka nga 6 rreshta. Përmbledhja ruhet në tyrben e Imam Riza-së dhe e mban numrin serik 20. Ajo iu dhurua tyrbes nga Shah Abbas Safeviu. Në të kaluarën, margjinave të faqeve të këtij Kur’ani të shkruar mbi lëkurë, iu shtua letër e trashë me të njejtën ngjyrë.


Përmbledhja e Imam Riza-së


Përmbledhja që i mveshet Imam Riza-së e mban numrin 86 në bibliotekën e tyrbes së Imam Riza-së në Mesh’hed. Në të përfshihet një pjesë e Kur’anit71, e shkruar në fletë nga lëkura e drerit në madhësi oktavo, me nga 16 rreshta në një faqe.


Përveç përmbledhjeve të mësipërme, ka edhe shumë përmbledhje të lashta me shkrimin kufik, disa prej të cilave nuk kanë shenja si “medd” dhe “sheddah”, të cilat filluan të përdoreshin në shkrimin kuranor vetëm më vonë. Shumica prej tyre kanë pika të kuqe në vend të shenjave diakritike (irab) që përdoren sot, sepse ajo ishte mënyra e shkrimit të zanoreve para se të fillonte përdorimi i shenjave diakritike. Shumica e tyre nuk e kanë emrin e shkruesit dhe datën e përmbledhjes sepse pjesa më e madhe e faqeve të tyre janë humbur ose janë ndarë në disa pjesë. Dorëshkrime të tilla, të cilat janë të shumta nëpër muzetë rreth e përqark botës, janë shkruar (sipas mendimit të ekspertëve që i kanë hulumtuar) kryesisht ndërmjet shekullit të dytë dhe të katërt pas Hixhrit (ndërmjet shekullit të tetë dhe dhjetë të erës sonë), kur shkrimi naskhi nuk e kishte zëvendësuar akoma shkrimin kufik. Shembuj të çmueshëm të këtyre dorëshkrimeve mund të shihen në koleksionet e tyrbes së Imam Riza-së, në Muzeun Bastam të Iranit, në muzeun e tyrbes në Kum, në bibliotekën dhe në muzeun e Shirazit dhe në “Kitabhanej-i Vaziri” në Jezd


Kopje në shkrimin kufik ndërmjet shekullit të dytë dhe të katërt


Përmbledhja me numër 11 në bibliotekën e tyrbes së Imam Riza-së (Astane-ji Kuds-i Radavi) është një shembull i tillë. Ai përbëhet nga 133 fletë në lëkurë dreri72 dhe daton nga vitet e para të shekullit të tretë pas Hixhrit. Një shembull tjetër, i cili është i plotë, është ai që Shah Abbasi ia dhuroi tyrbes së Imam Riza-së dhe i cili e mban numrin 42 në librarinë e tyrbes. Shkrimi i këtij Kur’ani u mveshet Imamëve të Ehl-i Bejtit. Ka gjithashtu edhe një përmbledhje me numrin rendor 31 në bibliotekën e tyrbes. Kjo kopje ka 545 fletë në madhësi oktavo dhe e përfshin të tërë Kur’anin, të shkruar në shekullin e dytë ose të tretë pas Hixhrit. Përveç këtij, ekziston edhe Kur’ani që e mban numrin rendor 38 në tyrben e Imam Riza-së dhe që i takon shekullit të tretë pas Hixhrit.73


Përmbledhjet e vjetra


Siç thamë, përmbledhjet e shekujve të hershëm, po të mos i numërojmë ato që u mveshen Imamëve dhe dy përmbledhjet që u shkruan nga Akaba ibn Amiri dhe Khadixh ibn Muavije, janë pa emrin e shkruesit dhe pa datën e shkrimit.


Kur’ani më i vjetër i këtij lloji, i cili e ka edhe datën e shkrimit, sipas informatave të autorit të këtyre rreshtave, është ai që e mban numrin rendor 162 në Kumm, me datë të shkrimit vitin 198 pas Hixhrit. Ky dorëshkrim është në stilin kufik dhe me madhësinë khishti.


Një përmbledhje tjetër është ajo e shkruar nga Ibn Muklah (272-939 hixhri) dhe gjendet në muzeun e Heratit.74 Një përmbledhje tjetër, e shkruar nga Ali ibn Hilali, i njohur edhe si Ibn el-Bavvab (vdekur 432 pas Hixhrit), e mban datën 391 dhe ruhet në Chester Beatty Library në Dublin.


Përveç kësaj, edhe një përmbledhje ekziston në thesarin e tyrbes së Imam Riza-së (Astane-ji Kuds- Radavi), e cila u dhurua nga Ebu’l-Kasim Mansur ibn Ebu’l Husejn Muhammed ibn Ebu Mensur Kethiri në vitin 393 pas Hixhrit. Vendlindja e Ebu’l-Kasimit është Herati dhe gjyshi i tij Ahmedi është nga Kaini. Babai i tij Ebu’l-Husejn Kethiri ishte këshilltar nën sunduesit samanidë dhe el-Esmaiu e ka lëvduar mjaft. Ebu’l-Kasim Mensuri vetë ishte këshilltar pranë Sulltan Mahmud Gazneviut. Sipas asaj që përcjell Bejhakiu, ai ishte këshilltar i luftës (divan-e ard) gjatë sundimit të Sultan Mesudit, i cili këshillohej me të në lidhje me çështjet ushtarake. Më vonë, ai u bë ministër i mbrojtjes (sahib-i divan) në Khurasan.75


Një përmbledhje jo e plotë, e shkruar në vitin 410 pas Hixhrit nga Ali ibn Ahmed el Varraku për Hadinen, kujdestaren e el-Muiz ibn Badis el-Maghribiut, është tani në muzeun e Tunisit.76


Gjithashtu ka një përmbledhje në koleksionin e tyrbes së Imam Aliut në Nexhef, e cila është shkruar nga Ali ibn Muhammed el Muhaddithi, në vitin 419 pas Hixhrit në Rej.77 Një përmbledhje tjetër është ajo e shkruar në stilin maghribi me shkronja të arta në vitin 400 pas Hixhrit, që ruhet në bibliotekën e John Wilander-it, në Manchester të Anglisë.78


Ekziston gjithashtu një përmbledhje në tyrben e Imam Riza-së (Astane-ji Kuds-i Radavi), të cilën Ebu el-Bereketi ia dhuroi tyrbes në Ramazan të vitit 421 pas Hixhrit, nëpërmjet Ebu Ali Havvulahut. Ky i fundit, të dhënat biografike të të cilit janë përcjellur nga bashkëkohësit e tij si el-Thalabi në veprën “Tatimmat el-Jatimah” dhe el-Bakharziu në veprën “Dumjat el-kasr”, ishte një këshilltar mjaft i ditur shiit i dinastisë dejlamite dhe shërbeu për një kohë të gjatë si “divan-i resail” i Mexhd el-Devle el-Dejlamiut. Kur e pushtoi Rejin në vitin 420 pas Hixhrit, Sulltan Mahmud Ghazneviu e nderoi Ebu Aliun dhe e mori me veten në Ghazne, për ta bërë këshilltar të vetin. Gjatë sundimit të Sulltan Mesudit, ai ishte sërish në pozitën “divan-i resail”-it. Ebu Aliu pati një jetë të gjatë.79


Një përmbledhje jo e plotë e Kur’anit gjendet në Muzeun Britanik (British Museum). Ajo është e shkruar në stilin naskhi nga Ebu’l-Kazim Said ibn Ibrahimi në vitin 427 pas Hixhrit. Kjo përmbledhje u mbulua me një kopertinë nga Naxhi ibn Abdullahu. Ka dy pjesë jo të plota të Kur’anit në bibliotekën e El-Azharit në Kairo dhe në fund të kopjes së dytë, viti i përfundimit të shkrimit është dhënë si viti 465 pas Hixhrit.81


Në koleksionin e tyrbes së Imam Aliut në Nexhef ka edhe një përmbledhje tjetër të shkruar dhe të mbuluar me kopertinë në vitin 432 pas Hixhrit, nga Zejd ibn el-Ridha ibn Zejd el-Alevi.82

Kohëve të fundit (përkthyesi: flitet për vitet e nëntëdhjeta), pjesë të një përmbledhjeje të veçantë të shkruar nga Osman bin Husejn el-Varraku në vitin 466 pas Hixhrit, u zhvarrosën në rrethinat e tyrbes së Imam Riza-së. Secila nga këto pjesë ishte e mbuluar me kopertina prej ari dhe ruhet në koleksionin e tyrbes së Imam Riza-së.


Dorëshkrimet e përshkruara më sipër janë të përmbledhjeve të shekujve të parë të Islamit. Përmbledhjet pa datë të shekullit të pestë dhe më vonë janë aq të shumta sa për përshkrimin e tyre do të duhej një vepër voluminoze. Nëse jeta dhe puna ma japin mundësinë, do ta bëjmë përmbledhjen e tyre në një artikull tjetër, me ndihmën e me dëshirën e Zotit të Madhëruar.


SHËNIME:


1. Shumica e biografëve të Profetit i kanë përmendur pak a shumë emrat e shkruesve të Shpalljes. Dr.Ramjari, në veprën “Historia e Kur’anit”, në faqen 66, ka përmendur dyzet prej tyre. Dr. Subhi el-Salim, në veprën “Mabahith fi ulum el-Kuran”, në faqen 69, ia mvesh numrin maksimal prej dyzet vetësh Blachere-it. Dr.Huxhxheti, në veprën e tij “Historia e Kur’anit”, në faqen 203 i përmend emrat e dyzet shkruesve të Shpalljes. Për numrin dhe emrat e shkruesve të Shpalljes, siç është përcjellur në burimet e ndryshme, mund të shihet faqja 324 e kësaj vepre.

2. Kjo është ajo që përmendet në veprën “El-Fihrist” por duhet të ketë qenë Zejd bin Thabiti. Po kështu, në më shumë burime përmendet Sa’d bin Ubejdi. Shih veprën “El-Isabah”

3. Ibn el-Nedim, “El-Fihrist”, Kairo, el-Mektebat el-Tixharijjeh, fq.47

4. Sahih el-Bukhari, “Kitab fadai’al-Kur’an”, bab el-kurra min ashab el-Nebi”

5. Sahih el-Bukhari, “Kitab fadai’al-Kur’an”, bab el-kurra min ashab el-Nebi”

6. El-Zarakshi, el-Burhani, botuar nga Isa el-Babi el-Halebi, Kairo, fq.241

7. El-Fihrist, fq.45,46

8. El-Temhid, vëll.2, fq.247

9. Tarikh el-Jakubi (përkthimi persisht), vëll.2, fq.15

10. El-Fihrist, fq.45

11. Për shembull “Ta Sin Sulejman”, “Ashab el-Haxhar”, “El-Taharah” ose “Elif Lam Mim” te përmbledhja e Ubajj ibn Kabit dhe “El-havarijjun”, “El-Kijama” dhe “Inshakkat” në përmbledhjen e Ibn Mesudit.

12. Sahih el-Bukhari, “Kitab fadai’al-Kur’an”, bab xhem el-Kur’an; Ibn Ethiri në veprën “Kamil el-Tavarikh” dhe në veprat e tjera të historisë dhe biografisë. Shih gjithashtu “El-Fihrist” të Ibn el-Nedimit, përkthimi persisht, fq.41

13. Tarikh el-Jakubi, përkthimi persisht, vëll.2, fq.15

14. Sahih el-Bukhari; “El-iktan” e Sujutiut, “El-burhan” e Zarakashiut, vëll.1, fq.240; Tarikh el-Jakubi, botimi Nexhefit, vëll.2, fq.147; “Mabahith fi ulum el-Kuran”, fq.78

15. Sahih el-Bukhari dhe “El-burhan” e Zarakshiut, vëll.1, fq.236

16. El-Masahif, fq.24

17. Mabahith fi ulum el-Kur’an, botimi i tetë, fq.82

18. El-Masahif fq.15, Tarikh el-Jakubi, vëll.2, fq.47

19. Numri i tyre është nëntë sipas Jakubiut, në vëllimin e dytë, fq.147, pesë sipas Sujutiut në veprën el-Iktan, tetë sipas Ibn el-Xhevzit. Subhi el-Salih në veprën “Mabahith fi ulum el-Kuran, në faqen 84, i përcjell fjalët e Ebu Amr el-Daniut, sipas të cilit ishin katër kopje. Ai gjithashtu e përmend hadithin, sipas të cilit ishin shtatë kopje.

20. Muxhaz alum el Kur’an, fq.166

21. Muxham el-buldan, Bejrut, vëll.2, fq.469

22. Marëë nga “El-Temhid, fq. 299 dhe “Subhi el-Salih”, fq.90

23. Sefernameh ibn El-Battutah, përkthimi persisht, vëll.1, fq.87

24. Khutat el-Sham, vëll.5, fq.219

25. “Tarikh-i Kur’an” nga Dr.Ramjar

26. Citim i Ramjarit nga vepra “Shkollat islame të tefsirit”, duke përcjellur nga vepra “Kitabel-hakika ve el-mexhaz” e Nablusiut.

27. Nga “Kazanova”, siç përcillet nga Ramjari

28. “Tarikh-i Kur’an” nga Ramjari, fq.106

29. Mabahith fi ulum el-Kur’an, fq.88

30. Ibid, sipas asaj që përcillet nga “Khutat el-Sham”, vëll.5, fq.279

31. “Ravdat el-safa”, vëll.6, fq.372

32. Ibid.

33. “Tarikh el-Jakubi”, vëll.2, fq.113; “Tefsir el-Kummi”, fq.745; “El-Fihrist” nga ibn el-Nedimi

34. “El-Fihrist” nga Ibn el-Nedimi, fq.47

35. “El-tashil fi ulum el-tenzil” nga Ibn Xhuzajji, fq.4, botuar në Beirut; “El-burhan fi ulum el-Kur’an” nga Zarakshiu, vëll.1, fq.242, 238

36. Siç përcillet në “El-Temhid” nga vepra “Bihar’ul-Enver” e Mexhlisiut

37. Ai e shkroi veprën “El-Fihrist” në vitin 377 pas Hixhrit

38. El-Fihrist, fq.47

39. Shih “Rijad el-Ulema”, vëll.5, fq.533

40. “El-mevaiz ve’l-itibar bi dhikr el-khtitat ve’l-athar”, vëll.2, fq.252

41. Shih artikullin e autorit në lidhje me bibliotekat islame

42.Shih “Fihrist Makhtutat el-Ravdat el-Hajdarijjah”, fq.14

43. Pjesa e fundit mbështetet në informatat e siguruara nga miku im i nderuar Sejjid Musa Zenxhani (Shabbiri)

44. Rahmane-ji Ganxhije-ji Kur’an, fq.3

45. Lista e mikrofilmeve të Mahad el-Makhtutat

46. Një përmbledhje kuranore që i mveshet Aliut ekziston edhe në muzeun e Shirazit, por ngase nuk kam njohuri të hollësishme për të, nuk e kam përmendur. Një Kur’an tjetër që i mveshet Aliut ekziston në bibliotekën e San’a-së në Jemen, për të cilin kam kuptuar nëpërmjet mikut tim Sejjid Ahmed Ashkavari

47. Shih “El-Temhid”, vëll.1, fq.226

48. Në përmbledhjen Nehxhul Belaga, në pjesën e thënieve, përcillet se këto gjëra ia ka thënë sekretarit të tij Ubejdullah ibn Ebi Rafiut

50. “El-Fihrist nga Ibn el-Nedimi

51. “El-Temhid”, vëll.1, fq.355

52. Shkrimi kufik dhe shkrimi naskhi buruan nga alfabeti nabatean dhe ai siriak thuase një shekull para Hixhrit (Dairat el-maarif musahib, vëll.1, faq.908)

53. “Tarikh el-Kur’an” nga Ramjari, fq.117

54. Ibid.

55. El-Bejhaki në “Shu’ab el-iman”, siç përcillet nga Ramjari në “Tarikh-i Kur’an”, fq.141

56. Tarikh el-tiba’ah fi el-shark

57. Në vitin 1121 pas Hixhrit, shkronjat arabe filluan të përdoreshin në shtyp (Tarikh el-tiba’ah fi el-shark”)

58. Si mus’hafi në muzeun e Heratit në Afganistan. Shih “El-Khatt el-arabi el-islami”, fq.155 dhe “El-khattat el-baghadi”, fq.16

59. Në këtë vepër janë përmendur 249 libra, trajtesa dhe artikuj dhe është pajisur me 757 faksimile të veprave të kaligrafëve të mirënjohur. U botua në vitin 1388 në Bagdad.

60. Dairat el-mearif musahib

61. I fundit nga sahabet e mbijetuar të Profetit ishte Ebu Tufejli (Amir ibn Vathilah), i cili vdiq 110 vjet pas Hixhrit. Emrat e sahabeve të fundit të mbijetuar të Profetit në vende të ndryshme janë përmendur në veprën “Ilm el-hadith” të këtij autori.

62. Rahname-ji ganxhije-ji Kur’an

63. Fihrist makhtutat el-ravdat el-hajdarijjah, fq.15

64. Husejn ibn Abbas el-Hasani el-Safavi Bahidur Khan e pati nderin ta shihte këtë mus’haf të shenjtë dhe fisnik. Ismail el-Musavi el-Hasani el-Safavi Bahadur Khani e pati nderin ta shihte këtë mus’haf më 27 Rexheb 9... (viti është humbur si pasojë ngjitjes së librit). Mr. Farukhu shkruan: “Ajo që di është se ky Kur’an ka qenë në bibliotekën e Mirza Askeriut, imamit të namazit të xhumasë. Gjyshi im, Mirza Husejn Xhevahiriu, e bleu atë nga pasardhësit e Mirza Askeriut dhe tek unë arriti nëpërmjet babait tim Sejjid Ahmed Xhevahiri. Kjo kopje është tani në pronësinë time.

65. Rahmana-ji Ganxhije-ji Kur’an, fq.8-13

66. “Tahdhib el-esmad” nga El-Neveviu, vëll.1, fq.336

67. Husn el-muhadarah, vëll.1, fq.220

68. “Thesari i Amaneteve” është një pjesë e së bibliotekës së Pallatit Topkapi, e cila mirëmbahet në mënyrë të pavarur.

69. “Takrib el-Tahdhib” nga Ibn Haxhar el-Eskalani

70. Do të ishte shumë me vend që biblioteka Astina-ji Kuds-i Radavi të marrë mikrofilme dhe fascimile të këtij dhe të dorëshkrimeve të tjera në biblioteka të huaja, për t’ua shfaqur të interesuave për reliket e familjes së Profetit dhe për publikun e përgjithshëm.

71. I përmban kapitujt Nur, Kasas, Ankebut, Rum, Llukman, Sexhde, Ahzab, Mumin, Fussilet, Xhathije, Ahkaf, Vakia dhe Hadid

72. Ngase lëkura e drerit është e bardhë, delikate dhe me përmbajtje të ulët dhjami, ajo përdorej për shkrime. Si pasojë, shumica e dorëshkrimeve të lashta definohen si dorëshkrime mbi “lëkurë dreri”, ndonse lëkura e qengjit, e cila ishte e disponueshme në sasi shumë më të mëdha, i kishte të njejtat cilësi. “Xhefr” ose “Xhefr-i ebjad” ishin gjithashtu fletë nga lëkura e qengjit, të cilat përdoreshin për shënimin e diturive të shenjta në pronësi të Ehl-i Bejtit. Shih nën kapitullin “xhefr” tek Maxhma el-bahrejn.

73. Shih faksimilin nr.60 tek vepra “Tarikh el-Kur’an” e Dr.Huxhxhetiut

74. Shih “Khatt el-Arabi el-Islami” nga Turki Atijjah, fq.155; “El-Temhid”, fq.358

75. “Rahname-ji ganxhije-ji Kur’an”, nga “Lugatname-ji Dehkuda”

76. “Tarikh el-Kur’an” nga Dr.Huxhxheti, ilustrimi nr.79

77. Fihrist Makhtutat el-ravdat el-hajdarijjah, fq.14

78. Shih “Mustashrikun”, vëll.2, fq.466

79. “Rahname-ji ganxhije-ji Kur’an”, nga shënimet në margjinat e veprave Rahat el-Sudur, el-Nakddhe Tarikh el-Bejhaki.

80. “Tarikh el-Kur’an” nga Dr.Huxhxheti, ilustrimi nr.80

81. Vepra “Jaddashta-ji sefer-i misr

82. Fihrist makhtutat el-ravdat el-hajdarijjah, fq.15


FUND