Lindja e Ali ibn Ebu Talibit (a.s)
Sejjid Ali Asghar Razvi
23.05.2013

Teksti i mëposhtëm është një fragment nga vepra "Ritregimi historisë së Islamit dhe muslimanëve"
(http://dielli.net/lexo.php?id=73)


 Aliu u lind në ditën e trembëdhjetë të muajit Rexheb, në vitin e tridhjetë pas “vitit të Elefantit”, që përkon me vitin 600 të erës sonë. Kushëriri i tij, Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), i kishte mbushur të tridhjetat tashmë. Prindërit e Aliut ishin Ebu Talibi, djali i Abd’ul-Muttalibit dhe Fatimeja, e bija e Esadit, që të dy nga Hashimitët.


Aliu lindi brenda Qabes në Mekke. Historiani i famshëm Mesudiu, “Herodoti i arabëve”, në faqen 76 të vëllimit të dytë të librit të tij “Muruxh’udh-Dheheb” shkruan se njëra nga cilësitë unike të Aliut ishte fakti se kishte lindur brenda Shtëpisë së Zotit. Edhe disa dijetarë të tjerë e kanë konfirmuar lindjen e tij në Qabe:


1-      Muhammed ibn Talha el-Shafi’i në veprën “Matalib’us-saul”, fq.11


2-      Hakimi në veprën “El-Mustadrak”, vëll.3, fq.483


3-      El-Umariu në veprën “Sherh ainia”, fq.15


4-      Halabiu në veprën “Sira”, vëll.1, fq.156


5-      Sibt ibn el-Xheuziu në veprën “Tadhkera Khavasil Ummah”, fq.7


6-      Ibn Sabbagh Melekiu në veprën “Fusul’ul-muhimme”, fq.14


7-      Muhammed ibn Jusuf Shafiu në “Kifajet el-Talib”, fq.261


8-      Shablanxhiu në veprën “Nur’ul-Ebsar”, fq.76


9-      Ibn Zehraja në veprën “Ghijatu’l-Ikhtisar”, fq.97


10-  Edviu në “Nafhatul Kudsia”, fq.41


Nga historianët modernë, Abbas Mahmud el-Akkad nga Egjipti, në veprën e tij “El-Ekberrijet el-Imam Ali” (botuar në Kairo, 1970), shkruan se Ali ibn Ebu Talibi u lind brenda Qabes. Një historian tjetër bashkëkohor, Mahmud Said Tantaviu, nga Këshilli Suprem i Çështjeve Islame të Republikës Arabe të Egjiptit, në faqen 186 të librit të tij “Min Fada-il el-Ashrat el-Mubashirin bil Xhenne”, të botuar në vitin 1976 nga Matab el-Ahram et-Tixharijja në Kairo, shkruan:


“Zoti e mëshiroftë Ali ibn Ebu Talibin. Ai lindi brenda Qabes. Ai ishte dëshmitar i rritjes së Islamit, dëshmitar i përpjekjeve të Muhammedit dhe dëshmitar i Shpalljes. Ai menjëherë e pranoi Islamin ndonëse ishte fëmijë dhe gjatë gjithë jetës luftoi që fjala e Zotit të sundonte mbi dhé..”.


Një poet arab i shkroi vargjet e mëposhtme në lidhje me lindjen e Aliut:


Ai është njeriu për të cilin Shtëpia e Zotit u bë shtëpi lindjeje.
Dhe ai është që i hodhi idhujt prej kësaj shtëpie...


Aliu është personi i parë dhe i fundit që është lindur në Qabe.


Tek arabët ekzistonte tradita që fëmija i sapolindur të vendosej tek këmbët e idhullit ose idhujve të fisit, duke ia dedikuar kështu fëmijën perëndisë pagane. Të gjithë fëmijët arabë i ishin “dedikuar” një perëndie pagane përveç Ali ibn Ebu Talibit. Kur fëmijët e tjerë arabë lindën, ndonjë politeist erdhi dhe i mori në krahë. Kur lindi Aliu, ishte Muhammedi, vetë i Dërguari i Zotit, i cili erdhi deri në Qabe, e mori në krahë dhe ia dedikoi këtë foshnje Zotit të vetëm. Profeti i ardhshëm mbase e dinte se foshnja që mbante në krahë, një ditë me shpatën e tij do ta dëbonte idhujtarinë nga Arabia.


Lindja në Qabe është vetëm njëri nga bekimet që Zoti ia fali Aliut. Një cilësi tjetër e tij është fakti se ai kurrë nuk i adhuroi idhujt paganë të arabëve. Kjo përsëri e bën atë unik sepse të gjithë arabët kishin adhuruar ndonjë idhull pagan përpara se të konvertoheshin në Islam. Për këtë arsye Aliu shpesh cilësohet si ai, “të cilit Zoti ia ndriçoi fytyrën” (arab. Keremull’llahu vexh’he). Fytyra e tij ishte pa dyshim e nderuar sepse ishte e vetmja fytyrë që nuk u përkul përpara një idhulli të rremë.


Aliu ishte fëmija më i ri në familje. Nga tre vëllezërit e tij, Talibi dhe Akili ishin shumë vite më të vjetër se ai, ndërsa Xhaferi ishte dhjetë vjet më i madh.


Lindja e Aliut e mbushi me lumturi zemrën e të Dërguarit. Ky fëmijë kishte një vend të veçantë tek ai. Në fund të fundit, Muhammedi kishte shumë kushërinj të tjerë, madje vetë Aliu kishte edhe tre vëllezër. Por Muhammedit nuk i interesonte asnjëri prej tyre. Aliu dhe vetëm Aliu e gëzonte interesimin dhe dashurinë e tij.


Kur Aliu ishte pesë vjeç, Muhammedi e adoptoi atë dhe që nga ai çast, ata nuk u ndanë më nga njëri-tjetri.


Sipas një rrëfimi, asokohe kishte një thatësirë në rrethinat e Mekkes dhe Ebu Talibi, i cili po përjetonte ca vështirësi ekonomike, po përpiqej me vështirësi ta ushqente familjen. Muhammedi ndjeu se duhej t’ia lehtësonte barrën xhaxhait të tij dhe prandaj e adoptoi Aliun.


Është e vërtetë se Profeti e adoptoi Aliun por arsyeja nuk është ajo që u tha më sipër. Në radhë të parë, Ebu Talibi nuk ishte një njeri aq i varfër sa të mos mund ta ushqente një fëmijë pesëvjeçar. Ai ishte një person me autoritet dhe pasuri, karvanët e të cilit udhëtonin nga Hixhazi drejt Sirisë dhe Jemenit. Kur të mendohet më thellë, ushqimi i një djali pesëvjeçar vështirë se do të bënte dallim për një njeri, i cili i ushqente edhe të huajt kur ishin të uritur.


Muhammedi dhe Hatixheja e adoptuan Aliun pas vdekjes së djalit të tyre. Me këtë, Aliu e mbushi një zbrazëtirë që u ishte krijuar në jetë. Por Muhammedi, Profeti i ardhshëm i Zotit, kishte edhe një arsye për ta adoptuar Aliun. Ai e zgjodhi atë për ta rritur dhe për ta edukuar ashtu si duhej, që të ishte i gatshëm për përgjegjësinë e madhe që do të duhej ta bartte mbi supe në të ardhmen. Dr. Taha Hussein nga Egjipti thotë se i Dërguari i Zotit u bë udhërrëfyesi i Aliut, edukuesi dhe mësuesi i tij, një cilësi që askush tjetër nuk e ndan me të.


Në lidhje me Islamin thuhet shpesh se është e vetmja nga fetë botërore, e cila u rrit në dëshmi të plotë të historisë dhe se pikërisht për këtë arsye, nuk ka asnjë pjesë të historisë së saj që është e errët dhe e panjohur.


Bernard Lewis:


Në një ese në lidhje me Muhammedin dhe origjinën e Islamit, Ernest Renan thotë se për dallim nga fetë e tjera që e kishin misterioze zanafillën, Islami lindi në dëshmi të plotë të historisë. “Rrënjët e tija janë në sipërfaqe dhe jeta e themeluesit të tij është po aq e njohur për ne, siç janë edhe jetët e Reformatorëve të shekullit të gjashtëmbëdhjetë..”. (“Arabët në histori”, botuar 1960)


 


G.E. Von Grunebaum


Islami përfaqëson një rast të rrallë të zhvillimit të një feje botërore në dëshmi të plotë të historisë... (“Islami”, botuar 1960)


Në po të njëjtën mënyrë, mund të thuhet se nga të gjithë shokët dhe ndjekësit e Muhammedit, Aliu është i vetmi që u rrit në dëshmi të historisë. Nuk ka asnjë pjesë të jetës së tij që është e fshehur nga drita e historisë, qoftë kjo koha kur ishte foshnje, fëmijë, riosh, i rritur ose një burrë i moshuar. Përkundër kësaj, ndjekësit e tjerë të hershëm të Muhammedit dolën në skenën e historisë vetëm pas konvertimit të tyre në Islam dhe për jetën e tyre para Islamit dihen shumë pak gjëra ose asgjë fare. Aliu ishte i destinuar për të qenë dora e djathtë e Islamit dhe mburoja e Muhammedit. Fati i tij ishte i lidhur ngushtë me fatin e Islamit dhe me jetën e profetit të kësaj feje. Ai ishte i pranishëm në çdo ngjarje në historinë e kësaj lëvizjeje të re dhe gjithmonë luajti një rol qendror. Ishte ky një rol që nuk mund ta kishte luajtur askush tjetër përveç tij. Ai ishte imazhi i Muhammedit. Libri i Zotit, në vargun 61 të kapitullit të tretë, e quajti atë “shpirti” ose alter ego-ja e Muhammedit, me çfarë e shënoi emrin e tij të lavdishëm në horizontet e historisë.


Në vitet që do të vinin, kombinimi kreativ i Muhammedit dhe Aliut, i mjeshtrit dhe i nxënësit të tij, do ta zbrisnin “Mbretërinë e Qiejve” në hartën e tokës.