Aspekti gnostik i ndodhisë së Ashures
Ajetollah Dr. Riza Ramazani
08.11.2013

Imam Husejni (paqja qoftë mbi të), njësoj si të gjithë Imamët e tjerë të dëlirë, është një shembull i rëndësishëm për shoqërinë njerëzore. Gjithkush mund t’i japë një drejtim jetës së tij, nëse e studion me kujdes jetën dhe sjelljen e këtij Imami. Kjo mund ta çojë njeriun drejt një jetese të dëlirë, e cila më pas do ta çonte atë drejt lumturisë, si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën.


Shumë libra janë shkruar mbi Imam Husejnin (paqja qoftë mbi të) dhe çdo vit ka miliona njerëz që interesohen për të, që diskutojnë mbi këtë personalitet madhështor të botës islame dhe që i hulumtojnë me kujdes aspektet e ndryshme të  jetës së tij. Megjithatë, mbeten prapëseprapë shumë gjëra për të thënë, shumë të papërmendura dhe shumë aspekte të pastudiuara të jetës së tij, me të cilat mund të merret njeriu.


Në dashtë Zoti, në këtë atmosferë shpirtërore, do të merremi me shpjegimin e aspekteve gnostike të Ashures. Fillimisht duhet të qartësojmë se feja hyjnore ka një aspekt të jashtëm dhe një të brendshëm. Ai që dëshiron ta kuptojë realitetin e fesë, duhet domosdo t’i ketë parasysh të dy këto perspektiva. Gnosa (irfan) ose misticizmi ka një vend të rëndësishëm në Islam. Arritja më e madhe e njohurisë fetare është dashuria ndaj Zotit, gjegjësisht fakti se gjithçka në botë flet për ekzistencën e një Zoti të vetëm.


Dhe kthehu me besim drejt fesë së vërtetë, drejt natyrës së lindur (fitrah), në të cilën Zoti e krijoi njeriun. (Kur’an 30:30) 


Duke e komentuar këtë varg, Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: “Natyra e lindur (fitrah) është njëshmëria, sepse të gjithë njerëzit janë krijuar me të.”1  


Disa nuk kanë pranuar ta shfrytëzojnë këtë natyrë të lindur, duke i mbushur zemrat e tyre me mohim, idhujtari dhe hipokrizi. Këta njerëz ia kanë hequr vetes mundësinë për t’u rritur e për t’u lartësuar. Por Kur’ani, në mësimet e tija, thekson se Zoti e meriton dashurinë dhe se dashuria është e vendosur në natyrën e të gjithë njerëzve.


Në diskutimet e tija me njerëzit që e adhuronin diellin ose yjet, Ibrahimi tha: Nuk i dua ata që perëndojnë. Nga natyra e tij, ai e donte Zotin që i kishte krijuar qiejt e tokën, dhe Atij i nënshtrohej. Ai askënd nuk e shihte të barabartë me Të.


Aspekti gnostik i fesë është dashuria ndërmjet Krijuesit dhe krijesës, e cila i fal kësaj të fundit durim, kënaqësi, bindje, entuziazëm, pastërti, siguri, vetëbesim dhe afërsi me të vërtetën, të cilat janë të gjitha manifestime të Zotit. 


Edhe aspekti gnostik i ndodhisë së Ashures i ka karakteristikat e veta të veçanta. Ndonëse kjo ndodhi është pasqyruar në shoqëri më shumë si një lëvizje për vendosjen e drejtësisë e për t’i dhënë fund tiranisë, duhet të mos harrojmë se aspekti gnostik i kësaj ndodhie ka një pozitë dhe një vlerë të veçantë. Madje mund të thuhet se pikërisht ky aspekt gnostik e përbën themelin e aspekteve të tjera të ndodhisë së Ashures.  Disa nga ndodhitë e asaj dite nuk mund të shpjegohen ndryshe, veçse nëpërmjet këtij aspekti.


Ndërmjet Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) dhe Zotit të botëve, që është i Zoti dhe i Dashuri i tij, ekziston një marrëdhënie tejet e çuditshme, e mbështetur në dashurinë, që është vështirë të kuptohet nga njerëzit e rëndomtë si ne. Edhe në skenat më të vështira të kësaj ndodhie, Imami e pasqyron këtë marrëdhënie në lutjet dhe në dhikret e tija, veçanërisht në dhikrin  La havle ve la kuvvete il’la bil’lah alijjil adhim. Falë kësaj marrëdhënieje të fuqishme me Zotin, ai ishte i aftë t’i përballonte edhe fatkeqësitë më të vështira e më të ashpra me durim të palëkundur e me qetësi. Kjo është arsyeja përse edhe kur foshnja e tij gjashtëmujore u godit me shigjeta teksa ishte në duart e tij, ai tha: “Zoti im! Gjëja e vetme që ma lehtëson këtë dhimbje, është e vërteta se Ti je dëshmitar i gjithë kësaj.”2 


Imami ishte fundosur në dashurinë e Zotit me gjithë qenien e tij dhe çdo qelizë e tija ishte e mbrujtur me këtë dashuri. Me fjalë të tjera, ai e kishte arritur pozitën e asgjësimit në Zotin (fenafil’lah). Ai i mendonte vetëm gjërat që e kënaqnin Zotin dhe pikërisht për këtë arsye ishte gati që aq lehtësisht të flijonte gjithçka për Të.  Flijimi i vëllezërve, bijve, miqve e ndjekësve të tij nuk është tjetër veçse një pjesë e kësaj dashurie. Në një poezi që është përcjellur nga Imami, ai vetë thotë:


Gjithë njerëzit lashë nga dashuria për Ty
Familje e bij gjithë jetimë lashë veç për të të parë. 


Ajo që dëshmojnë librat e historisë është se kurdoherë që e gjeti një fatkeqësi, Imami kurrsesi nuk iu ankua Zotit dhe nuk vajtoi. Me çdo fatkeqësi, fytyra e tij vetëm sa ndriçohej edhe më shumë.


Poeti i famshëm Ummani Samani është nga ata që ndodhinë e Ashures e kanë trajtuar nga aspekti gnostik. Në poezitë e tija, ai e përshkruan Imam Husejnin (paqja qoftë mbi të) si një njeri të dehur nga dashuria hyjnore, që kërkon gjithë më tepër fatkeqësi në rrugë të të Dashurit dhe që është i gatshëm t’i durojë të gjitha për Të. Imami heq dorë lehtësisht nga gjithçka tjetër veç të Dashurit të tij dhe e sheh veten të asgjësuar në realitetin e të Dashurit e të Zotit të vet. Në betejën ndërmjet mendjes dhe dashurisë, ai e bën dashurinë të ngadhënjejë. Kur i thotë lamtumirë të motrës Zejnebes, në fjalët e tija ai e shpreh dëshirën për të mos patur kurrfarë pengese në rrugën drejt të Dashurit:


E përqafoi atë si shpirtin e vet
Pastaj një fjalë i përshpëriti në vesh
O pengesë e rrugës sime, a Zejnebja je?
A vallë psherëtimat e zemërdjegurve në natë?
Mos u bëj zinxhir mbi këmbët e dashurisë!
Është rrugë e të dashuruarve kjo, mos më ndal!3 


Të gjitha fatkeqësitë dhe të ligat, me të cilat u përball rrugës së tij, Imami i shihte si të fshehtat e miqësisë ndërmjet tij dhe Zotit. Gnostikët (urefa) që janë në rrugë të bashkimit, jo vetëm që nuk u ikin fatkeqësive por i shohin këto fatkeqësi si shenja të bekimit hyjnor, si shkaqet e dëlirësisë së shpirtit dhe si shenja të dëlirësisë e të sinqeritetit të veprave. Si pasojë e kësaj vlere të madhe dhe e shpërblimit hyjnor për to, njohësit e Zotit i mirëpresin këto fatkeqësi. Në disa hadithe, këto fatkeqësi dhe të liga janë përmendur si dhunti të Zotit për njeriun, të cilat i mundësojnë njeriut të lartësohet drejt Tij. Në lidhje me këtë temë, Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të) thotë: Kur Zoti e do një rob të vetin, atë e fundos në fatkeqësi.4


  Kjo është arsyeja përse në lutjet që i bënte në ditën e Ashures, Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) fliste për mirësitë e këtyre fatkeqësive që vinin nga Zoti i Madhëruar. Ai thotë: “O Zoti im, që të bollshme i ke dhuntitë e të bukur fatkeqësinë!”5 Në takimin e fundit me familjen e tij, ai i këshilloi të gjithë që të ishin të gatshëm për edhe më shumë dhimbje dhe vuajtje. Pastaj, duke folur për bukurinë dhe për fundin e mirë të këtyre gjërave, tha: “Zoti ka për t’i dënuar armiqtë tuaj me gjëma dhe vuajtje të ndryshme, ndërsa juve ka për t’ju shpërblyer me dhunti. Mos u ankoni dhe mos thoni fjalë që do ta ulin vlerën tuaj!6


 Trupi i një njohësi të Zotit (arif bil’lah) dhe e tërë qenia e tij janë të mbrujtura me përmendjen dhe me përkujtimin e Zotit. Ndërsa zemra i gufon me dashurinë për Zotin, ai gjithë kohës  e në çdo mundësi e lëvdon Atë dhe gjuhën e ka të zënë me shqiptimin e emrit të Tij. Në një fjalim të tij, që fillon me lëvdata ndaj Zotit, Imami thotë:


Zotin e lëvdoj me lëvdatat më të bukura. Atë e lëvdoj dhe Atij i falënderohem në begati e në mjerim.7 Në mëngjesin e ditës së Ashures, kur ushtarët e armikut nisën të vinin drejt tij, Imami u kthye drejt të Dashurit e të Zotit të tij dhe tha: Zoti im! Ti je mbështetja ime në çdo fatkeqësi.8


Edhe miqtë dhe ndjekësit e këtij lapidari të njohjes hyjnore, të drejtësisë e të heroizmit, kishin mësuar nga shkolla e tij se dashuria, nderi dhe lavdia e tyre fshihej në moslënien vetëm të Imamit të kohës së tyre dhe në arritjen e vdekjes më të bukur prej dëshmori bashkë me të. Të gjithë hapat e kësaj rruge ata i ndërmorën si një detyrë, si një mision hyjnor që duhej ta kryenin. Kur Zejnebja erdhi pranë kufomës së Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) dhe e vështroi trupin e tij të copëtuar, i ngriti duart drejt Zotit dhe tha: “Nuk pashë tjetër veçse bukuri.”9


 Ajo që deshëm të themi në gjithë këtë është se të kundruarit e Ashures në këtë dimension ka për të mundësuar që jetët tona të trajtësohen me të vërtetën, me përshpirtshmërinë dhe me njohjen e Zotit. Njohësi i Zotit gjithnjë e sheh veten në prani të Tij dhe e sheh të bukur gjithçka që ka urdhëruar Zoti, duke iu bindur plotësisht vullnetit të Tij.


Njëri brengën deshi e tjetri derman
Njëri bashkim deshi e tjetri mall
Unë brengë e derman desha, bashkim e mall
Veç pse i Dashuri deshi kështu.10 


Vetëm me një qëndrim të tillë, zemra e njeriut ka për ta arritur besimin dhe pozitën e të qenit i kënaqur, duke u bërë një manifestim i vargut vijues kur’anor:


O shpirt që gjeti prehjen! Kthehu te Zoti yt, i kënaqur dhe kënaqës! Hyr mes robërve të Mi! Hyr në parajsën time! (Kur’an 89:27-30) 


 


1: Enciklopedia e thënieve të Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), fq.485
2: po aty, fq.477
3: Umman Samani, Genxhinet’ul-Esrar, fq.62
4: Sefinetu’l-Bihar, vëll.1, fq.392
5: Maktel el-Husejn, fq.357
6: Enciklopedia e thënieve të Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), fq.491
7: po aty, fq.395
8: po aty, fq.414
9: Jeta e Imam Husejnit, vëll.2, fq.301
10: (përkth.) vargje nga Baba Tahiri, poet dhe gnostik i njohur iranian i shekullit të 11-të