Fragmente nga historia islam (pjesa I): Arabia para Islamit
Sejjid Ali Asgher Razvi
15.02.2014


Për ta shkarkuar regjistrimin zanor (në format .mp3), shtypeni butonin Download (↓) më sipër


PËRMBAJTJA: 
Kushtet politike 
Gjendja Ekonomike
Kushtet shoqërore
Gjendja e fesë në Arabinë paraislamike
Arsimimi tek arabët para Islamit


Kur shkruhet historia e Islamit, është një shprehi që të fillohet me një përshkrim të shkurtër të gjendjes politike, ekonomike, sociale dhe fetare të Arabisë në vigjilje të shpalljes së Kur’anit dhe zgjedhjes së Muhammedit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) si i Dërguari i Zotit. Kjo është shprehia e dytë e historianëve, pas përshkrimit të kushteve gjeografike. Edhe unë do t’i mbetem besnik kësaj tradite dhe do të bëj një përshkrim të shkurtër dhe të përgjithshëm të kushteve që mbisundonin në Arabi në fund të shekullit të gjashtë dhe në fillim të të shtatit. 


Kushtet politike


Vetia më karakteristike e jetës politikë të Arabisë së asaj kohe ishte pikërisht mungesa plotë e një organizimi politik të çfarëdo forme. Më përjashtim të Jemenit në jugperëndim, asnjë pjesë tjetër e gadishullit nuk kishte pasur deri atëherë ndonjë qeverisje politike. Si të tillë, arabët kurrë nuk njohën ndonjë autoritet tjetër përveç atij të prijësit të fiseve të tyre. Por edhe ky autoritet i prijësve fisnorë mbështetej kryesisht në karakterin dhe në personalitetin e tyre dhe, më tepër se politik, ishte një autoritet moral.


Studiuesit modernë të historisë e kanë të vështirë ta besojnë faktin se arabët jetuan për gjenerata e gjenerata pa asnjë lloj qeverisjeje dhe sundimi. Dhe ngase nuk kishte kurrfarë qeverisjeje, nuk mund të kishte as ligj dhe rend publik. Ligji i vetëm i kësaj toke ishte mungesa e ligjeve. Në rastet kur kryheshin krime, viktimat bëheshin ligji dhe i gjykonin vetë sulmuesit e tyre. Shumë shpesh, ky sistem çonte deri në akte makabre dhune.


Nëse arabët ndonjëherë dinin të përmbaheshin dhe të respektoheshin mes veti, kjo nuk ishte për shkak të ndjenjës së drejtësisë brenda tyre por më tepër për shkak të frikës nga provokimi i armiqësisë dhe nga gjakmarrja. Pikërisht gjakmarrja shkatërroi gjenerata të tëra ndër arabët. Ngase nuk kishte gjëra të tilla si policia ose gjyqësia, mbrojtja e vetme që mund ta kishte njeriu nga armiqtë, ishte pikërisht fisi i tij. Fisi, si i tillë, e kishte detyrim mbrojtjen e pjesëtarëve të tij edhe kur ata të kryenin krime. “Solidariteti fisnor” (arabisht: “asabijja”) ishte më i zhvilluar se etika. Një fis që nuk arrinte t’i mbronte pjesëtarët e tij përqeshej dhe ofendohej. Siç mund të pritet, etika nuk mund të kishte ndonjë vend në gjithë këtë peizazh.


Për shkak të mungesës së një qeverisjeje dhe për shkak të instinktit anarkist të arabëve, luftërat mes tyre nuk kishin të ndalur dhe ishin një fenomen i përhershëm në shoqërinë arabe. Shkretëtira mund të ushqente vetëm një numër të vogël njerëzish dhe ky sistem i luftërave ndërfisnore e mbante të kufizuar numrin e popullatës.


Megjithatë, arabët nuk e shihnin kështu luftën. Për ata lufta ishte një argëtim, një sport i rrezikshëm ose një dramë fisnore, e vënë në skenë nga profesionistët, sipas traditave luftarake dhe me një publik që i përkrahte luftëtarët e anës së tij. Paqja nuk ishte gjithaq tërheqëse për arabët. Lufta, në anën tjetër, përfaqësonte një ikje nga monotonia e jetës së shkretëtirës. Andaj ata ishin gjithmonë të disponuar për beteja, sepse rastet e tilla u jepnin mundësi t’i shfaqnin aftësitë e tyre të shigjetarisë, kalorësisë dhe luftës me shpatë, duke e fituar kështu famën e një heroi dhe duke i sjellë lavdi fisit të cilit i takonin. Në shumë raste, arabët luftonin për hir të të luftuarit ndonëse nuk kishte ndonjë arsye të fortë për një gjë të tillë. 


G.E. Grunebaum:


Në shekujt para lindjes së Islamit, fiset i shpenzonin të gjitha energjitë e tyre në luftë guerrilase ndërfisnore, ku gjithkush luftonte me gjithkënd...(“Islami klasik – një histori: vitet  600-1258”,  botuar 1970). 


Fiset nomade endeshin nëpër gadishull dhe i plaçkisnin  karvanet dhe vendbanimet e vogla. Shumë nga vendbanimet u paguanin një haraç nomadëve që të ishin të mbrojtur nga sulmet e tyre.


Është me rëndësi të kuptohet fakti se përpara Islamit, Arabia nuk pati asnjë lloj qeverisjeje dhe se kjo gjë mund të ketë pasur ndikim edhe në vetë lindjen e Islamit. Mungesa totale e qeverisjes, qoftë ajo edhe në formën më themelore, ishte një fenomen i jashtëzakonshëm, të cilin e kanë komentuar edhe shumë orientalistë, ndër të cilët:


 


D.S. Margoliuth:


Arabia do të mbetej përgjithmonë pagane sikur të mos ishte një njeri nga Mekkeja, i cili do t’ia jepte goditjen këtij sistemi dhe do të vepronte. Dhe ndonëse shumë prej tyre ishin armiq të Muhammedit, askush nuk kishte një guxim si ai dhe siç do të shihej më pas, nuk ekzistonte as edhe një gjyq i vetëm që do të mund ta gjykonte... (Muhammedi dhe zhvillimi i Islamit”, botuar 1931). 


 


Maxime Rodinson:


Shumë njerëz ekzekutoheshin sipas ligjeve të pashkruara të shkretëtirës. Në praktikë, arabët e lirë nuk ishin të kufizuar nga asnjë lloj ligji dhe nuk kishte kurrfarë qeverisjeje që do ta përforconte këtë ligj e që do ta mbështeste me forca të rendit publik. Mbrojtja e vetme e jetës së një njeriu ishte tradita e themeluar e gjakmarrjes “gjak për gjak e jetë për jetë”. Gjakmarrja, e quajtur tha’r në arabisht, ishte njëra nga shtyllat e shoqërisë së beduinëve...(“Muhammedi”, botuar 1971).


 


Herbert J. Müller:


Në Arabinë e Muhammedit nuk ekzistonte shteti. Kishte vetëm fise dhe vendbanime të shpërndara. Profeti e krijoi shtetin e tij dhe i fali një ligj të përpiluar nga Zoti (“Vegja e historisë”, botuar 1958).


 


Popullata e Arabisë së asaj kohe përbëhej nga dy grupe: nga populli “urban”, i vendosur nëpër vendbanime të përhershme dhe nga nomadët që jetonin në shkretëtirë. Hixhazi dhe Arabia jugore kishin shumë vendbanime të vogla dhe vetëm disa qytete më të mëdha. Pjesa tjetër e gadishullit kishte një popullsi nomade të përbërë nga beduinët. Ata ishin njerëz shumë të prapambetur në aspektin e civilizimit dhe politikës por edhe një burim frike për popullsinë e vendosur nëpër vendbanime. Ata mbijetonin si piratë të shkretëtirës dhe ishin të famshëm për egoizmin e tyre të pakontrolluar dhe për ndarjen anarkike fisnore.


Fiset më të rëndësishme kishin një ndikim që shtrihej në gjithë territorin ku jetonin. Në Mekke, fisi dominues ishte fisi Kurejsh, në Jethrib (sot Medine) dominonin fiset Aus dhe Kazraxh si dhe çifutët e fiseve Nadir, Kajnuka dhe Kurajza. Kurejshët e Mekkes e shihnin veten superiorë përballë beduinëve dhe në anën tjetër beduinët i përçmonin banorët e qyteteve, të cilët për ata nuk ishin tjetër veçse “një popull dyqanxhinjsh”.


Të gjithë arabët ishin të mirënjohur për tipare si arroganca, krenaria, mendjemadhësia, paranoja dhe dëshira e madhe për të plaçkitur e për të dëmtuar. Pikërisht arroganca e tyre ishte përgjegjëse për faktin se ata nuk arritën të krijonin një qeverisje të tyren. Atyre u mungonte krejtësisht disiplina politike dhe deri në zhvillimin e Islamit, kurrë nuk njohën ndonjë autoritet suprem në Arabi.


Ata mund t’i bindeshin një njeriu që do t’i komandonte në betejë por bindja e tyre mund të fitohej vetëm pasi të kishin garanci se do të merrnin një pjesë të mirë të plaçkës së luftës. Por edhe autoriteti i këtij personi bëhej i pavlefshëm me përfundimin e betejës.


 


Gjendja ekonomike


Parë nga aspekti ekonomik, çifutët ishin udhëheqësit e Arabisë. Ata ishin pronarë të tokave më pjellore të Hixhazit dhe ishin bujqit më të mirë në rajon. Ata ishin edhe tregtarët më të zotë dhe kishin krijuar një monopol mbi “industrinë” e armëve.


Skllavëria ishte një institut ekonomik i arabëve. Robër dhe robëresha  bliheshin e shiteshin sikur të ishin kafshë dhe pikërisht kjo kategori e shoqërisë ishte më e mjeruara. Në anën tjetër, klasa më e fortë e shoqërisë ishte ajo e tregtarëve dhe e fajdexhinjve. Niveli i interesit që kërkonin ishte astronomik dhe i krijuar me qëllim që t’i bënte ata vetë më të pasur dhe huazuesit më të varfër akoma.


Qendrat më të rëndësishme urbane ishin Mekkeja dhe Jethribi, qytete në provincën e Hixhazit. Mekkasit ishin kryesisht tregtarë dhe fajdexhinj.  karvanët e tyre udhëtonin verës për në Siri dhe dimrit për në Jemen. Ata gjithashtu bënin tregti edhe me Bahrejnin në lindje dhe me Irakun në verilindje. Tregtia e  karvanëve ishte jetike për ekonominë mekkase dhe organizimi i kësaj pune kërkonte një aftësi të konsiderueshme dhe përvojë. 


R.V.C. Bodley:


Kthimi dhe nisja e  karvanëve ishin ndodhi të rëndësishme në jetën e mekkasve. Pothuajse gjithkush kishte një investim të vetin në ata  karvanë prej mijëra devesh, qindra burrash, kuajsh e gomerësh, të cilët niseshin me lëkura, rrush të thatë dhe me argjend e ktheheshin me yndyrëra , parfume dhe të tjera mallra të prodhuara në Siri, Egjipt, Persi dhe gjetiu, bashkë me arat e mëlmesat e sjella nga jugu (“I Dërguari”, fq.31;  botuar 1941).


 


Francesco Gabrieli:


Në vigjilje të Islamit, shoqëria më komplekse dhe e zhvilluar njerëzore në gadishullin arabik jetonte në qytetin e Kurejshit. Epoka e mbretërive të Petrës dhe të Palmirës në jug, kishte kaluar prej kohësh. Tashmë ardhmëria po përgatitej në Hixhaz... (“Arabët-një histori e përmbledhur”, botuar 1963).


   


F.A. Belyaev:


Fajdeja (arabisht: “Riba”) ishte një fenomen shumë i pranishëm në Mekke, sepse ata që nuk ishin shumë të pasur dhe dëshironin të merrnin pjesë në  karvanet fitimprurëse, duhej domosdo t’u drejtoheshin fajdexhinjve. Edhe përkundër përqindjes së lartë të interesit, këta njerëz shpresonin se do të mund të fitonin diçka pas kthimit të sigurt të  karvanit. Tregtarët më të pasur të Mekkes ishin njëkohësisht edhe fajdexhinj.


Fajdexhinjtë zakonisht merrnin një dinar për çdo dinar ose një dirhem për çdo dirhem të dhënë në huazim. Kjo do të thotë se ata kishin një përqindje interesi prej 100 përqind. Në vargun 3:130 të Kur’anit, Zoti u drejtohet besimtarëve me fjalët “Mos merrni fajde të dyfishuar mbi fajden!”. Kjo mund të nënkuptojë se ndonjëherë kërkoheshin edhe fajde që arrinin interes prej 200 e madje 400 përqind. Nga fenomeni i fajdes nuk vuanin vetëm bashkëqytetarët mekkas të fajdexhinjve por edhe beduinët e Hixhazit, të cilit ishin aktivë në tregtinë mekkase. Njësoj si në Athinën e lashtë, mjeti kryesor për ta shkelur lirinë njerëzore ishte paraja dhe fajdeja... (“Arabët, Islami dhe Kalifati arab në mesjetë”, botuar 1969).


 


Kushtet shoqërore:


Arabia ishte një shoqëri e dominuar nga meshkujt. Femrat nuk kishin asnjë status përveç atij të objekteve të seksit. Numri i grave me të cilat mund të martohej një burrë nuk ishte i kufizuar. Kur një burrë vdiste, djali  “trashëgonte” të gjitha gratë e tij, përveç të ëmës. Një traditë tjetër makabre e arabëve ishte varrosja për së gjalli e foshnjave femra. Edhe ata që nuk kishin dëshirë ta varrosnin vajzën e tyre, duhej domosdo t’i bindeshin kësaj tradite “fisnike” dhe ishin të paaftë t’i rezistonin shtypjes së shoqërisë.


Alkooli ishte një ves i famshëm i arabëve, bashkë me të cilin vinte edhe bixhozi. Të gjithë arabët ishin alkoolikë dhe bixhozxhinj me traditë. Marrëdhëniet ndërmjet gjinive ishin krejtësisht të lira. Shumë gra e shisnin trupin e tyre për ta fituar bukën e gojës sepse nuk kishte tjetër profesion që mund të bënin. Këto femra varnin flamuj përpara shtëpive të tyre dhe njiheshin si “zonjat e flamujve” (arabisht: “dhat er rajjat”).


Dijetari i njohur Sejjid Kutb nga Egjipti, në librin e tij “Gurë kilometrikë”, të botuar nga Federata Ndërkombëtare Islame e Organizatave Studentore në Salimiah të Kuvajtit në vitin 1978 (fq. 48, 49), e përcjell nga Imam Buhariu thënien në vijim në lidhje me martesën në Arabinë paraislamike:


Shihabi tha: “Urvah ibn Zubejri më tregoi se Aisheja, gruaja e Profetit (paqja qoftë mbi të), i ka treguar se martesa në kohën e “Injorancës”(koha përpara Islamit) ishte katër llojesh:


1-              Njëra ishte martesa e njerëzve si ajo që është sot, ku njeriu e kurorëzon të bijën me një njeri tjetër kurse ky i dyti i fal nuses një “mehr” dhe martohet me të.


2-              Një tjetër lloj ishte martesa në të cilën një njeri i thoshte të shoqes “Shko tek filani dhe fli me të!”. Pastaj burri qëndronte larg nga e shoqja derisa të ishte i sigurt se ajo kishte mbetur shtatzënë nga mashkulli tjetër, me të cilin kishte pasur marrëdhënie. Kur të ishte e qartë se gruaja kishte mbetur shtatzënë, burri mundej sërish të kishte marrëdhënie me të, po të donte. Gjithë kjo bëhej për të pasur një fëmijë me gjak fisnik. Kjo martesë njihej si “nikah al istibda”ose  martesa e të kërkuarit marrëdhënie (seksuale).


3-              Një tjetër lloj martese ishte kur një grup prej më pak se dhjetë burrash e vizitonin të njëjtën grua dhe të gjithë kishin marrëdhënie me të. Nëse mbetej shtatzënë dhe lindte fëmijë, ajo i ftonte që të gjithë në shtëpinë e saj dhe u thoshte: “Ju e dini frytin e asaj që keni bërë. Unë kam lindur një fëmijë dhe ai është i yti, o .... “ duke e thënë pastaj emrin e atij që donte. Me këtë, fëmija bëhej i atij burri dhe ai nuk kishte të drejtë ta refuzonte.


4-              Lloji i katërt ishte kur shumë burra shkonin tek një grua e vetme dhe ajo nuk e largonte asnjërin që i vinte për marrëdhënie. Këto janë prostitutat (baghaja). Ato vendosnin flamuj në dyert e tyre për t’u njohur. Kushdo që kishte dëshirë, hynte tek ato. Kur njëra prej tyre lindte fëmijë, të gjithë mblidheshin në shtëpinë e saj dhe vendosnin se cilit i takonte fëmija. Ata ia jepnin fëmijën atij që mendonin se ishte babai i fëmijës dhe fëmija njihej si i tij, pa pasur mundësi kundërshtimi.


Kur erdhi Muhammedi (paqja qoftë mbi të) me të Vërtetën, i shkatërroi të gjithë këto lloje të martesave të Injorancës përveç asaj që e bëjnë njerëzit sot.


 


Gjendja e fesë në Arabinë paraislamike


Periudha e historisë arabe që daton para lindjes së Islamit njihet me emrin “Koha e Injorancës” (arab. Xhahilijje). Duke gjykuar sipas besimeve dhe praktikave të arabëve paganë, do të shihet se ky emër është më i përshtatshmi. Arabët ishin ndjekës të shumë “feve”, të cilat mund të ndahen në kategoritë vijuese:


 


1-      Idhujtarët ose politeistët


Këtij grupi i takonin shumica e arabëve. Ata adhuronin një numër të madh idhujsh dhe secili fis e kishte idhullin ose idhujt e tij. Qaben, e cila sipas traditës ishte ndërtuar nga Profeti Ibrahim dhe i biri Ismaili për ta adhuruar Zotin e vetëm, e kishin kthyer në një panteon ku qëndronin 360 idhuj prej guri ose prej druri.


 


2-      Ateistët


Në këtë grup bënin pjesë materialistët, të cilët besonin se bota ishte e përjetshme.


 


3- “Zindik”


Ishin ata që të ndikuar nga doktrina perse e dualizmit të natyrës, besonin se ekzistojnë dy perëndi që i përfaqësonin forcat e barabarta të të mirës dhe të ligës, dritës dhe errësirës. Që të dy këto forca ishin në një luftë të përjetshme kundër njëra-tjetrës.


 


4- “Sabi’in”: ishin adhurues të yjeve.


 


5-      Judaizmi


Kur romakët e shkatërruan Jerusalemin në vitin 70 pas Krishtit dhe i dëbuan hebrenjtë nga Palestina dhe Siria, shumë prej tyre gjetën strehë në provincën e Hixhazit në Arabi. Me ndikimin e tyre, shumë prej arabëve u konvertuan në Judaizëm. Qendrat e tyre më të rëndësishme ishin Jethribi, Hajberi, Fedeku dhe Umm ul Kura-ja.


 


6-  Të krishterët


Romakët e kishin konvertuar fisin Ghassan të Arabisë veriore në Krishterim. Disa familje të këtij fisi kishin emigruar dhe ishin vendosur në Hixhaz. Shumë të krishterë kishte edhe në Jemen, ku kjo doktrinë u soll fillimisht nga pushtuesit etiopianë. Qendra e tyre ishte qyteti i Nexhranit.


 


7- Monoteistët


Në vigjilje të lindjes së Islamit, ekzistonte edhe një grup i vogël monoteistësh në Arabi. Pjesëtarët e këtij grupi nuk i adhuronin idhujt dhe e konsideronin veten ndjekës të profetit Ibrahim. Familja të cilës i takonte profeti Muhammed dhe Kalifi i katërt Aliu, bashkë me pjesën më të madhe të fisit të tyre të Hashimitëve, i takonin këtij grupi.


 


 


Arsimimi tek arabët para Islamit


Në mesin e arabëve kishte shumë pak individë që mund të shkruanin dhe të lexonin. Shumë prej tyre nuk ishin të interesuar për ta mësuar këtë art. Një pjesë e historianëve janë të mendimit se kultura e kësaj periudhe ishte e themeluar krejtësisht në përcjelljen gojore. Hebrenjtë dhe të krishterët ishin flamurtarët e shkrim-leximit në Arabi, ndërkohë që arritja më e madhe intelektuale e arabëve paganë ishte poezia e tyre. Ata besonin se Zoti ua kishte dhënë aftësinë e të menduarit grekëve (shkencën dhe filozofinë), aftësinë e punëve të dorës kinezëve (me zejtarinë e tyre të përsosur) dhe arabëve aftësinë e gjuhës (me gojëtarinë e tyre). Krenaria e tyre më e madhe, para dhe pas Islamit, ishte përherë gojëtaria (oratoria) dhe poezia. Rëndësia e poezisë në shoqërinë arabe mund të lexohet nga veprat vijuese të historianëve:


 


D. S. Margoliouth:


Në Arabinë nomade, poetët ishin pjesë e pajisjes ushtarake të fiseve. Ata i mbronin forcat e fisit të tyre dhe i dëmtonin fiset armike me një fuqi, e cila vepronte në mënyrë misterioze dhe përbëhej nga përpilimi i vargjeve interesante që do të tërhiqnin vëmendje dhe do të mbaheshin mend gjatë (“Muhammedi dhe rritja e Islamit”, botuar 1931).


 


E.A. Beljaev:


Pjesa më e madhe e njohurive mbi gjendjen ekonomike, sociale dhe morale të Arabisë në shekullin e pestë dhe të gjashtë vjen nga poezia e lashtë dhe paraislamike e arabëve, e cila është e njohur për përshkrimin besnik të periudhës në të cilën u përpilua, të jetës fisnore të arabëve dhe të mjedisit ku jetonin. Andaj specialistët i pranojnë këto poezi si burimet më të rëndësishme dhe autoritative për t’i përshkruar arabët dhe traditat e tyre në këtë periudhë (Arabët, Islami dhe Kalifati arab në mesjetë”, botuar 1969).


 


Poezia arabe ishte e pasur për nga shprehja dhe rrjedhshmëria mirëpo ishte shumë sipërfaqësore dhe i mungonte thellësia e duhur në kuptim. Përmbajtja e saj mbase ishte interesante por ishte shumë zakonshme dhe e mbushur me klishé. Thuajse të gjitha kryeveprat e poezisë së tyre e ndjekin të njëjtën rrjedhë të ideve dhe figurave. Por sido që të jetë, ajo ishte një pasqyrë shumë besnike e jetës në Arabinë pagane. Përveç kësaj, poetët arabë në një mënyrë të pavetëdijshme e zhvilluan njërin nga artifaktet më të mëdha të njerëzimit: gjuhën arabe.


Përmbledhja me krijimet më të rëndësishme poetike të Arabisë pagane njihej si “Odet e Arta”. Kjo ishte një përmbledhje prej shtatë poezish që konsideroheshin të pakalueshme për nga rrjedhshmëria dhe fuqia gjuhësore. Këto poezi rrinin varur në Qabe si një sfidë që duhet ta përballonin poetët e rinj. Sir William Muir, në lidhje me këto poezi shkruan:


“Shtatë Poezitë e Varura” kanë mbijetuar nga një periudhë që daton para Muhammedit, si shembuj të një gojëtarie të pashoqe. Bukuria gjuhësore dhe pasuria e egër figurative pranohen nga lexuesi evropian, por shumë shpesh, subjekti i poetit është i kufizuar dhe shumë rrallë devijon nga kallëpet e krijuara. Bukuria e të dashurës së tij, vendi i dëshiruar me gjurmët e freskëta të qëndrimit të tij në të, vetmia e një vendi të shkretuar, bujaria dhe aftësia e vetë poetit, lavdia e pakontestueshme e fisit të tij, cilësitë fisnike të devesë së tij dhe tema të tjera të ngjashme përpunoheshin me variacione të vogla, pa dallim se ç’ishte tregimi që fshihej pas një poezie. Shumë prej këtyre veprave veç me tepër e shtonin ligësinë e njerëzve, vetëpëlqimin e tyre, xhelozinë, mizorinë dhe krenarinë. (“Jeta e Muhammedit”, botuar 1877).


Me zhvillimin e Islamit, vëmendja u kthye më tepër drejt prozës dhe poezia e humbi pozitën e saj si mbretëresha e arteve në Arabi.


“Vepra” më e madhe e Islamit ishte Kur’ani, Shkrimi i shenjtë i kësaj feje, i cili ishte në formë të prozës. Myslimanët besojnë se Kur’ani u krijua në Qiej përpara se t’i shpallej Muhammedit, të Dërguarit të Zotit. Ata besojnë se intelekti njerëzor nuk mund të krijojë diçka që mund të matet me të për nga stili dhe përmbajtja. Për pesëdhjetë brezat pararendës, ai ka qenë një model i mendimit letrar, filozofik, teologjik, ligjor, metafizik dhe mistik.


 Në faqet paraprake u përpoqëm të bënim një portretizim të përgjithshëm të gjendjes së Arabisë dhe të jetës së banorëve të saj para Islamit. Ky “portret” është autentik dhe është marrë nga “arkivat” e vetë arabëve paraislamikë.


Duke gjykuar sipas këtij përshkrimi, mund të thuhet se para Islamit, Arabia nuk kishte një rend shoqëror dhe një rëndësi historike. Arabët jetonin me një moral të degraduar dhe të robëruar shpirtërisht. Jeta e tyre ishte e pakuptimtë, pa ndonjë arsye dhe pa qëllim. Shpirti njerëzor ishte i prangosur dhe po priste një shenjë për të filluar një përpjekje titanike për t’u shpëtuar zinxhirëve dhe çliruar.


Kjo shenjë u dha në qytetin e Mekkes në vitin 610 nga Muhammedi, i biri i Abdullahut, kur ai e shpalli profetësinë e tij dhe e filloi historinë e lëvizjes së quajtur “Islam”, e cila do ta mbështillte gjithë botën.


Për njerëzimin ky ishte bekimi më i madh, i cili i çliroi nga robëria burrat dhe gratë, duke i mësuar t’i bindeshin Krijuesit të tyre. Muhammedi, i Dërguari i Zotit, ishte emancipuesi suprem i njerëzimit, i cili e nxori njerëzimin nga “greminat e jetës”. Gadishulli Arabik ishte një vend gjeografikisht periferik dhe politikisht një “terra incognita”[1] deri në shekullin e shtatë pas Krishtit. Pikërisht atëherë, Muhammedi e vendosi këtë vend në hartën politike të botës, duke e bërë atë teatrin e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë.


Para Islamit, arabët kishin luajtur një rol krejtësisht margjinal në historinë e Lindjes së Mesme dhe mbase do të kishin mbetur përgjithmonë një popull barinjsh sikur Muhammedi (bekimi i Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) të mos ua jepte atë stimul që i ktheu fiset e tyre nomade në një forcë që kishte qëllime. Ai krijoi një “komb” nga një masë njerëzish pa kurrfarë strukture shoqërore. Ai i pajisi arabët me një dinamizëm të ri, me idealizëm dhe me një kreativitet eksploziv, me të cilin ata e ndryshuan përgjithmonë rrjedhën e historisë. Ai krijoi një gjendje të re mendore dhe psikologjike tek arabët. Veprimtaria e tij ishte një periudhë kritike e historisë, ku mbaroi një epokë dhe filloi një tjetër.


Duke folur për ndikimin e tij të madh në histori, Francesco Gabrieli, në librin e tij “Arabët- një histori e përmbledhur” (botuar 1963), thotë:


...Me këtë mbaroi preludi pagan i historisë së arabëve. Nuk mund të mos e vërejë ndryshimin e fatit të këtij populli gjjithsecili që e krahason këtë periudhë pagane me atë që vijoi dhe që u solli arabëve një rol primar në historinë e botës dhe frymëzoi vepra e mendime të mëdha, jo vetëm tek një njeri i jashtëzakonshëm nga mesi i tyre por tek një elitë e tërë, e cila brez pas brezi i përmblodhi dhe i përhapi fjalët e tija. Ritmi i kësaj shoqërie që deri atëherë ishte e dobët dhe e shpërndarë, u kthye në një kërkim uniteti, kërkim të një qendre dhe të një qëllimi, të cilin do ta gjenin nën flamurin e besimit. As dashuria më romantike për gjërat primitive nuk na lejon të mos e shohim faktin se pa Muhammedin dhe pa Islamin, ky popull do të mbetej përgjithmonë duke u endur nëpër shkretëtirë, duke e shkatërruar njëri-tjetrin në luftëra të përgjakshme ndërfisnore dhe duke i parë Bizantin, Ktesifonin dhe madje Aksumin si rreze të largëta të civilizimit, të cilat qëndronin shumë përtej aftësive të tyre. 


 






[1]  “tokë e panjohur”