Komentimi i kapitullit "Bakara" vargjet 1-25
Muhammed Husejn Tabatabai
11 Tetor 2009

 




1. Me emrin e Allahut, Bamirësit dhe Mëshiruesit... Elif, Lam, Mim


Ky është libri për të cilin s`ka dyshim dhe udhëzuesi për ata që mbrohen (nga e liga)


2. Për ata që e besojnë të fshehtën, e falin namazin dhe japin nga ajo që Ne u falëm


3. Për ata që e besojnë atë që t`u shpall ty, atë q`u shpall para teje dhe që janë të bindur për të përtejmen...


4. Këta janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe këta janë të shpëtuarit...



Analizë e përgjithshme


Për faktin se ky kapitull është shpallur pjesë pjesë dhe në periudha të ndryshme kohore, ai nuk përqëndrohet mbi një tematikë të vetme. Sidoqoftë, po të shihet në përgjithësi, kapitulli ka një qëllim të caktuar. Ai vë theks mbi faktin se njeriu nuk mund të jetë një rob i vërtetë i Zotit përderisa nuk i trajton njësoj të gjitha shpalljet hyjnore dhe të gjithë të dërguarit e Tij. Sipas kësaj, ky kapitull i akuzon jobesimtarët, hipokritët dhe "njerëzit e Librit" (çifutët dhe të krishterët) për faktin se dalluan mes tyre në lidhje me fenë e Zotit dhe bënë dallime mes të dërguarve të Tij. Pas kësaj, kapitulli vazhdon me shpalljen e ligjeve të ndryshme me rëndësi, si drejtimi nga duhet të kthehen muslimanët gjatë lutjeve, rregullat e pelegrinazhit, trashëgimisë, agjërimit etj...


 Komentimi:


 - Elif, Lam, Mim


Në dashtë Zoti, në kapitullin 42 do të flasim më hollësisht në lidhje me shkronjat simbolike që paraqiten në fillim të disa kapitujve. Po kështu, edhe kuptimi i udhëzimit kuranor dhe fakti se Kur`ani përshkruhet si një libër, do të shpjegohen në vijim të librit.



  1. Ky është libri për të cilin s`ka dyshim dhe udhëzuesi për ata që mbrohen (nga e liga)

  2. Për ata që e besojnë të fshehtën...


 Ata që mbrohen nga e liga ose me fjalë të tjera, të virtytshmit, janë në të vërtetë vetë besimtarët. Virtyti ose të mbrojturit nga e liga nuk është një karakteristikë unike e ndonjë kategorie të caktuar besimtarësh. "Të mbrojturit nga e liga" nuk është si të vepruarit mirë, të qenit i përulur përpara Zotit ose si të paturit qëllim të pastër, të cilat janë nivele të ndryshme të besimit dhe bindjes. Për dallim prej tyre "të mbrojturit" është një virtyt i cili paraqitet në të gjitha kategoritë e besimit të vërtetë. Kjo është arsyeja përse Zoti nuk e ka ndarë këtë cilësim për një grup të caktuar besimtarësh.


Karakteristikat e këtij virtyti, të rradhitura në këto katër vargje, janë pesë në numër: të besuarit në të fshehtën, falja e namazit, shpenzimi vullnetar nga të mirat që Zoti ia ka falur besimtarit, besimi në atë që Zoti ua ka shpallur të dërguarve të Tij dhe të qenit i bindur në ekzistencën e botës së përtejme. Një njeri i fiton këto cilësi shpirtërore falë udhëzimit të dhënë nga Zoti, siç thuhet në vargun vijues: Këta janë të udhëzuar nga Zoti i tyre... Sipas kësaj, ata u bënë të virtytshëm dhe u mbrojtën nga e liga sepse Zoti i udhëzoi drejt kësaj. Dhe kur e fituan këtë cilësi, Kur`ani u bë një udhëzim për ta: "Ky është libri për të cilin s`ka dyshim dhe udhëzuesi për ata që mbrohen (nga e liga)...


Kjo flet qartë se ekzistojnë dy lloje të udhëzimit. Njëri është udhëzimi përpara se ata të bëheshin të virtytshëm dhe të mbroheshin nga e liga dhe tjetri është udhëzimi që vjen pas këtij ndryshimi. Udhëzimi i parë i bëri ata të virtytshëm dhe më pas Zoti e ngriti statusin e tyre nëpërmjet udhëzimit të Librit të Tij.


Me këtë, bëhet i qartë kontrasti mes të virtytshmive në njërën anë dhe jobesimtarëve e hipokritëve në anën tjetër. Këta të fundit janë të mbërthyer nga dy devijime dhe verbëri. Devijimi i parë i çon ata drejt mosbesimit dhe hipokrizisë kurse i dyti (i cili vjen pas mosbesimit) e konfirmon gabimin e tyre dhe e përforcon atë. Të shohim se ç`thotë Zoti për jobesimtarët:



Zoti ua ka vulosur zemrat dhe veshët. Dhe mbi sytë e tyre ka një mbulesë... Bakara (Lopa) 2:7



Vulosja e zemrave të tyre tregohet si një vepër e Zotit kurse mbulesa e vendosur mbi sytë e tyre, si një vepër e vetë jobesimtarëve. Në të njejtin kontekst, Zoti thotë:



Ka sëmundje në zemrat e tyre dhe Zoti vetëm ua shtoi sëmundjen... Bakara (Lopa) 2:10



Sëmundja e parë është vepër e vetë hipokritëve kurse e dyta, e Zotit. Ky fakt është shpjeguar edhe në shumë vargje të tjera. Për shembull, thuhet:



Me të, Ai i çon të gabojnë shumë prej tyre dhe shumë prej tyre i udhëzon.. Por ai s`bën të gabojnë tjerë veç mizorëve... Bakara (Lopa) 2:26


Kur ata devijuan, Zoti ua shtrembëroi zemrat... Saff (Rradhët) 61:5



Për të përmbledhur, mund të thuhet se të virtytshmit janë të "mbështjellur" nga dy udhëzime, njësoj siç janë jobesimtarët dhe hipokritët, të rrethuar nga dy devijime.


Siç mund të shihet, udhëzimi i dytë është ai nëpërmjet Kur`anit. Sipas kësaj, ai i pari duhet të ketë qenë përpara tij. Njeriu duhet të ketë qenë i udhëzuar nga një mendje e shëndoshë dhe e qetë. Nëse natyra njerëzore është vërtetë e përsosur dhe pa të meta, ajo nuk mund të mos e kuptojë faktin se është e varur nga diçka më sipërore. Në të njejtën mënyrë, natyra njerëzore e kupton se gjithçka tjetër që mund të kuptojë ose të imagjinojë, është e varur nga diçka që qëndron përtej zinxhirit të gjërave të varura dhe nevojtare. Me këtë arrihet tek besimi se duhet të ketë një Qenie të padukshme dhe të paperceptueshme për shqisat, e cila është fillimi dhe fundi i çdo gjëje. Natyra njerëzore e vëren gjithashtu se kjo Qenie e Domosdoshme nuk e lë pas dore as hollësinë më të vogël në lidhje me përsosmërinë e krijimit. Kjo e bën atë të kuptojë se ky Krijues nuk mund ta lërë njeriun të endet pa qëllim në jetë. Ai duhet t`i ketë mundësuar njeriut një udhëzim, që do ta udhëzojë në rrugën e drejtë, si në veprat e tija ashtu edhe në mendime. Me këtë përsiatje të logjikshme, njeriu e fiton besimin në një Zot të vetëm, në Profetësi dhe në Ditën e Gjykimit. Në këtë mënyrë, bindja e tij në lidhje me themelet e besimit bëhet e plotë. Ky besim e bën atë ta shfaqë nënshtrimin e tij përpara Zotit dhe ta përdorë çdo mjet që ka në dispozitë, për ta mbajtuar gjallë këtë rrugë dhe për t`ua përcjellur atë të tjerëve. Me këtë arrijmë edhe tek lutjet dhe lëmosha. Virtytet e numëruara në këto vargje janë virtyte që një njeri mund t`i zbulojë me natyrën e tij të pastër dhe me mendjen. Dhe vetëm kur njeriu ta ketë arritur këtë nivel tashmë, Zoti ia fal atij edhe një bekim tjetër: udhëzimin kuranor.


Virtytet e përmendura më sipër, zhvillohen nën hijen e dy udhëzimeve, prej të cilëve njëri i paraprin virtytit, kurse tjetri vjen pas tij. Udhëzimi i dytë (udhëzimi kuranor) mbështetet në udhëzimin e parë, atë të mendjes së shëndoshë dhe natyrës së pastër njerëzore. Kjo përshkruhet në vargjet në vijim:



Zoti i bind besimtarët me një fjalë të sigurt në këtë botë dhe në tjetrën... Ibrahim 14:27


O ju që besuat! Kinie frikë Zotin dhe besojeni të dërguarin e Tij. Ai do t`ju japë dy pjesë nga mëshira e Tij dhe do t`ju falë një dritë me të cilën do të ecni...Hadid (Hekuri) 57:28


O ju që besuat! Po ta ndihmoni Zotin edhe ai do t`u ndihmojë dhe do t`ua bëjë këmbët të palëkundura...Muhammed 47:7


Dhe Zoti nuk i udhëzon të padrejtët...Saff (Rradhët) 61:7


...dhe Zoti nuk e udhëzon popullin mizor...Saff (Rradhët) 61:5



I njejtë është rasti edhe me gabimet dhe devijimet e jobesimtarëve dhe hipokritëve, siç do ta përshkruajmë më vonë.


Vargjet e mësipërme janë një tregues i faktit se njeriu ka edhe një jetesë tjetër, të fshehur nën këtë jetë. Është pikërisht falë kësaj jetese që njeriu rron në këtë botë dhe në kohën pas vdekjes së tij. Zoti thotë:



A mund vallë të jetë i njejtë ai i vdekur që Ne e ngritëm dhe i dhamë një dritë që të ecte mes njerëzve, me atë që i ngjan një të mbeturi në errësirë e që s`del dot që andej? En`am (Kopeja) 6:122



Në dashtë Zoti, këtë varg do ta shpjegojmë më vonë...



Për ata që e besojnë të fshehtën...



Fjala "el-Iman" (besim, të besosh) nënkupton një besim që është i rrënjosur thellë në zemrën e një njeriu. Rrjedh nga fjala "el-amn" (siguri). Pra me besimin e tij, besimtari fiton siguri nga dyshimet dhe kjo është një çështje me rëndësi sepse shkatërruesi i besimit është dyshimi.


Tashmë kemi përmendur se besimi ka nivele të ndryshme. Ndonjëherë njeriu që beson është i bindur në besimin e tij në diçka dhe kjo bindje i ka ndikimet e veta. Në raste të tjera, bindja është më e madhe dhe i përfshin edhe disa elemente shtesë të asaj gjëje që besohet. Por ka raste të tilla, kur bindja dhe siguria janë aq të mëdha, sa që përfshijnë gjithçka që ka të bëjë me gjënë e besuar. Sipas kësaj, besimi është i ndarë në nivele të ndryshme dhe po kështu janë të ndarë edhe besimtarët.


"E fshehta" (el-Ghajb) është e kundërta e shprehjes "e qarta". Kjo fjalë përdoret për Zotin dhe për shenjat e mëdha të Zotit, duke përfshirë këtu edhe shpalljet hyjnore të cilat përmenden në vargun: ...që e besojnë atë që t`u shpall ty dhe atë që u shpall para teje.. Kjo fjalë gjithashtu përdoret edhe për të folur për jetën e amshueshme. Por në këto vargje, besimi në shpalljet e Zotit dhe në jetën e amshueshme është i përmendur më tej. Andaj mund të thuhet se në këtë varg, me fjalën "e fshehta" nënkuptohet vetëm Zoti.


Kur`ani thekson me ngulm se njeriu nuk duhet ta kufizojë diturinë e tij vetëm në gjërat që mund të perceptohen nëpërmjet shqisave. Përkundrazi, ai i stimulon njerëzit që ta ndjekin arsyen e shëndoshë dhe mendimin racional.



 ... dhe që janë të bindur për të përtejmen...



Në vend që vetëm të besojnë në ekzistencën e jetës së përtejme, ata janë të bindur për të. Këtu bëhet e qartë se një njeri nuk mund të jetë i virtytshëm dhe nuk mund të mbrohet nga të ligat dhe mëkatet përderisa nuk fiton një bindje të fortë për amshimin, të cilin nuk do ta harrojë as për një çast të vetëm. Mund të ngjajë që një njeri të besojë në diçka por në disa raste t`i harrojë kushtet e besimit të tij dhe të veprojë në kundershtim me të. Por nëse ai beson dhe është i bindur për ditën në të cilën do të duhet të japë llogari për të gjitha veprat që ka bërë, kurrë nuk do të vepronte në kundërshtim me ligjin hyjnor dhe nuk do të mëkatonte. Zoti thotë:



...dhe mos i ndiqni dëshirat sepse mund t`ju largojnë nga rruga e Zotit. Dhe për ata që devijojnë nga rruga e Tij, pa dyshim do të ketë një dënim të dhimbshëm ngase e harruan ditën e llogarisë... Sad 38:26



Pa dyshim, arsyeja më e madhe e devijimit është të harruarit e Ditës së Gjykimit. Sikur një njeri ta besonte atë ditë dhe të ishte i bindur për ardhjen e saj, do të mbrohej nga e liga dhe do të bëhej i virtytshëm.



 Këta janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe këta janë të shpëtuarit...



Udhëzimi vjen gjithmonë nga Zoti dhe asnjëherë nuk i mveshet kjo cilësi dikujt tjetër, përveç në kuptimin metaforik. Zoti e përshkruan udhëzimin e Tij me këto fjalë:



Dhe atij që dëshiron ta udhëzojë, Zoti ia hap gjoksin për Islamin...En`am (Kopeja) 6:125



Kur një njeriu i hapet gjoksi, ai shpëton nga ngushtimet shpirtërore. Dhe Zoti thotë:



I shpëtuar është ai që mbrohet nga e liga e shpirtit të tij...Hashr (Dëbimi) 59:9



 Me këtë, Zoti e shpreh qartë se të shpëtuar janë vetëm ata që e ndjekin udhëzimin e Tij.


 Analiza e vargjeve të mësipërme nëpërmjet haditheve


Në veprën "el-Meani" përcillet se Imam Sadiku (pqmt) në lidhje me shprehjen "ata që e besojnë të fshehtën" ka thënë:



Janë ata që e besojnë Kaimin ("ai që ngrihet" dmth. Imam Mehdiu)



Autori: Ky shpjegim jepet edhe në thënie të tjera dhe themelohet në fenomenin e "rrjedhës" së vargjeve kuranore (të cilin e shpjeguam në fund të komentimit të kapitullit "Fatiha")


Sipas Tefsirit të Ajjashiut, Imam Sadiku (pqmt), në lidhje me vargun "..dhe japin nga ajo që Ne u falëm" thotë:



"Kjo do të thotë se ata japin nga dituria që u është falur"



Përsëri në veprën "el-Meani", Imam Sadiku (pqmt) ka shpjeguar se kuptimi i këtij vargu është:



Ata e përhapin diturinë që Ne ua kemi falur dhe recitojnë nga Kur`ani atë që Ne ua mësuam.



Autori: Të dyja thëniet, siç e përmendëm edhe në komentimin tonë, e shpjegojnë "dhënien" në një kuptim shumë më të gjerë sesa dhënia e pasurisë dhe të përdorurit e mjeteve të tjera materiale për hir të Zotit.


Një diskutim filozofik mbi vargjet:


A duhet vallë të mbështetemi edhe në konceptet racionale përveç gjërave që janë të kapshme për shqisat? Kjo është një temë shumë e diskutuar në mesin e dijetarëve perëndimorë të kohëve të fundit. Të gjithë filozofët muslimanë dhe një pjesë e mirë e dijetarëve të lashtë perëndimorë besonin se mund të mbështetemi në perceptimet racionale po aq sa edhe në ato shqisore. Ata ishin të mendimit se një dëshmi shkencore nuk e konsideron një objekt konkret vetëm për hir të faktit se ai mund të perceptohet nga shqisat. Por përkundër kësaj, shumica e dijetarëve modernë dhe në veçanti shkencëtarët, insistojnë në atë se nuk duhet mbështetur në asgjë përveç asaj që mund të perceptohet nga pesë shqisat. Argumenti i tyre është si vijon:


Dëshmitë që janë vetëm racionale janë shumë shpesh të gabuara. Nuk ka asnjë lloj eksperimenti, të kapshëm për shqisat, që mund ta verifikojë vërtetësinë e këtyre argumenteve. Përkundër kësaj, perceptimet shqisore nuk e kanë këtë mangësi sepse kur mund të perceptojmë diçka nëpërmjet shqisave, atë e vërtetojmë me eksperimente të ndryshme. Ky eksperimentim vazhdon deri në pikën kur të jemi të bindur për cilësitë e objektit në fjalë.


Për këtë arsye, perceptimi shqisor nuk përmban dyshime përkundër argumenteve thjesht racionale, të cilat mund të jenë edhe të dyshimta.


Por ky argumentim i tyre ka disa mangësi:



  1. Të gjitha argumentet e dhëna prej tyre janë vetë argumente racionale dhe si të tilla nuk mund të perceptohen nga shqisat. Me fjalë të tjera, këto dijetarë i përdorin argumentet racionale për të vërtetuar se argumentet e tilla nuk janë të besueshme. Ç`paradoks!!! Nëse ia dalin mbanë që ta vërtetojnë mendimin e tyre me këtë metodë, ata nuk bëjnë tjetër veçse e vërtetojnë gabimin e tyre.

  2. Perceptimi shqisor s`është më pak i gabueshëm se argumentimi racional. Një vështrim i shkurtër në librat që kanë të bëjnë me optikën ose me shkencat e ngjashme do ta bënte të qartë faktin se ka shumë gabime që janë pasojë e gabimeve gjatë të parit, të dëgjuarit dhe të shqisave të tjera të ngjashme. Pra nëse argumentimi racional eliminohet me arsyetimin se mund të lejojë gabime, edhe perceptimi shqisor mund të eliminohet në të njejtën mënyrë.

  3. Pa dyshim, duhet të ketë një mënyrë për ta dalluar perceptimin e drejtë nga i gabuari por nuk është vetëm eksperimenti që krijon një dallim në mendjen tonë. Eksperimenti vetëm sa bëhet një tjetër element i dëshmisë racionale, e cila është edhe gjëja që na bën të dallojmë mes dy gjërave. Kur për shembull zbulojmë një cilësi të një objekti dhe shohim se kjo cilësi mbetet e pandryshuar gjatë rrjedhës së eksperimenteve tona, jepet një argument racional nga ana e mendjes sipas të cilës, sikur kjo cilësi të mos ishte cilësi e objektit në fjalë, nuk do të gjendej brenda tij, në të gjitha rrethanat. Por pasi që gjendet gjithmonë, mund të thuhet se është një cilësi e objektit. Me këtë mund të kuptojmë se perceptimi shqisor, në fund të fundit, varet nga aftësitë racionale, për të ardhur në përfundime.

  4. Të pranojmë për një çast se çdo perceptim shqisor është domosdo i përkrahur nga eksperimentet. Por a mund vallë vetë eksperimenti të verifikohet nga një eksperiment tjetër? Nëse themi "po", atëherë pyetja e njejtë do të vijë edhe për eksperimentin e dytë. Shihet qartë se nuk mund të shkohet pafundësisht me eksperimente që e verifikojnë njëri tjetrin. Në fund duhet domosdo të arrihet tek një eksperiment, verifikimi i të cilit nuk varet nga një eksperiment tjetër por pikërisht nga dëshmitë racionale. Kjo do të thotë se perceptimet shqisore nuk mund të fitojnë besueshmëri pa u mbështetur në koncepte që janë vetëm racionale.

  5. Pesë shqisat nuk janë të afta për t`i kuptuar çështjet absolute dhe madhore. Ato arrijnë t`i kapin vetëm hollësitë dhe vogëlsirat. Por dituria varet nga gjërat absolute, të cilat nuk mund të testohen në laboratore dhe as të perceptohen nga pesë shqisat. Një profesor i anatomisë punon mbi një numër të madh kufomash njerëzore dhe sheh se secili trup ka një zemër, një mëlçi dhe kështu me rradhë. Dhe vetëm pasi t`i ketë vëzhguar këto hollësi dhe veçanti, ai arrin të flasë në nivel absolut dhe të thotë se çdo njeri ka një zemër dhe një mëlçi. Pyetja është: "A e ka parë ai brendinë e çdo trupi që ekziston? Nëse do të mbështeteshim vetëm në gjërat e perceptuara nga pesë shqisat, si mund të pranoheshin të sakta teoritë shkencore?


E vërteta është se perceptimi racional, njësoj si ai shqisor, e ka rolin e tij në degët e diturisë dhe të dy vetëm sa e plotësojnë njëri-tjetrin. Me fjalën "racional" nënkuptojmë aftësinë njerëzore që është burimi i përfundimeve të tilla absolute si në shembujt e mësipërm dhe të gjithë e pranojnë se njeriu ka një aftësi të tillë. Si është e mundur atëherë, që një cilësi e tillë e krijuar prej Zotit (ose prej Natyrës, siç thonë ata) të jetë përherë gabim? Si është e mundur që gjithmonë të dështojë në funksionin që i është dhënë nga Krijuesi? Zoti nuk i ngarkon dikujt ndonjë detyrë, pa i krijuar më parë edhe metodat që do t`i mundësonin ta kryente atë.


Për diskutime më të gjera në lidhje me gabimet e perceptimit racional dhe shqisor, mund të shihen librat e logjikës.


Një tjetër diskutim filozofik


Njeriu në fëmijërinë e tij i kupton objektet përreth vetes dhe i di ato pa qenë i vetëdijshëm se posedon dhe po përdor një aftësi të quajtur perceptim dhe dituri. Kjo vazhdon kështu deri në kohën kur ai fillon të dyshojë në gjërat dhe t`i paramendojë ato. Pikërisht atëherë, njeriu kupton se e ka përdorur "diturinë" gjatë gjithë kohës. Me kalimin e viteve, ai gjithashtu kupton se konceptet e tija mbi të vërtetën dhe perceptimet e tija mund të jenë edhe gabim. E kupton gjithashtu se gabimi nuk mund të jetë tek objektet të cilat ai i kupton sepse në fund të fundit materja është fakt dhe nuk mund të jetë e gabuar ekzistenca e saj. Sipas kësaj, gabimi duhet të jetë në aftësinë e tij të të kuptuarit (perceptimit). Dhe në rastet kur nuk ka gabim në perceptime, fenomeni i krijuar emërtohet "dituri" dhe s`është tjetër veçse një perceptim që nuk lë hapësirë për ide të kundërta.


Në këtë shkallë, njeriu bëhet i vetëdijshëm për principin themelor se pozitiviteti dhe negativiteti nuk mund të bashkëekzistojnë dhe se nuk mund të mungojnë të dyja përnjëherë. Kjo e vërtetë themelore është gurthemeli i çdo mendimi teorik. Edhe sikur dikush të ketë dyshim për këtë, do ta dijë në mënyrë intuitive se ky "dyshim" nuk mund të bashkëekzistojë me negativin e tij, gjegjësisht"mosdyshimin".


Njeriu mbështetet mbi diturinë në të gjitha teoritë akademike dhe funksionet praktike. Madje edhe kur ndjehet në dyshim për ndonjë çështje, ai e identifikon këtë dyshim pikërisht duke e ditur se është dyshim. E njejta vlen edhe për rastet kur ai nuk di diçka, paramendon ose thjesht imagjinon. Në këtë rast, ai përsëri nëpërmjet diturisë e identifikon injorancën, paramendimin ose imagjinatën.


Në Greqinë antike u shfaq një grup i quajtur "sofist", i cili e mohoi ekzistencën e diturisë. Ata dyshuan në gjithçka madje edhe në veten e tyre dhe në vetë dyshimin. Skeptikët e mëvonshëm janë thuase pasardhësit e tyre në këtë lëmi. Ata e mohojnë diturinë e gjithçkaje tjetër përveç njohjës së vetvetes dhe mendjes së tyre. Argumentet e tyre janë:



  1. Dituria më e fortë (ajo që vjen nëpërmjet pesë shqisave) është shpesh e gabuar. Atëherë si mund të jetë njeriu i sigurt në diturinë e fituar nga burime të tjera? Duke e patur parasysh këtë, si mund të mbështetemi në një dituri që është jashtë vetes sonë?

  2. Kur duam të kuptojmë një objekt të jashtëm, ajo që ne kuptojmë është në të vërtetë dituria mbi atë objekt por jo objekti vetë. Atëherë, si mund ta kuptojmë vetë objektin?


Përgjigje argumentit të parë:



  1. Ky argument e mohon dhe e shkatërron vetveten. Nëse asnjë ide nuk mund të besohet, atëherë si mund të mbështetemi në idetë e shprehura në këtë argument?

  2. Të thuhet se një burim i diturisë është "shpesh" i gabuar, do të thotë të pranosh se mund edhe të jetë i saktë ndonjëherë. Atëherë si mund të mohohet tërësisht?

  3. Ne kurrë nuk kemi thënë se dituria jonë është gjithmonë e saktë. Por Sofistët dhe Skeptikët insistojnë se asnjë dituri nuk mund të jetë e saktë. Për ta vërtetuar gabimin e kësaj ideje universale negative, mjafton të gjejmë një ide positive që do ta kundërshtojë. Domethënë, duhet të vërtetojmë se një pjesë e diturisë mund të jetë e saktë dhe këtë e kemi bërë tashmë në përgjigjen e dytë.


Përgjigje argumentit të dytë:


Çështja që diskutojmë është dituria, gjegjësisht fenomeni i të zbuluarit të diçkaje. Skeptikët e pranojnë se në çastin që përpiqemi për ta kuptuar një objekt, ne e marrim vetëm diturinë për të. Problemi i madh i Skeptikëve është fakti se nuk e "kapim" dot vetë objektin. Por askush nuk ka thënë ndonjëherë se dituri do të thotë ta kapësh vetë objketin. Pretendimi ynë i vetëm është se dituria i zbulon disa të vërtetë në lidhje me objektin në fjalë, gjegjësisht në lidhje me gjënë që njihet si e tillë.


Për më tepër, një skeptik i mohon edhe këndvështrimet e tija personale duke pretenduar se nuk di asgjë përtej vetvetes dhe mendjes së tij. Por kur është i uritur ose ka etje, ai lëviz drejt bukës ose ujit. Kur sheh një mur që shembet, largohet prej tij. Përkundër kësaj , ai nuk përpiqet të gjejë ushqim kur vetëm mendon për urinë dhe nuk largohet me vrap vetëm kur mendon për një mur që rrëzohet. Kjo do të thotë, se ai nuk vepron sipas imazheve që gjenden në mendjen e tij (për të cilat pretendon se janë realiteti i vetëm) por sipas ndjenjave dhe perceptimeve që i vijnë nga jashtë. Perceptime këto, të cilat sipas tij, nuk kanë një realitet të vetin dhe nuk kanë besueshmëri.


Ka edhe një tjetër kundërshtim në lidhje me ekzistencën e diturisë. Ata e mohojnë ekzistencën e një diturie konstante dhe sipas kësaj i kanë vënë themelet e shkencave të sotme natyrore. Arsyetimi i tyre është si vijon:


Çdo atom në univers është në lëvizje të vazhdueshme dhe çdo objekt lëviz pa ndalur drejt përsosjes së tij ose shkatërrimit. Me fjalë të tjera, ajo që diçka ka qenë në një moment të caktuar, nuk është e njejtë në momentin e ardhshëm. Dhe ngase të kuptuarit dhe perceptimi janë funksione të trurit, janë cilësi materiale të një objekti material. Edhe ky proces, kontrollohet nga ligjet e ndryshimit dhe zhvillimit. Kjo do të thotë se të gjitha funksionet e trurit, duke përfshirë edhe diturinë, janë në ndryshim të vazhdueshëm. Andaj është gabim të thuhet se ka diçka të quajtur "dituri konstante". Sido që të jetë dituria, ajo ka vetëm vazhdueshmëri relative dhe një ide nuk mund të zgjasë më shumë se një tjetër. Është pikërisht ky perceptim jo i vazhdueshëm që quhet dituri.


Përgjije:


Ky argument mbështetet në pretendimin se dituria është diçka fizike dhe materiale. Por një supozim i tillë nuk është as i qartë as i vërtetuar. Nuk ka dyshim se dituria është abstrakte dhe jomateriale. Ajo nuk është diçka fizike dhe materiale sepse nuk i posedon cilësitë e materjes, të rradhitura më poshtë:



  1. Të gjitha materjet janë të copëtueshme. Dituria nuk është e copëtueshme në pjesë.

  2. Materja është e varur nga koha dhe hapësira. Përkundër kësaj, dituria është e pavarur prej tyre. Një ngjarje mund të ndodhë në një kohë dhe hapësirë të caktuar por ne mund ta kuptojmë atë në çdo kohë dhe çdo hapësirë, pa shkaktuar ndonjë ndryshim në të kuptuarin e saj.

  3. Siç pranohet nga të gjithë, materja është në lëvizje dhe në ndryshim të përhershëm. Por dituria në anën tjetër, nuk ndryshon. Dituria si dituri, nuk shkon bashkë me ndryshimin dhe këtë mund ta kuptojë secili pas një përsiatjeje të shkurtër.

  4. Të supozojmë për një çast se dituria është diçka që ndryshon si materja. Atëherë një objekt ose një ndodhi nuk do të mund të kuptohej me hollësitë e njejta në kohë të ndryshme. Po kështu, edhe një ngjarje e të kaluarës nuk do të mund të mbahej mend më vonë. Sepse siç thonë materialistët: "ajo që një gjë është në momentin e dhënë, nuk është e njejtë në momentin tjetër."


Këto krahasime tregojnë se dituria nuk është diçka materiale. Këtu duhet theksuar se nuk flasim për aksionet dhe reaksionet fizike, që duhet t`i pësojë truri njerëzor gjatë procesit të fitimit të diturisë. Një reaksion i tillë është vetëm një proces dhe një mjet drejt diturisë por nuk është dituria vetë.


Për analiza më të thella në këto çështje, mund të lexohen librat e filozofisë...



6. Sa për jobesimtarët, është krejt njësoj në do i paralajmërosh ose jo, ata s`kanë për t`besuar.


7. Zoti atyre ua ka vulosur zemrën dhe të dëgjuarit e mbi sytë e tyre ka një perde. Për ta do të ketë një dënim të madh...



Komentimi:



Sa për jobesimtarët, është krejt njësoj në do i paralajmërosh ose jo, ata s`kanë për t`besuar...



Ata ishin njerëzit të cilët me kokëfortësi vazhduan ta mohonin besimin dhe në zemrat e të cilëve mohimi ishte rrënjosur fort. Kjo mund të kuptohet nga fakti se paralajmërimi ose jo i tyre është krejt pa rëndësi sepse ata nuk ndryshojnë në kokëfortësinë e tyre. Ky varg me shumë gjasa u drejtohet jobesimtarëve nga Kurejshi (fisi i Profetit), të cilit ishin armiqtë më të mëdhenj të Islamit, që bënë gjithçka për ta shuar dritën e besimit. Ata vazhduan në kokëfortësinë e tyre derisa Zoti i shkatërroi ata në Bedr dhe në beteja të tjera. Fjalia "është krejt njësoj në do i paralajmërosh ose jo" e përforcon edhe më tej këtë kuptim sepse tregon se ky varg nuk mund të jetë i vlefshëm për të gjithë jobesimtarët e botës. Sikur të ishte i tillë, udhëzimi hyjnor do të ishte i pamundur. Përveç kësaj, kjo fjali e njejtë përmendet edhe në kapitullin "Ja Sin" të Kur`anit, i cili është ndër kapitujt e shpallur në Mekke. Pastaj, po kjo fjali na paraqitet edhe në këtë kapitull, i cili është kapitulli i parë i shpallur në Medine. Edhe në raste të tjera, i njejti shpjegim vlen për fjalën "jobesimtarët", përveç kur është e qartë nga konteksti se ka të bëjë me ndonjë grup tjetër përveç mekkasve.


Në të njejtën mënyrë, në të gjitha rastet kur në Kur`an përdoret fraza "ata që besuan", flitet për muslimanët e hershëm, përveç nëse kuptimi flet qartë për dikë tjetër, në varësi nga konteksti. Kjo shprehje u nda për muslimanët e hershëm si një nder i bërë ndaj tyre.



Zoti atyre ua ka vulosur zemrën dhe të dëgjuarit e mbi sytë e tyre ka një perde. Për ta do të ketë një dënim të madh...



Zoti e ka treguar vulosjen e zemrave të tyre si një vepër të Tijën por perden që e kanë mbi sy, si një meritë të vetë jobesimtarëve. Këtu thuhet se ata kanë vendosur një perde mbi sytë e tyre, që u pengon ta shohin dritën e të vërtetës dhe kjo s`është tjetër veçse zgjedhja e vetë atyre. Kështu pra, pas mohimit të tyre dhe pas mëkateve, Zoti u vendosi edhe një mbulesë tjetër, një vulë mbi zemrat e tyre. Pra mohimi dhe veprat e tyre të liga gjenden mes dy "perdesh" kundër të vërtetës: e para nga vetja e tyre dhe e dyta nga Zoti.


Një shpjegim më i hollësishëm për këtë çështje, do të jepet në vargun 26 të po këtij kapitulli.


Pra mohimi, njësoj si besimi, ka disa nivele dhe grada, të cilat ndryshojnë nga njëra-tjetra.


Analiza e vargjeve të mësipërme nëpërmjet haditheve


Në përmbledhnen "el-Kafi", Zubejriu përcjell se një ditë e ka pyetur Imam Sadikun (pqmt): "A më thua vallë, sa mënyra mosbesimi rrëfehen në librin e Zotit?"


Imam ia ktheu:



Mosbesimi sipas librit të Zotit mund të jetë pesë llojesh: mosbesimi nga mohimi,(që ndahet në dy brenda vetes), mosbesimi nga pakujdesia ndaj urdhrave të Zotit, mosbesimi nga të larguarit dhe mosnjohja dhe mosbesimi për shkak të mosmirënjohjes.



  1. Mosbesim nga mohimi, do të thotë ta mohosh pozitën e Zotit si Zot. Të tilla janë fjalët e atyre që thonë se s`ka as Zot, as Ferr, as Parajsë. Është fjala e dy grupeve ateiste që thonë: "asgjë nuk na shkatërron neve përveç kohës..." (Kur`an 45:24). Kjo është një fe e shpikur prej tyre sepse ashtu u pëlqente por e krijuan pa patur asnjë dëshmi për pikëpamjet e tyre. Prandaj për ta, Zoti thotë: "Ata s`kanë dituri por vetëm parashikojnë.."(Kur`an 45:24). Zoti gjithashtu thotë: "Sa për jobesimtarët, është krejt njësoj në do i paralajmërosh ose jo, ata s`kanë për t`besuar..."

  2. Mosbesimi i dytë është mohimi edhe përkundër faktit se ke dituri. Kjo do të thotë se mohuesi e mohon Zotin ndonse e di se Zoti është e Vërteta dhe ndonse është i bindur për këtë gjë në zemër. Zoti ka thënë për ta: Dhe i mohuan padrejtësisht dhe me krenari ndonse shpirti i tyre ishte i bindur... (Kur`an 27:14) ... dhe më parë ata luteshin për fitore kundër jobesimtarëve por kur atyre u erdhi ajo që e njihnin, ata s`e besuan. Dhe mallkimi i Zotit është mbi jobesimtarët. (Kur`an 2:89). Këto ishin dy llojet e mosbesimit nga mohimi...

  3. Mënyra e tretë e mosbesimit është mosmirënjohja ndaj të mirave të Zotit dhe është ashtu siç e shpreh Zoti nëpërmjet Sulejmanit (pqmt): "Ky është bekimi i Zotit tim për të parë në jam mirënjohës ose jo. Dhe ai që është mirënjohës është i tillë për veten e tij dhe kushdo që s`tregon mirënjohje, le ta dijë se Zoti është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdishëm." (Kur`an 27:14) Në një tjetër varg thuhet: "Nëse falënderoni, s`ka dyshim se do t`ju jap më tepër dhe në qofshi mosmirënjohës, i ashpër është dënimi Im..." (Kur`an 14:7) "Andaj më kujtoni Mua dhe Unë do ju kujtoj. Jini falënderues ndaj Meje dhe jo mosmirënjohës. (Kur`an 2:152) (Në të gjitha vargjet e mësipërme, kur flet për mosmirënjohjen, Zoti e përdor fjalën "el-kufr", që do të thotë "mosbesim")

  4. Mënyra e katërt e mosbesimit është largimi nga urdhërat e Zotit ose shpërfillja e tyre. Zoti ka thënë: Dhe kur lidhëm besë me ju që të mos derdhni gjak e të mos i dëboni njerëzit nga shtëpitë e tyre, ju dhatë premtim dhe dëshmuat. Por prapë ju jeni ata që i vrisni njerëzit tuaj dhe i dëboni disa prej jush nga shtëpitë, duke u përkrahur mes veti kundër tyre dhe duke i kaluar kufijtë. Dhe tani sikur t`u vinin si robër, ju pa dyshim do t`i blenit ndonse vetë dëbimi i tyre ishte i palejuar për ju. Mos vallë e besoni njërën pjesë të librit dhe e shpërfillni pjesën tjetër? (Kur`an 2:84-85) Në këtë varg Zoti i ka akuzuar me të qenit jobesimtar sepse ata nuk i ndiqnin urdhrat e Zotit. Duhet theksuar se Zoti këtu e përmend faktin se ata besuan, por thotë se Ai nuk e pranon besimin e tyre dhe se një besim i tillë nuk u sjell dobi. Andaj Ai, më tej thotë: Ç`mund të jetë shpërblimi i atyre prej jush që vepruan kështu, përveç poshtërimit në jetën e kësaj bote? Dhe në Ditën e Gjykimit ata do të dërgohen drejt dënimit më të dhimbshëm. Zoti s`është i pakujdesshëm ndaj asaj që bëni... Kur`an (2:85)

  5. Mënyra e pestë e mosbesimit është largimi nga diçka dhe mosnjohja e mëtejme. Thuhet: ne s`u njohim juve dhe mes nesh ka lindur urrejtja dhe armiqësia derisa të besoni në Zotin e vetëm... (Kur`an 60:4). Kjo do të thotë se ndahemi e largohemi nga ju. Pastaj duke e përshkruar Iblisin dhe largimin e tij në Ditën e Gjykimit, nga njerëzit që e kanë ndjekur, Zoti thotë: pa dyshim, unë edhe më parë s`pranova (njoha) që të më shihnit të barabartë me Zotin.. (Kur`an 14:22). Dhe në vijim thuhet: ...dhe thuaj: "keni krijuar idhuj përveç Zotit si shenjë e miqësive tuaja në jetën e kësaj bote por pastaj në Ditën e Gjykimit, do ta mohohi dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin... (Kur`an 29:25) dmth. do të largoheni nga njëri-tjetri.


Autori: Kjo thënie e konfirmon faktin që përmendëm më sipër se mohimi (njësoj si besimi) ka disa grada dhe nivele.



8. Dhe ka ca njerëz që thonë: "Ne e besuam Zotin dhe Ditën e Gjykimit" e nuk janë nga besimtarët


9. Ata duan t`i mashtrojnë Zotin dhe ata që besuan por s`mashtrojnë tjetër veç vetvetes e s`e kuptojnë


10. Ka sëmundje në zemrat e tyre dhe Zoti vetëm sa ua ka shtuar atë. Për ta ka një dënim të dhimbshëm për gënjeshtrën që e thonë.


11. Dhe kur u thuhet: "Mos bëni trazira mbi dhé!", ata thonë: "Ne jemi vetëm pajtues.."


12. Pa dyshim, ata vetë janë shkatërruesit por s`e kuptojnë..


13. Dhe kur u thuhet: "Besoni siç besuan njerëzit!", ata thonë: "Të besojmë vallë ashtu si besuan mendjelehtët?" Pa dyshim, ata vetë janë mendjelehtë por s`e dinë...


14. Dhe kur i takojnë besimtarët, thonë: "Ne besojmë" por kur janë vetëm me djajtë e tyre, thonë: "Pa dyshim, ne jemi si ju dhe me ata vetëm u tallëm."


15. Zoti ua kthen këtë tallje dhe i lë vetëm në rebelimin e tyre që të enden si të verbër tejembanë.


16 Janë këta që e shkëmbyen udhëzimin për gabime dhe tregtia e tillë s`u sjell dobi as i udhëzon në të drejtën.


17. Shembulli i tyre është si shembulli i një njeriu që ndezi zjarr, por shi kur zjarri i ndriçoi gjithçka përreth, Zoti ia morri dritën dhe e la në errësirën ku s`shihet gjë..


18. Janë të shurdhër, memecë e të verbër dhe andaj s`kthehen.


19. Ose janë si të zënë në një shi të fortë nga qiejt, me errësirë, me bubullima e vetëtimë. Dhe ata nga frika e vdekjes i mbyllin me gishta veshët e tyre. Por Zoti i rrethon mohuesit nga çdo anë...


20. Vetëtima desh sa ua merr shikimin. Kurdo që të bjerë, ata ecin me dritën e saj dhe kur errësohet qëndrojnë në vend. Dhe sikur të donte Zoti, pa dyshim do t`ua merte të dëgjuarit e shikimin. Pa dyshim, Zoti është i fuqishëm për gjithçka..



Komentimi:


Këto tremdëdhjetë vargje janë në lidhje me hipokritët. Këtë temë do ta diskutojmë më hollësisht në kapitullin 63 ("Hipokritët") dhe në raste të tjera.



Ata duan t`i mashtrojnë Zotin dhe ata që besuan por s`mashtrojnë tjetër veç vetvetes e s`e kuptojnë...



Fjala e përdorur në origjinalin e vargut është "el-Khad`ah" që është një lloj mashtrimi.



por kur janë vetëm me djajtë e tyre...



Fjala e përdorur në origjinal është fjala "esh-Shejtan" që do të thotë "i lig" dhe "burim i të ligës". Kjo është arsyeja përse Iblisi u emërtua "Shejtan" (ose "Satan", në literaturën perëndimore).


Shembulli i tyre është si shembulli i një njeriu që ndezi zjarr...


Këtu thuhet se hipokritët janë sikur njeriu që është i rrethuar nga një errësirë verbuese në të cilën nuk mund të dallohet e mira nga e liga dhe e dobishmja nga e dëmshmja. Për të shpëtuar nga kjo gjendje ai ndez një zjarr dhe me dritën e tij ndriçohet pak. Por kur të jetë ndriçuar mirë e mirë, Zoti ia shuan zjarrin me anë të erës ose shiut dhe e lë ashtu siç ishte më parë, në një errësirë të skëterrtë. Por tani ai e gjen veten mes dy errësirash: atë të natës dhe atë që vjen nga dështimi i përpjekjeve të tija të dëshpëruara. Ky krahasim përshtatet në mënyrë të përsosur me hipokritët.


Një hipokrit thotë se është musliman dhe nëpërmjet kësaj trajtohet si i tillë në punë martese dhe trashëgimie dhe përfiton disa gjëra. Por kur i afrohet vdekja, që është në të vërtetë koha kur njeriu ia sheh dobinë besimit të tij, Zoti ia mer dritën, ia zhvlerëson të gjitha veprat dhe e lë në një errësirë, në të cilën s`shihet gjë. Me këtë, ai mbetet mes dy errësirash: një që e kishte që në fillim dhe një tjetër që e meritoi me veprat e tija.



Ose janë si të zënë në një shi të fortë nga qiejt...



"es-Sajjib" është fjala e përdorur në origjinal dhe do të thotë, shi i fortë ose i bollshëm. Për bubullimën përdoret fjala "er-Rad" dhe më tëj përmendet edhe "es-Saika" që është emri që i jepet vetëtimës.


Ky është një krahasim tjetër në lidhje me hipokritët. Flitet për një njeri që e zë një shi i fortë, e mbulon errësira dhe ia bën të pamundur ta gjejë rrugën. Shiu që bie në sasi të mëdha i thotë që të largohet që andej për të gjetur strehim por errësira e pengon nga kjo gjë dhe bubullima e vetëtimat vetëm sa ia shtojnë frikën. Por vetëtima i sjell një të mirë dhe ai e përdor dritën e saj për të ecur. Mirëpo kjo dritë zgjat vetëm për një çast dhe pas saj gjithçka fundoset prapë në errësirë. Ai vazhdon të hapërojë aq sa i lejon drita e vetëtimës dhe ndalon sa herë që ta mbulojë errësira.


Edhe hipokriti është në po këtë gjendje. Ai nuk e do Islamin por për të përfituar i duhet të duket si musliman. Fjalët që i thotë nuk ia prekin zemrën dhe ai flet gjëra që nuk i beson në zemrën e tij. Kjo është arsyeja përse rruga e tij nuk është e ndriçuar si duhet. Si pasojë, ai endet pa qëllim në jetë dhe këmbët i pengohen përherë. Ai hapëron pak dhe pastaj prap ndalon. Kështu Zoti e dënon atë me poshtërsim dhe sikur të dëshironte, do të mund t`ia merte shikimin dhe të dëgjuarit që në fillim, e ta poshtërsonte që atëherë.



21. O njerëz! Adhurojeni Zotin që ju krijoi juve dhe ata përpara jush, që të mund të mbroheni nga e liga!


22. Për ju, Ai e bëri tokën një shtrat dhe qiellin një godinë të ngritur. Është Ai që e zbriti shiun nga qiejt, për t`u krijuar ushqime. Dhe duke i ditur të gjitha këto, mos i gjeni të barabartë Atij!


23. Dhe në jeni në dyshim për atë që ia shpallëm robit Tonë, atëherë krijoni një kapitull si ky dhe thirrni dëshmitarët tuaj veç Zotit, në e thoni të vërtetën...


24. Dhe po s`e bëtë - e s`ka dyshim që s`keni për ta bërë - atëherë ruajuni zjarrit që ushqehet me njerëz e gurë. Ai u përgatit për jobesimtarët.


25. Dhe jepu sihariqe atyre që besojnë dhe bëjnë veprë të mira sepse për ta janë kopshtet ku rrjedhin lumej. Kurdo që t`u jepet një pjesë e frutave, ata do të thonë: "Kjo është ajo që na u dha edhe më parë". Atyre do t`u jepen të ngjashmet me to. Atje do të kenë bashkëshorte të pastra dhe do të qëndrojnë përjetë...



Komentimi:



O njerëz! Adhurojeni Zotin që ju krijoi juve dhe ata përpara jush, që të mund të mbroheni nga e liga!



Nëntëmbëdhjetë vargjet e kaluara merreshin me përshkrimin e tri kategorive të ndryshme të njerëzve: të virtytshim, të cilët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre, jobesimtarët (ose mohuesit), që i kanë zemrat e veshët të vulosura dhe sytë të verbuar dhe së fundmi, hipokritët, në zemrat e të cilëve ka "sëmundje", të cilën Zoti e shton dhe me këtë i bën të shurdhër, memecë dhe të verbër.


Pas kësaj, Zoti i fton njerëzit të jenë robër të mirë të Tij, ta adhurojnë Atë dhe të mos u bashkangjiten mohuesve dhe hipokritëve, por njerëzve të virtytshëm, të cilët mbrohen nga e liga. Në këtë kontekst, mund të thuhet se shprehja "që të mund të mbroheni nga e liga" është e lidhur me foljen "adhuroj". Sipas kësaj, mund të thuhet "adhuroje Zotin që të mund t`u bashkangjitesh atyre që mbrohen (nga e liga) dhe që janë të virtytshëm!" Në të njejtën kohë, mund të nxirret edhe një kuptim i lidhur me foljen "krijoi", në kuptimin: "Zoti u krijoi që të mund të mbroheshit nga e liga"



Për ju, Ai e bëri tokën një shtrat... mos i gjeni të barabartë Atij!



"el-Endad" është shumësi i fjalës "en-nid" (=i ngjashëm, i barabartë). Fraza "duke i ditur të gjitha këto" është një frazë e pakushtëzuar, e cila nuk le hapësirë për të kundërtën dhe me rreptësi e ndalon të gjeturit të barabartë me Zotin. Fjalia tregon se një njeri që ka sado pak dituri, nuk duhet të konsiderojë askënd të barabartë me Zotin dhe duhet ta dijë se Zoti është Ai që e ka krijuar atë dhe njerëzit përpara tij dhe është pikërisht Zoti, ai që e kontrollon këtë sistem të krijimit, që i mban ata të gjallë dhe i furnizon.



Dhe në jeni në dyshim për atë që ia shpallëm robit Tonë, atëherë krijoni një kapitull si ky...



Kjo është një sfidë të cilën njerëzit dhe xhinnët nuk mund ta përballojnë. Kjo sfidë është ofruar si një demonstrim i mrekullisë së Kur`anit dhe për të treguar se ai është një libër i shpallur nga Zoti. Me këtë sfidë, tregohet fakti se Kur`ani është shpallur si një mrekulli e përjetshme, që do të mbijetojë deri në fund të botës. Ky fakt përsëritet disa herë në Kur`an:



Thuaj: "Sikur njerëzit e xhinnët të mblidheshin bashkë për të krijuar një Kur`an të ngjashëm, s`do ta krijonin dot, ndonse do t`ishin ndihmës të njëri-tjetrit... Isra (Udhëtimi i natës) 17:88


Ose mos vallë thonë: "Ai e ka trilluar."?Thuaj: "Atëherë sillni dhjetë kapituj të trilluar si ky dhe në e thoni të vërtetën, kërkoni ndihmë prej kujt të doni veç Zotit!" Hud 11:13



Në këtë kontekst, shprehja "një kapitull si ky" është në lidhje me "atë që ia shpallëm robit tonë" gjegjësisht Kur`anin. Kjo është një sfidë e drejtuar atyre, për të sjellë një libër të ngjashëm me Kur`anin, përnga stili dhe kuptimi.


Fraza e përdorur në këtë rast, "min mithlihi" (e përkthyer këtu me fjalët "si ky") mund gjithashtu të jetë edhe në kuptimin "nga një njeri si ky". Në këtë rast, do të ishte një sfidë për të sjellë një vepër të ngjashme me Kur`anin, të shkruar nga një njeri i ngjashëm me të Dërguarin. Kur`ani iu shpall një njeriu, i cili kurrë nuk pati mësues që t`ia mësonte këto të vërteta të mrekullueshme dhe kurrë nuk morri mësime të oratorisë nga ndonjë njeri tjetër. Nëse jobesimtarët mendojnë se një njeri i tillë mund me lehtësi të prodhojë diçka të ngjashme, duhet të sjellin një libër të tillë të përpiluar nga një analfabet. Në këtë drejtim, vargu në fjalë do ta kishte kuptimin e njejtë me vargun:



Thuaj: "Po të donte Zoti të bëhej ndryshe, unë s`do t`ua lexoja këtë dhe as që do t`ua mësonte Ai. Pa dyshim, unë kam jetuar me ju edhe më parë, a s`kuptoni akoma? Junus 10:16



Të dy shpjegimet janë dhënë në thënie të ndryshme të të Dërguarit (pqmtmpt).


Vargjet e tilla i sfidojnë kundërshtarët e Kur`anit që të sjellin kapituj të ngjashëm, qofshin edhe ato të shkurtër sa kapitujt më të shkurtër të Kur`anit, si kapitutj "Keuther"(Begatia) dhe "Asr"(Koha).


Në një komentim të çuditshëm të Kur`anit, dikush shkruante se fraza "një kapitull si ky" në vargun në fjalë, ka të bëjë pikërisht me kapitullin "Bakara" në të cilin është i shpallur ky varg. Ky shpjegim flet për një mungesë të plotë të një sensi letrar. Ata që nuk e besonin Kur`anin, e mohuan të tërë librin si një shpikje. Ç`qëllimi mund t`i shërbente vallë një sfidë e tillë, që u kërkon të sillnin një kapitull si kapitulli "Bakara"? Një sfidë e tillë do të thoshte: "Nëse jeni në dyshim pas kapitujve të shkurtër si "Keuther" (Begatia) dhe "Ihlas"(Pastërtia), atëherë sillni një kapitull të gjatë si "Bakara" (Lopa)."


Një diskutim mbi mrekullinë në përgjithësi dhe mbi mrekullitë e Kur`anit


Mrekullia dhe realiteti i saj


Fjalët e Kur`anit, sipas të cilave ai e prezanton veten si një mrekulli dhe sfida që u drejtohet mohuesve të tij, në të vërtetë, përmban në vete dy pretendime. Fillimisht, pretendimin se mrekullitë dhe gjërat e mbinatyrshme ndodhin dhe së dyti, pretendimin se Kur`ani vetë është një mrekulli e tillë. Nëse e dyta vërtetohet, me automatizëm do të jetë e vërtetuar edhe e para. Për këtë arsye, sfida e Kur`anit ka qenë gjithmonë kërkesa që të sillnin diçka të ngjashme me të, që të mund t`i vërtetonte të dy këto pretendime njëkohësisht.


Si ndodh mrekullia? Në fund të fundit, ajo është në kundërshtim me sistemin e shkakshmërisë (çdo shkak ka një pasojë), i cili nuk mund të mohohet në asnjë mënyrë. Kur`ani e shpjegon këtë temë duke vënë theks mbi dy pika me rëndësi:



  1. Mrekullia është një realitet që ekziston. Kur`ani është një shembull i kësaj dhe me këtë e vërteton ekzistencën e mrekullisë në përgjithësi. Ai i sfidon kundërshtarët e tij dhe me këtë e vërteton vetveten.

  2. Ç`është realiteti i mrekullisë? Si mund të ngjajë diçka në natyrë dhe të jetë kundër ligjit universal të shkakshmërisë?


Mrekullia e Kur`anit


Pa dyshim, Kur`ani ka ofruar sfida të vazhdueshme, me të cilat e ka vërtetuar faktin se është një mrekulli. Sfida të tilla janë shprehur vazhdimisht, si në periudhën mekkase të shpalljes ashtu edhe në atë medinase. Të gjitha këto tregojnë se ky Libër është një mrekulli hyjnore dhe një shenjë mbinatyrore. Vargu i diskutuar më sipër ("Dhe në jeni në dyshim për atë që ia shpallëm robit Tonë, atëherë krijoni një kapitull si ky") është njëra prej këtyre sfidave. Me këtë, Kur`ani u kërkon atyre që të sjellin një kapitull të tillë të krijuar nga ana e një njeriu siç ishte Profeti (pqmtmpt). Vlen të theksohet se Kur`ani nuk përpiqet për ta vërtetuar drejt për së drejti profetësinë e Muhammedit (pqmtmpt) dhe nuk thotë: "nëse keni dyshim për profetësinë e robit tonë...". Në vend të kësaj, thuhet: "në jeni në dyshim për atë që ia shpallëm robit tonë.. Po kështu, të gjitha sfidat e shprehura në Kur`an kanë për qëllim vërtetimin e faktit se ky Libër është një shenjë mbinatyrore nga Zoti. Me vërtetimin e kësaj, do të vërtetohej edhe profetësia e Muhammedit (pqmtmpt).


Vargjet që pëmbajnë sfida të tillë mund të jenë të veçanta dhe të përgjithshme. Nga më të përgjithshmet, është vargu:



Thuaj: "Sikur njerëzit e xhinnët të mblidheshin bashkë për të krijuar një Kur`an të ngjashëm, s`do ta krijonin dot, ndonse do t`ishin ndihmës të njëri-tjetrit... Isra (Udhëtimi i natës) 17:88



Ky varg i takon periudhës mekkase të shpalljes së Kur`anit dhe mund të shihet qartë në të, se sfida e shprehur është gjithëpërfshirëse.


Mund të shihet se sipas këtij vargu, sfida nuk kufizohet vetëm në rrjedhshmërinë e pakrahasueshme të Kur`anit dhe në stilin e tij letrar. Po të ishte kështu, kjo sfidë nuk do t`i përfshinte joarabët dhe do të ishte e vlefshme vetëm kundër arabëve që flisnin një arabishte të pastër, gjegjësisht kundër arabëve të kohës pagane (përpara se të përhapej Islami edhe në krahina joarabe dhe arabët të përziheshin me popujt e tjerë) dhe në rastin më të mirë, kundër atyre që kishin arritur të jetonin edhe në kohën pagane edhe atë islame. Por ky varg jo vetëm që e sfidon gjithë njerëzimin por i sfidon edhe xhinnët.


Sa për disa cilësi të veçanta të Kur`anit (si realitetet e thella shpirtërore, morali i lartë, kodi gjithëpërfshirës dhe i drejtë ligjor, njohurit mbi të fshehtën dhe mbi gjëra të tjera, të cilat njerëzit as që i kishin menduar përpara shpalljes së tij), mund të thuhet se ishin të një natyre të tillë, që vetëm një grup i zgjedhur në mesin e njerëzve mund t`ua kuptonte vlerën. Por edhe përkundër kësaj, sfida është e përgjithshme dhe i përfshin të gjithë njerëzit dhe xhinnët. Kjo lë të kuptohet se vargu në fjalë nuk flet për sjelljen e një libri të ngjashëm me Kur`anin vetëm në një dimension të caktuar të tij por në të gjitha dimensionet.


Kur`ani është një mrekulli. Për një letrar, kjo mrekulli shfaqet në stilin e tij dhe në bukurinë e pakrahuseshme gjuhësore. Për një të urtë, në urtësinë e tij. Për një dijetar, në diturinë e thellë që e shfaq. Për një sociolog, në rendin e tij shoqëror. Për një ligjvënës, në sistemin e tij të jurispudencës. Për një politikan, në politikën. Për një sundues, në sundimin e tij të themeluar në drejtësi. Dhe së fundmi, për gjithë botën, në gjëra si dituria mbi të fshehtën, parashikimi i ardhmërisë, mungesa e kundërthënieve në ligjet e tij, dituria dhe shprehja e bukur.


Kur`ani thotë se është një mrekulli gjithëpërfshirëse që i ngërthen në vete të gjitha dimensionet. Ai është një mrekulli për çdo njeri dhe xhinn, pa dallim në është një person i zakonshëm ose i zgjedhur, i ditur ose injorant, mashkull ose femër, i një niveli të lartë ose të ulët. Thënë shkurt, ai është një mrekulli për gjithkë që ka inteligjencë të mjaftueshme ta kuptojë gjuhën e tij. Përnga natyra, njeriu mund ta perceptojë një virtyt në nivele të ndryshme. Çdo njeri duhet ta gjejë një cilësi të lëvdueshme tek vetja ose tek të tjerët, ta gjejë atë virtyt të njejtë tek Kur`ani për t`i krahasur të dyja dhe pastaj të vendosë, në mënyrë të sinqertë, në është në fuqinë e njerëzve të sjellin një vepër të ngjashme me të. Është e mundur vallë, që njeriu të sjellë një dituri hyjnore, kaq bukur të shprehur dhe të dëshmuar si ajo e Kur`anit? A është njeriu i aftë, që duke u mbështetur në realitetin, të krijojë një sistem vlerash njerëzore, që në mënyrë të sinqertë të mund të krahasohen me mësimet kuranore të pastërtisë dhe moralit? Munden vallë njerëzit të sjellin ligje të tilla që e përfshijnë të tërë aktivitetin njerëzor, pa ndonjë kundërthënie mes veti dhe duke mundësuar që shpirti i monoteizmit dhe i virtytit të depërtojnë në të gjitha sferat e këtij sistemi? Si është e mundur vallë, të vijë një ligj i tillë nga një njeri që s`ka shkrim-lexim? Nga një njeri, i cili u rrit në një shoqëri ky virtyti njerëzor përbëhej nga një jetë e varur nga plaçkitjet dhe luftërat, ku foshnjat femra varroseshin të gjalla dhe ku fëmijët vriteshin nga frika e urisë. Një shoqëri, ku njerëzit krenoheshin me prejardhjen e tyre, martoheshin me nënat dhe ku imoraliteti dhe injoranca ishin krenari e dituria s`kishte kurrfarë vlere. Një shoqëri, që edhe përkundër krenarisë dhe shovinizmit aq të theksuar, ishte viktimë e çdo fuqie të madhe të kohës dhe një pre e lehtë për çdo pushtues. Një ditë ishin nën sundimin e Jemenit, një ditë nën etiopianët, në tjetrën ishin bizantinët që i sundonin derisa të vinte koha që këtë poshtërsim ta vazhdonin persët. Kështu dukej Arabia para Islamit. Dhe pikërisht në një mjedis të tillë, Kur`ani u soll nga i Dërguari i Zotit.


Të supozojmë se një njeri sjell një libër, për të cilin pretendon se është udhëzim për botët dhe në të përfshin edhe njohuri mbi të fshehtën, mbi të kaluarën dhe të ardhmen e përcjell shumë tregime dhe ngjarje që përmbajnë në vete dituri të të fshehtës dhe parashikime të ardhmërisë. Si do të gjykonit vallë, nëse nuk gjendej ndonjë gabim as edhe në hollësinë më të vogël të gjërave që i thotë?


Njeriu është pjesë e natyrës dhe e botës materiale, e cila ndryshon vazhdimisht nga një gjendje në tjetrën. A është e mundur që dikush të flasë për çdo çështje të jetës njerëzore, t`i japë botës dituri, ligje, urtësi, paralajmërime dhe shpjegime mbi çdo çështje, qoftë të vogël ose të madhe dhe gjatë gjithë këtij procesi, të mos tregojë kundërthënie mes tyre ose të mos shfaqë gjurmë të një zhvillimi gradual të ideve? Si mund të jetë i mundur një uniformizëm i tillë, kur të merret parasysh se të gjithë këto mësime, nuk janë dhënë përnjëherë por janë shprehur pjesë pjesë, në një periudhë prej njëzet e tre vjetësh? Dhe e gjithë kjo, në një rast kur këto tema janë përsëritur me dhjetëra e dhjetëra herë gjatë kësaj periudhe. Pa dyshim, është e pamundur një gjë e tillë, sepse dituria e njeriut nuk mund të qëndrojë konstante dhe e pandryshuar gjatë gjithë jetës së tij.


Kur njeriu t`i analizojë këto fakte në lidhje me Kur`anin, duke i patur parasysh cilësitë e sipërpërmendura, nuk do t`i mbetej kurfarrë dyshimi në lidhje me origjinën e tij hyjnore dhe do të ishte i bindur se Kur`ani është shumë përtej fuqisë njerëzore dhe qëndron përmbi shkaqet natyrore dhe materiale. Nëse dikush nuk është i aftë t`i kuptojë këto fakte, ai duhet t`i ndjekë instinktet e tija natyrore në një rast të tillë dhe t`i pyesë ata që janë më të ditur në lidhje me këto tema.


Pyetje: Përse Kur`ani nuk e kufizoi sfidën e tij vetëm kundër elitës intelektuale? Ç`është arsyeja e përfshirjes së masave në një thirrje të tillë? Sepse në fund të fundit, masat njerëzore ndikohen shumë lehtë nga sfida të tilla dhe janë gjithmonë të gatshme ta ndjekin secilin që del e thotë diçka. Është më se e qartë se pikërisht masat e gjera njerëzore u mashtruan lehtë nga njerëz si Bab-i, Bahaiu, Mirza Gulam Ahmed Kadijaniu dhe Musejlemeja 1 , ndonse gjërat që ata sollën si argumente, nuk ishin tjetër veçse një demagogji e pakuptimtë dhe fjalime emocionuese.


Përgjigje: Kjo është mënyra e vetme për ta mbajtur mrekullinë në një dimension gjithëpërfshirës dhe metoda e vetme e mundur për ta kuptuar përsosmërinë dhe superioritetin e një cilësie e cila mund të ketë grada të ndryshme. Njerëzit kanë nivele të ndryshme të të kuptuarit. Po kështu, edhe virtytet ndryshojnë në varësi prej nivelit të përsosmërisë së tyre. Ata që kanë një nivel të lartë të të kuptuarit dhe një perceptim të qartë, lehtësisht do ta kuptojnë cilësinë e një punë të vlefshme. Kurse ata që nuk janë aq të mprehtë në të kuptuar, mund t`u drejtohen të parëve për të marrë një vendim. Ky është ligj i natyrës dhe kërkesa e psikës njerëzore.


Një mrekulli universale dhe gjithëpërfshirëse, që të mund t`i drejtohet çdo individi të çdo kohe dhe hapësire, që të mund t`u përcillet të gjithëve dhe të mbijetojë deri në fund të botës, duhet domosdo të përbëhet nga një sërë diturish hyjnore dhe realitetesh shpirtërore. Të gjitha mrekullitë e tjera mund të jenë vetëm objekte materiale, në kornizat e ligjeve të natyrës, të cilat janë të kufizuara në kohë dhe hapësirë. Ato mund të shihen vetëm nga një numër i kufizuar njerëzish ose në rastin më të mirë, nga të gjithë njerëzit e një vendi në një kohë të caktuar. Por nuk mund të dëshmohen nga njerëzit që jetojnë në vende të tjera. Edhe sikur të pranojmë se një mrekulli ndodhi dhe u dëshmua nga të gjithë njerëzit e botës, ajo nuk mund të vazhdojë përjetësisht që të mund ta vëzhgojnë edhe gjeneratat vijuese.


Kjo është arsyeja përse Zoti zgjodhi një mrekulli të dimensionit "akademik" dhe shpirtëror. Iu dha Kur`ani, profetit të Islamit, që të mund të vazhdonte sfida e tij për gjithë njerëzimin, në të gjitha kohët dhe hapësirat. Në këtë mënyrë, mbijeton realiteti i mrekullisë në përgjithësi, duke e sfiduar çdo njeri, në çdo kohë dhe hapësirë.


1: (shënim i përkthyesit) Sejjid Muhammed Shirazi i ashtuquajtur "Bab" (porta) dhe Mirza Husejn Ali Nuri i vetëshpalluar "Baha`u`llah" (Lavdia e Zotit) janë dy personalitete kyçe të lëvizjes Baha`i. I pari pretendonte se ishte Mehdiu i shumëpritur kurse i dyti u vetëshpall i dërguar i Zotit për njerëzimin. "Bab"-i u ekzekutua në Shiraz në vitin 1850 kurse Mirza Husejn Ali Nuriu vdiq në arrest shtëpiak në rrethinat e qyteti Akka, në vitin 1892.


Mirza Ghulam Ahmed është themeluesi i lëvizjes "Ahmedije" dhe ngjashëm si të sipërpërmendurit, pretendonte se ishte Mesihu dhe Mehdiu i premtuar i njerëzimit. Vdiq në vitin 1908.


Musajlime ibn Habib el Hanifi nga Jemmame ishte profet i rremë i kohës së Muhammedit (pqmtmpt) i cili pretendonte se ishte i dërguar i Zotit dhe që mashtroi një grup njerëzish me këto pretendime. U vra në kohën e kalifatit të Ebu Bekrit, në betejën e Jemmames.


Sfida e parë speficike e Kur`anit: dituria


Kur`ani në veçanti i ka sfiduar mohuesit e tij nëpërmjet diturisë dhe arsyes. Zoti thotë:


...dhe ua kemi shpallur Librin që shpjegon qartazi gjithçka... Nahl (Bleta) 16:89


...as diçka të njomë ose të thatë, që s`është në librin e qartë.. En`am (Kopeja) 6:59


Ka shumë vargje të tjera të kësaj teme. Islami është kujdesur për çdo çështje të vogël ose të madhe në lidhje me njohjen e Zotit, moralin njerëzor dhe ligjet fetare, duke i përfshirë temat si adhurimi, marrëdhëniet ndërnjerëzore, rendi shoqëror, kodi penal dhe gjithçka tjetër, që është e rëndësishme për jetën dhe karakterin e njeriut. Për ta kuptuar këtë mjafton të shihen mësimet themelore të Kur`anit dhe fjalët e të Dërguarit (pqmtmpt), për të cilin thuhet:



"Çfarëdo që u jep i Dërguari merreni dhe largohuni nga gjithçka që ai ua ndalon.". Hashr (Dëbimi) 59:7


"...që të mund të gjykosh mes njerëzve me atë që të ka mësuar Zoti"...Nisa (Gratë) 4:105



Të gjithë këto mësime mbështeten në themelet e natyrës njerëzore dhe të monoteizmit. Po t`i analizoni hollësitë e tyre, do të shihni se themeli i gjithçkaje është monoteizmi dhe po t`i kombinoni principet relevante me këtë themel, do t`i përfitoni të gjitha detajet e çështjeve.


Pastaj Kur`ani ka deklaruar se e gjithë dituria që ai përcjell do të mbetet e vlefshme deri në fund të botës, do të vazhdojë ta udhëzojë njerëzimin dhe gjithmonë do të jetë relevante për nevojat e njeriut dhe për mjedisin ku jeton. Zoti thotë:



...dhe është një Libër i madhërueshëm e gënjeshtra s`i afrohet as nga para as nga prapa. Është shpallje e të Urtit, të Lëvduarit...Fussilat ("e shpjeguar në hollësi") 41:41-42


Ne e kemi shpallur Përkujtuesin dhe s`ka dyshim se Ne jemi mbrojtësit e tij...Hixhr (Shkëmbi) 15:9



Me fjalë të tjera, Kur`ani është përtej ndryshimeve dhe zhvillimit dhe nuk mund të shpallet i pavlefshëm.


Këtu mund të thuhet: "Sociologët janë të mendimit se ligjet dhe rregullat mbisunduese në një shoqëri duhet të ndryshojnë sipas ndryshimeve në strukturën e saj. Me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e civilizimit, lind nevoja për ndryshimin e ligjeve që të mund të përshtatemi me situatat e reja. Atëherë si mundet ligji islam të mbijetojë i pandryshuar ndër shekuj?"


Në dashtë Zoti, këtë do ta shpjegojmë në komentimin e vargut "i gjithë njerëzimi ishte një popull..." (2:213). Këtu mjafton të theksojmë se Kur`ani i ka zhvilluar ligjet e tij mbi themelet e monoteizmit dhe të një etike të shkëlqyeshme, që e kanë zanafillën në natyrën e pastër njerëzore. Kur`ani thotë se ligjvënia duhet të përqëndrohet në thelbin e krijimit dhe të ekzistencës. Por sociologët, në anën tjetër, janë përqëndruar krejtësisht në ndryshimet shoqërore, duke e lënë mënjanë moralin dhe anën shpirtërore të monoteizmit. Si pasojë, fjalët e tyre përqëndrohen në zhvillimin material të shoqërisë, e cila në sytë e tyre është një formë që nuk ka shpirt...


Dhe fjala e Zotit është më e lartësuara...


Sfida e dytë specifike e Kur`anit: personi të cilit i shpallet


Një tjetër dimension i mrekullisë së Kur`anit është pikërisht personaliteti i Profetit (pqmtmpt), i cili e solli atë si një mrekulli, si përnga stili i përsosur ashtu edhe përnga kuptimi i tij. Ai nuk pati asnjë mësues dhe nuk u stërvit nga dikush. Kjo sfidë shprehet në vargun vijues:



Thuaj: "Po të donte Zoti të bëhej ndryshe, unë s`do t`ua lexoja këtë dhe as që do t`ua mësonte Ai. Pa dyshim, unë kam jetuar me ju edhe më parë, a s`kuptoni akoma? Junus 10:16



 I Dërguari (paqja qoftë mbi dhe mbi pasardhësit e tij) kishte jetuar me ta dhe ishte njëri prej tyre. Në gjithë ato vite, ai kurrë nuk u dallua nga të tjerët si dijetar dhe nuk krijoi ndonjë famë me diturinë që kishte. Ai nuk mbajti ligjërata dhe nuk krijoi as edhe një varg të vetëm poezie deri në moshën dyzetvjeçare, që janë dy të tretat e jetës së tij. Ai nuk u dallua si letrar ose dijetar në gjithë këto vite. Pastaj krejt papritmas, ai solli diçka, për të cilën thoshte se ishtë shpallja e Zotit dhe përpara kësaj shpalljeje, letrarët më të mëdhenj u ndjenë të vegjël dhe oratorët më të zotë mbetën të pafjalë. Kjo shpallje u përhap në të katër anët e botës dhe për shekuj me rradhë, askush nuk guxoi të sillte diçka të ngjashme me të.


E shumta që arritën të thonin armiqtë e tij, ishte se ai duhet t`i kishte mësuar këto tregime nga murgjërit e krishterë gjatë udhëtimeve të tija tregtare për në Siri. Por ai kishte qenë në Siri vetëm dy herë. E para ishte në fëmijërinë e tij të hershme, bashkë me xhaxhain e tij, Ebu Talibin dhe e dyta, kur ishte njëzet e pesë vjeç, bashkë me Mejseren, robin e Hatixhes. Në të dy këto udhëtime, ai ishte gjithmonë në shoqëri të dikujt dhe askush nuk ka rrëfyer për ndonjë takim të tij me ndonjë mësues potencial. Edhe sikur të pranonim se diçka e tillë ka ngjarë me të vërtetë, shumë pyetje të reja do të shfaqen: Kush ia mësoi këto dituri hyjnore në lidhje me monoteizmin? Ku i mësoi gjithë ato rregulla përplot urtësi dhe realitet? Dhe së fundmi, kush vallë ia dha atë oratori të pakrahasueshme që i la të pafjalë oratorët më të zotë për vite me rradhë?


Një tjetër pretendim është se ai i mësoi këto gjëra nga një farkëtar bizantin, i cili prodhonte dhe shiste shpata. Zoti i përgjigjet këtij pretendimi me vargun në vijim:



Ne e dimë se ata thonë: "e mëson një njeri". Por gjuha e atij prej të cilit dyshojnë është e huaj kurse kjo një arabishte e qartë...Nahl (Bleta) 16:103



Një pretendim tjetër i ngjashëm është se Profeti (pqmtmpt) e fitoi diturinë e tij nga Selman Farisiu (Persiani), i cili sipas këtij pretendimi kishte njohuri të thella mbi fetë e tjera. Selmani u njoh me të Dërguarin (pqmtmpt) në Medine dhe pastaj e pranoi Islamin kurse një pjesë e konsiderueshme e Kur`anit u shpall që në Mekke dhe ishte pikërisht kjo pjesë që i përmbante principet themelore, diturinë dhe tregimet, të cilat do të përsëriteshin në periudhën medinase. Thënë shkurt, pjesa mekkase e shpalljes ishte shumë më e pasur me elementet e sipërpërmendura sesa ato të shpallura në Medine. Atëherë çfarë diturish mund të ketë shtuar Selmani pas konvertimit të tij?


Për më tepër, po të lexohen Dhiata e Vjetër dhe e Re e të krahasohen tregimet e tyre në lidhje me profetët e kaluar me tregimet e Kur`anit mbi ta, do të shihet se tregimet kuranore ndryshojnë nga ato të parat. Bibla u mvesh mëkate të tilla të dërguarve të Zotit, që dikush nuk do t`ia mveshte as një njeriu të zakonshëm. Por Kur`ani i mbron ata nga akuza të tilla. Përveç kësaj, në Bibël mund të gjenden shumë tema, të cilat nuk kanë aspak lidhje me dituritë shpirtërore ose me pastërtinë e moralit. Përkundër kësaj, Kur`ani flet përherë për gjëra që janë vërtet të dobishme për njerëzit, në lartësimin e tyre shpirtëror dhe në ndërtimin e karakterit.


Sfida e tretë specifike e Kur`anit: profecitë e tija dhe njohuria mbi të fshehtën


Një sfidë tjetër specifike e Kur`anit ka të bëjë me profecitë (= parashikimet; të mos përzihet me fjalën "profetësi") e tija dhe me njohuritë mbi të fshehtën. Këto vargje mund të ndahen në katër kategori:



  1. Njohuri në lidhje me profetët e kaluar dhe popujt e tyre. Për disa nga këto tregime, Zoti thotë:
    Këto janë nga lajmet e të fshehtës, që po t`i shpallim ty dhe që as ti i dije më parë e as populli yt...Hud 11:49

    Dhe pas tregimit të Jusufit (pqmt), thuhet
    Kjo është nga lajmet e të fshehtës që po ta shpallim. Dhe ti s`qe me ta kur ata vendosnin e thurrnin plane...Jusuf 12:102

    Ngjashëm flitet edhe për tregimin e Merjemes:
    Kjo është nga lajmet e të fshehtës që po ta shpallim. Dhe ti s`qe me ta kur ata i hidhnin pendat për t`vendosur se kush do kujdesej për Merjemen e kur garonin me njëri-tjetrin... Al-i Imran (Familja e Imranit) 3:44

    Dhe për Isën (paqja qoftë mbi të):
    Dhe i tillë ishte Isa, i biri i Merjemes. Kjo është e vërteta për të cilën s`merren vesh dot... Merjem 19:34

  2. Parashikimet në lidhje me ngjarjet e të ardhmes. Për shembull parashikimi se romakët do të dilnin fitimtarë pas disfatës së tyre:
    Romakët u mundën në një tokë të afërt. Dhe pas humbjes, do të dalin fitimtarë mbas ca vjetësh...Rum (Romakët) 30:2-4

    Ose fakti se i Dërguari (pqmtmpt) do të kthehej në Mekke pas largimit:
    Pa dyshim, Ai që ta bëri obligim Kur`anin do t`të kthejë në vendin tënd...Kasas (Tregime) 28:85
    Në dashtë Zoti, do të hyni të sigurt në Xhaminë e Shenjtë, me kokë të rruar e flokë të prerë dhe krejt pa frikë...Feth (Çlirimi) 48:27

    Në disa vargje të tjera, shprehet sjellja e disa muslimanëve në ardhmëri:
    Kur të niseni për ta marrë prenë e luftës, ata që qëndruan prapa do t`u thonë: "Na lejoni që t`ju ndjekim juve!" Duan ta ndryshojnë fjalën e Zotit...Feth (Çlirimi) 48:15
    ...dhe Zoti do t`të mbrojë nga njerëzit...Maide (Tryeza) 5:70

    Në vargjet në vijim tregohet se Zoti është mbrojtësi i Kur`anit:
    Ne e kemi shpallur Përkujtuesin dhe s`ka dyshim se Ne jemi mbrojtësit e tij...Hixhr (Shkëmbi) 15:9

    Në këtë kategori mund të përmenden edhe shumë vargje të tjera të cilat u japin sihariqe besimtarëve dhe i paralajmërojnë paganët mekkas për atë që do t`i gjejë.

    Poashtu në këtë kategori hyjnë edhe profecitë për gjërat që do të ndodhin përpara Ditës së Gjykimit. Për shembull:
    Ia kemi ndaluar të kthehet një jetë një popull, që e kemi shkatërruar, derisa Jexhuxhi dhe Mexhuxhi të mos lëshohen e të sulmojnë nga çdo kodër.Atë çast do ketë ardhur koha e premtuar dhe përnjëherë sytë e atyre që s`besuan do mbesin hapur : "Mjerë ne, q`ishim të pakujdesshëm për këtë ditë dhe qemë mizorë..."Enbija (Profetët)21:95-97

    Zoti u ka premtuar atyre që besojnë e bëjnë vepra të mira, se do t`i bëjë trashëgues të tokës, siç i bëri trashëgues ata që erdhën para tyre..Nur (Drita) 24:55

    Thuaj: "Ai ka fuqi t`ju dërgojë një dënim nga lartë ose nga poshtë këmbëve tuaja...En`am (Kopeja) 6:65

  3. Vargjet që mbështeten në të vërteta shkencore, të cilat ishin të panjohura dhe madje të padiskutuara fare kur Kur`ani u shpall dhe të cilat vetëm sot janë vërtetuar pas hulumtimesh të gjata:
    Dhe ne dërgojmë erëra që pllenojnë (fertilizojnë)...Hixhr (Shkëmbi) 15:22

    Dhe tokën e kemi shtruar e kemi shpërndarë male në të dhe kemi bërë që gjithçka të rritet mbi të, me një masë... Hixhr (Shkëmbi) 15:19

    A s`e kemi bërë tokën një vend pushimi dhe malet si shtylla në të? Naba (Shpallja) 78:6-7

  4. Vargjet që flasin hapur ose aludojnë kah ngjarjet dhe trazirat e mëdha që do ta gjenin shoqërinë islame ose botën, pas vdekjes se Profetit (pqmtmpt). Për shembull thuhet:
    O ju që besuat! Në i ktheni shpinën besimit dijeni se Zoti do të sjellë njerëz që do ta duan Zotin dhe Ai do t`i dojë ata. Do të jenë modestë para besimtarëve, të fuqishëm kundër mohuesve dhe do të përpiqen fort në rrugë të Zotit, pa patur frikë nga shtypja e shtypësit. Ky është bekimi i Zotit, që ia fal kujt të dojë...Maide (Tryeza) 5:54

    Dhe çdo popull pati një të dërguar, që të mund të vendoseshin çështjet e tyre me drejtësi dhe askujt t`i mos i shkilej e drejta. E ata thonë: "Kur do të vijë ky kërcënim, në e thoni të vërtetën?" Thuaj: "Unë s`e kam në dorë t`i bëj as mirë as keq vetes sime, përveç asaj që do Zoti. Çdo popull ka një afat dhe kur t`i vijë koha, ata s`do të mbeten asnjë orë më shumë dhe as që mund të shkojnë para kohës së tyre." Thuaj: "Më thoni ç`do të bënit sikur t`u vinte dënimi natën ose ditën! Ç`ndryshon për kriminelët në do vijë më shpejtë dënimi?" Junus 10:47-50

    Atëherë ktheje fytyrën tënde më përkushtim drejt besimit. Drejt natyrës në të cilën Zoti e krijoi njeriun..... dhe mos u bëj nga politeistët, nga ata që e ndanë fenë e tyre dhe u bënë grupe, secili i kënaqur me atë që thotë... Rum (Romakët) 30:30-32


Ka shumë vargje që mund të rradhiten në këtë kategori por për një pjesë prej tyre do të flasim kur ta shpjegojmë kapitullin e shtatëmbëdhjetë ("Isra" - Udhëtimi i natës").


Sfida e katërt specifike e Kur`anit: mosekzistenca e kundërthënieve brenda tij


Është një sfidë e hapur e Kur`anit fakti se në të nuk mund të gjenden kundërthënie. Zoti thotë:



A s`mendojnë për Kur`anin? Po të ishte prej dikujt tjetër veç Zotit, do të gjenin në të shumë kundërthënie...Nisa (Gratë) 4:182



Bota jonë është një sistem material ku mbisundon ndryshimi dhe zhvillimi. Çdo gjë në botë ndryshon dita ditës, nga dobësia në fuqi dhe nga mangësitë drejt përsosjes. Njeriu nuk mund të përjashtohet nga ky rend. Edhe ai pëson ndryshime dhe zhvillime të ndryshme në ekzistencën e tij si dhe në efektet e veprave të tija dhe të pasojave të tyre. Ky rend i njejtë mbisundon edhe në intelektin e tij dhe në mënyrën se si i percepton gjërat. Secili e sheh qartë se e sotmja e tij është më e përsosur se e djeshmja. Çdo orë që kalon i jep mundësi njeriut që t`i shohë gabimet e tij të kaluara dhe të shohe se ç`këndvështrimesh të gabuara ka patur. Ky është një fakt që asnjë njeri i mençur nuk do ta mohonte.


Duke e patur parasysh këtë, tani ta konsiderojmë Kur`anin, të cilin Muhammedi (pqmtmpt) e solli pjesë pjesë, me nga një kapitull të shkurtër ose me një numër të caktuar vargjesh nga ndonjë kapitull i gjatë. Ky proces vazhdoi për njëzet e tre vjet me rradhë, në vende, situata dhe kushte shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Vargje u shpallën si në Mekke ashtu edhe në Medine, si ditën ashtu edhe natën, si gjatë udhëtimit ashtu edhe në shtëpi, si gjatë disfatave të muslimanëve ashtu edhe në kohë fitoresh, në siguri të plotë ose në raste rreziku. Ky libër përmbante tema nga të gjitha llojet. Zbulonte dituri të thella shpirtërore, i mësonte një etikë të shkëlqyeshme njeriut dhe sillte ligje për çdo aspekt të mundshëm të jetës. Por edhe përkundër këtyre faktorëve, në të nuk ka asnjë gjurmë kundërthënieje dhe papërshtatshmërie mes vargjeve të tij ndonse siç thotë edhe vetë Kur`ani, ai është "një libër vargjet e të cilit përsëritën shpesh dhe janë të ngjashëm me njëri-tjetrin". Nuk mund të gjendet as edhe kundërthënia e vetme në gjërat që i ka shpjeguar dhe në principet që i ka vendosur. Njëri varg e shpjegon tjetrin dhe njëra fjali e qartëson një tjetër, siç thotë edhe Aliu (pqmt): "Një pjesë e tij flet me tjetrën dhe njëra pjesë dëshmon për pjesën tjetër."


S`ka dyshim se sikur një libër i tillë të mos kishte qenë nga Zoti, në të do të gjendeshin shumë ndryshime në stil, gjuha do të ishte më e rrjedhshme në një pjesë të caktuar dhe më e dobët në një pjesë tjetër dhe temat do të ndryshonin përnga vërtetësia dhe bindshmëria. Thënë shkurt, libri nuk do të ishte i njëtrajtshëm dhe i baraspeshuar dhe do të qe përplot me kundërthënie.


Kundërshtim: Gjërat e thëna më sipër janë pretendime të pavërtetuara. Dijetarët jomuslimanë kanë shkruar shumë libra që tregojnë se Kur`ani vuan nga shumë kundërthënie dhe gabime në strukturën e fjalive si dhe në temat që trajtohen dhe në kuptimet që përcillen. Kundërpërgjigjet e muslimanëve ndaj tyre kanë qenë gjithmonë përpjekje të dëshpëruara për t`i arsyetuar këto kontradikta dhe mangësi, që një gjuhë e bukur dhe e saktë nuk duhet t`i kishte patur.


Përgjigje: Si e para, të ashtuquajturat kundërthënie dhe gabime nuk janë zbuluar nga armiqtë e Islamit por janë përmendur (bashkë me shpjegimin përkatës) nga vetë muslimanët në komentimet e tyre të Kur`anit dhe në diskutimet e tjera relevante. Autorët muslimanë e kanë përdorur këtë metodë për të treguar se ajo që në pamje të parë duket si një mënyrë e pazakontë e të shprehurit (ose gabim) në Kur`an, është në të vërtetë një shembull i një letërsisë dhe oratorie të nivelit më të lartë. Autorët jomuslimanë i kanë zgjedhur pikërisht ato që supozohen si gabime dhe kundërthënie dhe i kanë përmbledhur në librat e tyre, duke i mohuar krejtësisht shpjegimet që e tregojnë bukurinë e vërtetë të këtyre shprehjeve. Nëse syri i dashurisë është i verbër, po aq është edhe ai i urrejtjes...


Pyetje: Në këtë kontekst të përsosmërisë së Kur`anit, si mund ta arsyetoni abrogimin e vargjeve? Shumë vargje të Kur`anit janë abroguar (janë shpallur të pavlefshme) nga vetë ai, siç thuhet në vargjet:



Dhe kurdoherë që shpallim të pavlefshëm një varg ose e bëjmë të mbetet në harresë, sjellim vargje më të mira ose të njejta si ai...Bakara (Lopa) 2:106


...dhe kur një varg e ndërrojmë me një tjetër. Pa dyshim Zoti e di se ç`shpall...Nahl (Bleta) 16:101



Edhe po të mos jetë një lloj kundërshtimi kuptimor, ky lloj abrogimi i vargjeve flet për një ndryshim mendimi.


Përgigje: Abrogimi nuk është një kundërthënie kuptimore dhe as një ndryshim i këndvështrimit ose i mendimit. Një rregull shpallet i pavlefshëm kur shoqëria dhe mjedisi ndryshojnë në një mënyrë të tillë që urtësia, që fshihet pas këtij rregulli mbetet e pavlefshme. Pra ndryshimi, nëse ka ndryshim fare, nuk është një ndryshim mendimi por ndryshim i rrethanave të çështjes në fjalë. Përveç kësaj, një argument shumë i qartë për këtë mund të shihet tek vetë vargjet që janë shpallur të pavlefshme më vonë. Këto vargje përmbajnë të gjitha ndonjë frazë ose ndonjë fjalë, e cila lë të kuptohet se urdhri i dhënë është një urdhër i përkohshëm, i cili pas një kohe do të shpallet i pavlefshëm. Për shembull:



Dhe për ato nga gratë tuaja që janë fajtore për imoralitet, sillni katër dëshmitarë nga mesi juaj. Pastaj nëse ata dëshmojnë, mbyllini në shtëpi derisa vdekja t`i marrë ose derisa Zoti të gjejë një rrugë tjetër për to...Nisa (Gratë) 4:15



Vini re pjesën e fundit të vargut! Një shembull tjetër:



Shumë nga "njerëzit e Librit" duan t`ju kthejnë në jobesimtarë pasi të keni besuar... Por falni ata derisa Zoti ta sjellë urdhrin e tij...Bakara 2:109



Edhe në këtë varg mund të shihet se si pjesa e fundit lë të kuptohet se rregulli i shprehur në të nuk do të zgjasë përgjithmonë.


Sfida e pestë specifike e Kur`anit: bukuria gjuhësore1


Kur`ani gjithashtu i ka sfiduar armiqtë e tij me bukurinë e tij gjuhësore. Zoti thotë:



Ose mos vallë thonë: "Ai e ka trilluar."?Thuaj: "Atëherë sillni dhjetë kapituj të trilluar si ky dhe në e thoni të vërtetën, kërkoni ndihmë prej kujt të doni veç Zotit!" Por nëse s`përgjigjen, dije se ai është shpallur nga dija e Zotit, përveç të cilit s`ka zot tjetër...Hud 11:13-14



Këto vargje u shpallën në Mekke. Përsëri Zoti thotë:



Ose mos vallë thonë: "Ai e ka trilluar"? Thuaj: "Atëherë sillni një kapitull si ky dhe në e thoni të vërtetën, kërkoni ndihmë prej kujt të doni përveç prej Zotit!" Por jo, ata e mohuan atë për të cilën s`kishin dijeni dhe shpjegimi i të cilës s`u kish` ardhur akoma...Junus 10:38-39



Të gjithë këto vargje janë të periudhës mekkase dhe shprehin një sfidë kundrejt jobesimtarëve dhe mohuesve të Kur`anit, për të sjellë dhjetë kapituj ose së paku një kapitull të vetëm të ngjashëm me të përnga bukuria gjuhësore, sepse arabët e asaj kohe, ishin ndër popujt më të përparuar në oratori dhe poezi. Është fakt i njohur tashmë, se arabët ishin mjeshtër të fjalës dhe se asnjë popull i mëparshëm ose i mëvonshëm, nuk i ka arritur në këtë art. Shprehja e tyre ishte e bukur, stili ishte tërheqës, fjalët i kishin në përshtatshmëri të plotë me temën dhe me kuptimin, fjalitë qenë të thjeshta dhe të bukura dhe gjuha e tyre kishte një rrjedhshmëri të pakrahasueshme. Ishte kjo një rrugë në të cilën ata ishin nismëtarë dhe hapërues të vetëm. Kur`ani e sfidoi një popull të tillë në çdo mënyrë të mundshme, që të mund ta ngjallte zemërimin e tyre dhe t`ua prekte krenarinë për t`i detyruar ta pranonin këtë sfidë. Nuk duhet harruar se ata ishin shumë krenarë me aftësitë e tyre letrare dhe nuk pranonin të nënçmoheshin nga askush në këtë drejtim. Por edhe përkundër kësaj arrogance dhe krenarie të tyre në këtë lëmi, Profeti (pqmtmpt) i sfidonte që të sillnin qoftë edhe një kapitull të vetëm të ngjashëm me Kur`anin. Kjo është një sfidë që akoma sot jehon në veshët e jobesimtarëve, duke i sfiduar që të trillonin një kapitull të vetëm, të ngjashëm me të. Por përgjigja e vetme e arabëve ishte që t`i shmangeshin Kur`anit dhe sa më e fortë e ngulmuese që bëhej sfida, ata aq më tepër u përpoqën t`i iknin. Shumë shpesh fshiheshin në shtëpitë e tyre për të mos e dëgjuar Kur`anin. Zoti thotë:



Ata i lakojnë gjoksat që të fshehin prej Tij. S`ka dyshim se kur të mbulohen me mbulesa, Ai e di se ç`fshehin e çfarë thonë hapur...Hud 11:15



Ndonse katërmbëdhjetë shekuj kanë kaluar që nga shpallja e tij, askush nuk ka mundur të sjellë një vepër të ngjashme me Kur`anin. Ata që u përpoqën, vetëm sa u turpëruan dhe u bënë objekte talljeje. Historia përcjell disa shembuj të këtyre përpjekjeve patetike. Musajlime, i cili pretendonte se ishte profet, i shkroi fjalët në vijim si një përgjigje për kapitullin 105 të Kur`anit, që quhet "Fil" (Elefanti):


"Elefanti, po ç`është elefanti? Dhe çfarë do t`të mësojë ty se ç`është elefanti? Ka një bisht dhe një feçkë të gjatë."
Në një "varg" tjetër, që e recitoi përpara një profeteshe tjetër të rreme, me emrin Sexhah, ai thotë:
...pastaj e fusim atë brenda ju grave dhe e nxjerrim me forcë...


Mjafton t`u hidhet një vështrim këtyre përpjekjeve qesharake dhe të kuptohet vlera e tyre. Një tjetër shembull është një i krishter i cili më vonë e shkroi këtë "kapitull" si përgjigje për kapitullin "Fatiha" (Hapja):


Të gjitha lëvdatat janë për Bamirësin, Zotin e krijesave, Mbretin, Nënshtruesin!
Për Ty është adhurimi dhe prej teje është ndihma. Na udhëzo në rrugën e besimit!


Përveç këtyre, ka patur shumë përpjekje të tjera për t`iu përgjigjur sfidës së Kur`anit që e kanë pësuar të njejtin fat dhe janë varrosur në histori.


Dy kundërshtime:



  1. Është e palogjikshme të thuhet se fjala mund të arrijë një nivel aq të lartë sa të konsiderohet një mrekulli mbinatyrore. Gjuha është një krijim i intelektit njerëzor dhe si e tillë është një fenomen krejtësisht natyror. Si mundet një krijim i natyrës të jetë mbinatyror? Një krijues është gjithmonë më i fuqishëm se gjëja që krijon dhe një shkak gjithmonë e përfshin në vete pasojën e tij. Është njeriu që i shpiku fjalët për t`i përmbushur nevojat e tija shoqërore dhe për t`ua përcjellë të tjerëve mendimet dhe ndjenjat e tija. Është njeriu që e krijon lidhjen e një fjale me kuptimin e saj dhe ky kuptim është një cilësi subjektive që njeriu ia mvesh një fjale. Si e tillë, kjo cilësi nuk mund të jetë përtej aftësive të krijuesit të saj. Me fjalë të tjera, është e pamundur që e folura ose fjala të jetë në një nivel përtej aftësive njerëzore dhe të jetë mbinatyrore.

  2. Të pranojmë për një çast se një përbërje e caktuar fjalësh mund ta arrijë nivelin e të mbinatyrshmes dhe të konsiderohet mrekulli. Për shembull të gjitha temat mund të shprehen me fjali të ndryshme, ku secila do të dallohet nga tjetra përnga përsosmëria dhe duke i përdorur këto fjali, kjo përbërje do të arrijë një standard, që do të jetë përtej aftësive dhe fuqive njerëzore (dmth. një mrekulli). Kjo do të thotë se për çdo kuptim që duhet të shprehet, do të ketë një fjali të caktuar që do të konsiderohet në nivelin e mrekullisë kurse format e tjera të të shprehurit të po këtij kuptimi, do të jenë nën këtë standard. Ajo që shohim shpesh në Kur`an, është përsëritja e shumë temave (në veçanti e tregimeve) duke përdorur struktura të ndryshme dhe stile që dallojnë nga njëri-tjetri. Nëse një strukturë fjaliore ose stil do të pranohet si mrekulli, kjo do të thotë se stilet tjera dhe strukturat e tjera të fjalisë do të jenë poshtë këtij standardi dhe nuk mund të cilësohen si të tilla.


Përgjigje: Përpara se t`u përgjigjemi këtyre pyetjeve duhet të qartësojmë diçka me rëndësi:


Ishin pikërisht këto pyetje që i detyruan disa dijetarë muslimanë të besojnë në teorinë e Sarf-it ("Sarf"- pengoj, largoj). Si të gjithë muslimanët e tjerë, edhe ata mendonin se është e pamundur që një njeri të sjellë diçka të ngjashme si Kur`ani ose së paku si një pjesë e tija. Por sipas tyre, kjo pamundësi e njerëzve nuk buronte nga fakti se stili dhe gjuha kuranore ishin përtej fuqisë njerëzore por nga fakti se Zoti, me vullnetin dhe urdhrin e Tij, do t`i pengonte armiqtë potencialë të Kur`anit nga një sipërmarje e tillë. Sipas tyre, Zoti ka vepruar kështu për ta mbrojtur shenjtërinë e profetësisë.


Mirëpo teoria ishte tërësisht e gabuar sepse nuk është aspak e përshtatshme me kuptimin e vargjeve sfiduese të Kur`anit. Zoti thotë për shembull:



Ose mos vallë thonë: "Ai e ka trilluar."?Thuaj: "Atëherë sillni dhjetë kapituj të trilluar si ky dhe në e thoni të vërtetën, kërkoni ndihmë prej kujt të doni veç Zotit!" Por nëse s`përgjigjen, dije se ai është shpallur nga dija e Zotit, përveç të cilit s`ka zot tjetër...Hud 11:13-14



Po të shihet me kujdes fjalia "dije se ai është shpallur nga dija e Zotit", mund të kuptohet fakti se Kur`ani është një shpallje nga dituria e Zotit dhe se nuk është një trillim i të Dërguarit (pqmtmpt). E njejta gjë shpjegohet edhe në vargjet në vijim:



Ose mos vallë thonë: "Ai e ka trilluar."?Jo! Ata nuk besojnë. Atëherë le të sjellin një fjalë si kjo, në e thonë të vërtetën...Tur (Mali) 52:33-34


Dhe djajtë nuk e kanë zbritur atë dhe as që u takon atyre ta zbresin, as që kanë fuqi. S`ka dyshim se ata janë të larguar nga dëgjimi... Shuara (Poetët) 26:210-212



Në anën tjetër, teoria e "Sarf-it" nënkupton se mrekullia e Kur`anit nuk ishte shpallja e tij nga Zoti por fakti se Zoti i ndalonte të tjerët që të sillnin diçka të ngjashme. Mund ta shohim edhe vargun:



Ose mos vallë thonë: "Ai e ka trilluar"? Thuaj: "Atëherë sillni një kapitull si ky dhe në e thoni të vërtetën, kërkoni ndihmë prej kujt të doni përveç prej Zotit!" Por jo, ata e mohuan atë për të cilën s`kishin dijeni dhe shpjegimi i të cilës s`u kish` ardhur akoma...Junus 10:38-39



Ky varg tregon shumë qartë se ajo që i linte të pafuqishëm përballë Kur`anit dhe që u pamundësonte të sillnin një gjë të ngjashme me të, ishte fakti se ai ka një interpretim final, dituria mbi të cilin i takon vetëm Zotit. Ishte pikërisht kjo dituri që u mungonte dhe ishte pikërisht kjo cilësi e Kur`anit që i shkatërronte armiqtë e tij. Por jo siç thuhet në teorinë e sipërpërmendur, fakti se ata ishin të aftë të sillnin diçka të ngjashme por se Zoti i pati penguar. Mund të shihet edhe vargu:



A s`mendojnë për Kur`anin? Po të ishte prej dikujt tjetër veç Zotit, do të gjenin në të shumë kundërthënie...Nisa (Gratë) 4:182



Ky varg tregon se mrekullia është në cilësinë burimore të Kur`anit, sipas të cilës brenda tij nuk mund të gjendeshin kundërthënie në fjalë dhe në kuptime. Por kjo është kështu për faktin se asnjë krijesë tjetër nuk mund të krijojë diçka të tillë dhe jo, siç thotë teoria e "Sarf-it", sepse Zoti i pengon njerëzit nga një vepër e tillë.


Të gjithë këto vargje vërtetojnë se teoria e sipërpërmendur nuk ka asnjë lloj themeli dhe vlefshmërie dhe se nuk vlen të merret seriozisht. Tani të kthehemi në përgjigjen e kundërshtimeve të mësipërme:


Është krejtësisht gabim të thuhet se gjuha, si një krijim i intelektit njerëzor, nuk mund të arrijë një nivel që është përtej aftësisë njerëzore me arsyetimin se gjuha nuk mund të jetë më e fuqishme se vetë krijuesi i saj. Gabimi i këtij mendimi qëndron në faktin se ajo që njeriu ka shpikur, janë vetëm fjalë të thjeshta për kuptime të caktuara. Por kjo përshtatshmëri e fjalëve me kuptimet e tyre nuk e mëson njeriun si t`i rradhisë fjalët, si të planifikojë dhe si të realizojë një fjalim në mënyrën më të mirë, gjegjësisht në një mënyrë, në të cilën fjala e reflekton bukurinë e kuptimit njësoj siç është në mendjen njerëzore dhe në anën tjetër, kuptimi bëhet një pasqyrë e realitetit dhe mbetet i përshtatshëm me faktet. Kjo gjë kërkon një aftësi të veçantë në artin e gojëtarisë (oratorisë), gjindshmëri në përdorimin e fjalëve dhe gjithashtu varet nga mendjemprehtësia dhe dituria, në mënyrë që folësi të mund të jetë i njohur me të gjitha dimensionet e temës në fjalë. Është pikërisht kjo cilësi që ndryshon në varësi prej personit dhe krijon dallime në oratorinë e njerëzve dhe në përsosmërinë dhe bukurinë e fjalëve të tyre.


Sipas kësaj, ka tre faktorë që ndikojnë në të folurën njerëzore:



  1. njohja e gjuhës: një njeri mund t`i njohë shumë mirë fjalët e një gjuhe por të mos jetë një gojëtar (orator) i aftë

  2. gojëtaria: një njeri mund të jetë një gojëtar i jashtëzakonshëm por të mos jetë njohës i mirë i temës në fjalë

  3. dituria: një njeri mund të jetë një dijetar shumë i madh por të jetë i paaftë për t`i shprehur mendimet e tija në një mënyrë të rrjedhshme


Këto tre faktorë mund të gjenden të ndarë (siç u përmend më sipër) ose të kombinuar tek një person i vetëm. Pikërisht prej tyre varet bukuria e të folurit të një njeriu. Faktori i parë gjegjësisht kuptimi i fjalëve, është krijuar nga instinkti social i njeriut. Mirëpo dy faktorët e tjerë janë të varur nga niveli intelektual i personit dhe nga kujdesi për finesat.


Intelekti dhe perceptimi njerëzor janë gjëra të kufizuara. Ne nuk mund t`i kuptojmë të gjitha hollësitë e një ngjarjeje dhe të gjitha gjërat që lidhen me të. Si pasojë, ne nuk mund të jemi plotësisht të sigurt për një rast. Për më tepër që gjithmonë jemi në zhvillim e sipër dhe në një proces përsosjeje të vetes sonë dhe aftësisë sonë të të kuptuarit. Për ta kuptuar këtë mjafton të merret shembulli i ndonjë oratori ose poeti dhe të krahasohen veprat e tija të hershme me ato të mëvonshmet. Dallimi do të jetë i qartë.


Tani në këtë kontekst, mund ta analizojmë edhe të folurën njerëzore. Si e para, kurrë nuk mund të jemi plotësisht të bindur për saktësinë e një fjale sepse, siç u tha edhe më sipër, asnjë folës nuk mund të ketë një dituri gjithëpërfshirëse për të gjitha gjërat, që kanë të bëjnë me temën në fjalë. Së dyti, fjalët që i thotë kurrë nuk mund të jenë të një niveli të njejtë me një fjalim të kaluar të vetin. Por jo vetëm kaq. Madje edhe në fjalimin e njejtë, niveli në fillim do të jetë i ndryshim nga niveli në fund të tij por ky do të jetë një dallim aq i vogël, sa dëgjuesi nuk mund ta vërejë.


Në rast se gjejmë një fjalë të qartë, që mbështetet në dituri gjithëpërfshirëse dhe që nuk përmban asnjë kundërthënie në vete, do të pranonim se nuk mund të jetë vepër e një të vdekshmi të thjeshtë. Ky fakt përshkruhet në vargjet në vijim:



A s`mendojnë për Kur`anin? Po të ishte prej dikujt tjetër veç Zotit, do të gjenin në të shumë kundërthënie...Nisa (Gratë) 4:182


Betohem mbi qiellin që rrotullohet e mbi tokën që çahet se është një fjalë vendosëse dhe s`është mahi...Tarik (Ylli i mëngjesit) 86:11-14



Vini re cilësimet që i bëhen qiellit dhe tokës! Vihet theks mbi ndryshimet që ndodhin brenda tyre sepse betimi bëhet për një Libër që është i pandryshueshëm përnga realitetet që përcjell dhe përnga "interpretimi" (tevil) i tyre (ky lloj interpretimi do të shpjegohet në vijim të librit). Zoti gjithashtu thotë:



Është një Kur`an i madhëruar në një Pllakë të Mbrojtur...Buruxh (Yjësitë) 85:21-22


Betohem mbi Libri që qartëson! Ne e kemi bërë atë një Kur`an në arabisht, që të kuptoni. Ai gjendet në Librin amë, pranë Nesh dhe është i lavdishëm e plot urtësi...Zuhruf (Ornamentet) 43:2-4


Por jo! Betohem mbi yjtë që bien dhe ky është një betim i madh, sikur ta dinit. Pa dyshim, ai është një Kur`an brenda Librit të mbrojtur. Askush s`e prek atë përveç të pastërve. Është shpallje e Zotit të botëve...Vakia (Ndodhia) 56:75-80



Këto vargje tregojnë hapur se Kur`ani është i themeluar në realitete të përhershme që nuk ndryshojnë. Për këtë arsye, vetë Kur`ani është i mbrojtur nga ndryshimet dhe kundërthëniet brenda tij.


Të kthehemi përsëri tek kundërshtimi kryesor duke pranuar për një çast se njeriu është krijuesi i gjuhës. Edhe në qoftë kështu, kjo nuk do të thotë se nuk mund të gjendet një vepër letrare e cila është përtej aftësive të atij personi fillestar, që e ka krijuar gjuhën. Po të ishte kështu, do të duhet të pranonim se farkëtari që e bën shpatën është luftëtari më i fortë ose të themi se shpikësi i lojës së shahut është domosdoshmërisht edhe mjeshtri më i madh i kësaj loje.


Gojëtaria e përsosur kërkon që fillimisht, fjalët të jenë në harmoni të plotë me kuptimin e menduar dhe së dyti, që kuptimi që përcillet të jetë në përshtatshmëri të plotë me realitetin. Si mund të përshtaten fjalët me kuptimin? Duke bërë që rradhitja strukturore e fjalëve të përshtatet me rradhitjen natyrale të kuptimit që duhet të përcillet, gjegjësisht duke e sjellë gjuhën njerëzore në një përshtatshmëri të plotë me natyrën dhe realitetin.2 Kuptimi, në anën tjetër, duhet të jetë i saktë dhe i themeluar në fakte reale që qëndrojnë jashtë imagjinatës sonë dhe që si të tilla, duhet të jenë vlera të përhershme dhe të pandryshueshme. Sepse cilësia e parë, gjegjësisht përshtatshmëria e fjalëve me kuptimin, varet pikërisht nga kjo cilësi themelore e kuptimit. Një e folur shumë e rrjedhshme por qesharake nuk mund të qëndrojë përballë një të folure serioze dhe në të njejtën mënyrë, një e folur serioze, nëse themelohet në premisa të gabuara, nuk mund të jetë e barabartë përnga cilësia, me një të folur që përcjell fakte të vërteta dhe urtësi gjithëpërfshirëse.


Një e folur i arrin nivelet më të larta të përsosmërisë vetëm kur fjalët e përdorura janë prekëse, kur stili është i rrjedhshëm, kur kuptimi përshtatet me rastin në fjalë dhe kur mesazhi i përcjellë mbështetet në fakte reale.


Një e folur e tillë, që mbështetet në realitetin, nuk mund të bjerrë ndesh me të vërtetat e tjera. Sepse e vërteta është një tërësi e pandashme. Një e vërtetë nuk mund ta zhvleftësojë një të vërtetë tjetër dhe një realitet nuk mund të bjerrë ndesh me realitete të tjera. Përkundër kësaj, një gënjeshtër mund lehtësisht të kundërshtojë një gënjeshtër tjetër sepse asnjëra nuk i përmbahet të vërtetës. Vini re vargun:



...dhe ç`mund të ketë përtej t`vërtetës veçse gënjeshtër?..Junus 10:32



Tregohet shumë qartë se e vërteta është një tërësi e vetme, që nuk pranon ndarje. Dhe sërish Zoti thotë:



...dhe mos ndiqni rrugë të tjera, se ju largojnë nga rrugë e Tij...En`am (Kopeja) 6:153



Thuhet qartë se gënjeshtra është ajo që mund të ndahet në pjesë dhe që në të njejtën mënyrë mund t`i ndajë edhe njerëzit.


Nga e gjithë kjo, është shumë e qartë se nuk mund të ketë dallim mes një të vërtete dhe një tjetër por një unitet të plotë mes tyre. Një e vërtetë udhëzon drejt një të vërtetet tjetër dhe me këtë, një pjesë e Kur`anit e konfirmon tjetrën duke bërë që një varg të dëshmojë për një varg tjetër.


Kjo është një cilësi e mrekullueshme e Kur`anit. Mund të merni një varg i cili ka një kuptim shumë të qartë dhe pastaj ta kombinoni atë me një varg tjetër relevant. Do të shihni se ky kombinim do të zbulojë një të vërtetë të re që nuk mund të kuptohet nga dy vargjet ndarazi. Dhe mund të vazhdohet kështu duke e shtuar një varg të tretë për të gjetur realitete të tjera të reja. Kjo është një karakteristikë unike e Kur`anit, që mund të shihet shumë shpesh brenda tij. Për fat të keq, komentuesit e Kur`anit kanë qenë neglizhentë ndaj kësaj metode dhe nuk e kanë përdorur. Sikur kjo metodë të përdorej që nga periudhat më të hershme, pa dyshim do të zbuloheshin shumë thesare të paçmueshme të Kur`anit.


Ky shpjegim i gjatë ishte i nevojshëm për të treguar se dy kundërshtimet e shprehura më sipër në lidhje me mrekullinë e Kur`ani janë të pabaza sepse një bukuri gjuhësorë që arrin në nivelet e mrekullisë nuk varet vetëm nga fjalët. Prandaj është krejt e paarsyeshme të thuhet se ngase njeriu është krijues i fjalëve, nuk mund të ketë një të folur që është përtej aftësive të vetë njeriut. Po kaq i palogjikshëm edhe kundërshtimi, sipas të cilit vetëm një strukturë e caktuar fjaliore duhet të konsiderohet si mrekulli duke i eliminuar format e tjera të të shprehurit. Shpjegimi ynë i mësipërm tregon qartë se mrekullia e bukurisë gjuhësore të Kur`anit varet nga kuptimi i tij, gjegjësisht nga përshtatshmëria e këtij kuptimi me realitetet konstante dhe me fjalët që përdoren.


1:(shënim i përkthyesit) Në përkthimin anglisht qëndron fjala "eloquence" e cila shumë shpesh në shqip përkthehet si "oratori" ose "gojëtari". Mirëpo asnjëra nga këto fjalë nuk është një përkthim i plotë i fjalës "eloquence" sepse në origjinalin e saj kjo fjalë ka një kuptim më të gjerë që shkon përtej aktit të të folurit. Për shembull mund të thuhet "Her eyes eloquently expressed the feelings inside her". Kjo nuk mund të përkthehet në shqip me fjalët "oratori" ose "gojëtari" sepse në shqip të dyja këto fjalë janë të kufizuara me veprimin e të folurit. P.sh do të ishte qesharake të përkthehej: "Sytë e saj me oratori/gojëtari i shprehnin ndjenjat...".


Për arsye të mungesës së një termi të duhur në shqip, nuk e kemi përkthyer fjalën "eloquence"dhe e kemi përdorur shprehjen "bukuri gjuhësore" si zëvendësim, për të mos e kufizuar këtë cilësim të Kur`anit vetëm në aktin e të folurit duke e përkthyer me fjalën "oratori" ose "gojëtari".


2: Për shpjegime të mëtejme, mund të shihet vepra "Delail`ul Ixhaz" e Shejh Abdulkadir el Xhurxhaniut


Realiteti i mrekullisë sipas Kur`anit


Kur`ani e konfirmon ekzistencën e mrekullisë, si një fenomen të jashtëzakonshëm mbinatyror, i cili flet për fuqinë që forcat metafizike kanë mbi botën materiale. Mrekullia nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me të vërtetat racionale.


Duke dashur që Kur`anin ta bëjnë të përshtatshëm me principet e fizikës moderne, disa njerëz janë përpjekur që t`i shpjegojnë dhe t`i arsyetojnë disi mrekullitë e ndryshme për të cilat flet Kur`ani. Por përpjekje të tilla janë të papranueshme për faktin se janë një ngarkesë e padrejtë mbi Kur`anin dhe mbi gjuhën e tij.


Në këtë diskutim, do të shpjegojmë në disa kapituj se çfarë thotë Kur`ani në lidhje me kuptimin dhe realitetin e mrekullisë.


1. Kur`ani e konfirmon ligjin e shkakshmërisë (shkak-pasojë)


Kur`ani thotë se çdo pasojë në botën materiale ka një shkak të vetin dhe se ekziston një sistem i shkakshmërisë që mbisundon në univers. Shkakshmëria është një fakt i padiskutueshëm, mbi të cilin themelohen të gjitha diskutimet shkencore dhe akademike. Njeriu përnga natyra e tij beson se çdo pasojë ka një shkak dhe pikërisht shkaku i gjërave është objekt studimi i një pjese të madhe të hulumtimeve akademike.


Ç`është shkaku? Shkaku është një fenomen ose një grup fenomenesh, që kur realizohen, krijojnë domosdoshmërisht një fenomen të ri (pasojën). Shkencëtarët e hulumtojnë këtë të vërtetë duke kryer eksperimente të ndryshme. Për shembull përvoja na ka mësuar se nëse shohim diçka të djegur, shkaku i saj është zjarri ose një fenomen i ngjashëm djegës. Sipas kësaj, shkaku është një fenomen gjithëpërfshirës dhe universal, që nuk pranon përjashtime. Me fjalë të tjera, kurdo dhe kudo që të gjendet shkaku, ai do të ndiqet domosdo nga pasoja e tij.


Ky princip pranohet nga ana e Kur`anit dhe pranohet si një e vërtetë e padiskutueshme mbi të cilën mbështetet Kur`ani, kur flet për jetën, vdekjen, furnizimin dhe për fenomenet tjera tokësore ose "qiellore". Ndonse duhet theksuar se të gjitha pasojat, bashkë me shkaqet e tyre, i mveshen Zotit.


Thënë shkurt, Kur`ani e konfirmon sistemin e përgjithshëm të shkakshmërisë, sipas të cilit kurdo që të realizohet shkaku (me kushtet e nevojshme), pasoja e tij do të paraqitet. Dhe anasjelltas, kurdo që të shihet një pasojë, vërtetohet ekzistenca e një shkaku për të.


 2. Kur`ani e konfirmon mrekullinë (ndodhitë mbinatyrore)


Përveç asaj që u përmend më sipër, Kur`ani përcjell shumë ngjarje që bien në kundërshtim me sistemin e zakonshëm natyror të shakshmërisë. Ai u mvesh disa mrekulli mbinatyrore profetëve të ndryshëm të përmendur në Kur`ani, si Nuhu, Salihu, Ibrahimi, Luti, Davudi, Sulejmani, Musa, Isa dhe Muhammedi (paqja qoftë mbi të gjithë ata). Këtu nuk duhet harruar se këto ndodhi, ndonse jo të zakonshme dhe aspak normale, nuk ishin domosdoshmërisht ngjarje logjikisht të pamundura. Nuk ishin për shembull logjikisht të pamundura si shprehjet: "Thënia pozitive A dhe e kundërta e saj, mund të konfirmohen të dyja ose të mohohen të dyja njëkohësisht" ose "Një gjë mund të ndahet nga vetja e saj" ose "Numri një nuk është gjysma e numrit dy". Ne e dimë në mënyrë intuitive se thëniet e tilla janë të pamundura dhe nuk mund të ekzistojnë si të tilla. Por mrekullitë, të cilat u mveshen profetëve të Zotit, nuk ishin të kësaj kategorie sepse po të ishin të tilla, mendjet e miliarda njerëzve, që u besuan këtyre gjërave që nga origjina e njerëzimit e deri sot, nuk do të kishin pranuar diçka të tillë. Mendja e shëndoshë njerëzore nuk pranon një thënie të pamundur dhe as që ia mvesh një gjë të tillë dikujt tjetër.


Një fakt tjetër është se pasojat që i quajmë "mrekulli" nuk janë të panjohura për natyrën, e cila vazhdimisht e kthen materjen nga një formë në tjetrën, e ndryshon rrjedhën e ngjarjeve, i jep jetë të vdekurës dhe i sjell vdekje të gjallës, duke e kthyer rehatinë dhe begatinë në fatkeqësi. E gjithë kjo ndodh në përditshmërinë tonë dhe dallimi i vetëm i këtyre fenomeneve natyrore nga ajo që quajmë "mrekulli" është shpejtësia e procesit dhe hapat që duhet të ndiqen për të arritur tek pasoja e dëshiruar. Një shkak natyror i sjell pasojat e veta, në kushte të veçanta, në kohë dhe vend të caktuar dhe duke e ndjekur hap pas hapi një proces të gjatë ndryshimi. Për shembull, materja që gjendet në bastunin e një plaku mund të paraqitet një ditë tek një gjarpër që lëviz ose materja e një skeleti të shpërbërë mund të gjendet brenda një njeriu të gjallë, por i gjithë ky proces në rrjedhën e tij normale, kërkon një kohë të gjatë, kushte të caktuara dhe shkaqe të caktuara të njëpasnjëshme të cilat në mënyrë të pandërprerë do ta ndryshonin materjen nga njëra formë në tjetrën, derisa të paraqitet në formën e duhur. Në mënyrë normale, kjo nuk mund të ngjajë pa shkaqet dhe pa kushtet e nevojshme dhe nuk mund të ndikohet nga vullneti njerëzor. Por kur bëhet fjalë për mrekullinë, ajo ndodh vetëm me dëshirën e një profeti, pa patur nevojë për shkaqe materiale dhe për kohëzgjatje të caktuar.


Kuptohet se një ngjarje e tillë mbinatyrore është e pakapshme për mendjen e zakonshme ose për trurin një shkencëtari, i cili është i mësuar me shkakshmërinë materiale të gjërave. Në anën tjetër, asnjë shkencëtar nuk mund t`i mohojë aq lehtë ndodhitë mbinatyrore, qoftë edhe në epokën tonë "atomike". Përditë shfaqet ndonjë njeri i cili demonstron disa fuqi mbinatyrore. Njerëzit e shohin atë, radiot dhe televizionet transmetojnë, gazetat shkruajnë dhe askush nuk del të thotë se një gjë e tillë nuk mund të ketë ndodhur dhe se është kundër ligjeve të natyrës.


Fenomene të tilla i kanë shtyrë dijetarët modernë drejt teorisë, se njeriu si gjithçka tjetër, është i mbështjellur nga qarqe të panjohura magnetike dhe elektrike. Sipas kësaj, njeriu, pas një stërvitjeje të rreptë, mund t`i kontrollojë gjërat në rrethin e tij dhe të ndikojë në mënyrë jo të zakonshme mbi to.


Nëse kjo teori vërtetohet, të gjitha teoritë prezente për shpjegimin e fenomeneve natyrore, të cilat themelohen në principet e forcës dhe lëvizjes së objekteve, mund të zëvendësohen me një shkak të vetëm gjithëpërfshirës natyror: forcën magnetike.


Kur`ani nuk i ka identifikuar me emër shkaqet universale që i shpjegojnë ndodhitë natyrore dhe mbinatyrore sepse ky nuk është funksioni i një libri hyjnor. Në vend të kësaj, Kur`ani thotë se çdo fenomen natyror ka një shkak natyror me lejen e Zotit. Me fjalë të tjera, çdo fenomen është tërësisht i varur nga Zoti, i cili ka caktuar për të një procedurë të caktuar dhe një shkak natyror nëpërmjet të cilit mund të vijë në ekzistencë. Ekzistencë kjo, që i falet nga vetë Zoti. Ai thotë:



Për atë që e ka droje Zotin, Ai do të krijojë një rrugëdalje dhe do ta furnizojë nga vende që s`i shkojnë në mend. Dhe për atë që kthehet drejt Zotit, Ai i mjafton. Pa dyshim Zoti ia arrin qëllimit të Tij dhe Ai ka krijuar një masë për gjithçka...Talak (Divorci) 65-2:3



Fjalia e parë, në një mënyrë shumë eksplicite tregon se është i mjaftueshëm Zoti për një person që e ka droje Atë dhe ka besim tek Ai. Zoti do t`ia rregullojë punët dhe do ta bëjë të suksesshëm, ndonse diçka e tillë mund të duket e pamundur dhe shkaqet materiale bien ndesh me këtë. Kjo ide përkrahet edhe nga vargu në vijim:



Dhe kur robërit e Mi të të pyesin për Mua, s`ka dyshim se unë jam pranë. I përgjigjem lutjes së lutësit kur më thërret...Bakara (Lopa) 2:186


Më thirrni dhe Unë do t`ju përgjigjem...Gafir (Falësi) 40:60


A s`mjafton Zoti për robërit e Tij? Zumer (Grupet) 39:36



Fjalia e dytë e vargut në fjalë, që thotë: "Zoti ia arrin qëllimit të Tij", e shpjegon arsyen e fjalisë së parë. E njejta mund të shihet edhe në vargun:



Zoti ngadhnjen në punën e Tij, por shumë njerëz s`e dinë...Jusuf 12:21



Edhe kjo fjali është gjithëpërfshirëse dhe e pakushtëzuar. Zoti e ka mënyrën e tij të veprimit dhe kur dëshiron, e lejon diçka të ngjajë, ndonse me metodat normale kjo gjë mund të jetë e pamundur.


Kjo mund të ndodhë në dy mënyra. E para është që Zoti të sjellë në ekzistencë diçka vetëm nëpërmjet dëshirës së Tij, pa i përdorur shkaqet materiale si ndërmjetësues. E dyta është ekzistenca e një shkaku natyror të panjohur për ne, nëpërmjet të cilit Zoti e bën të realizueshëm atë fenomen. Ky shkak mund të jetë i fshehur nga sytë tanë mirëpo Krijuesi i tij, e njeh atë dhe e përdor për t`ia arritur qëllimit. Kjo mundësi e dytë duket më e realtë sipas asaj që thuhet në fjalinë e fundit: "dhe Ai ka krijuar një masë për gjithçka". Kjo fjali thotë qartazi se çdo pasojë, pa dallim në ka ose nuk ka lidhje me shkakshmërinë natyrore, ka një masë të caktuar nga Zoti dhe është e ndërlidhur me krijesat e tjera. Andaj Zoti mund ta sjellë në ekzistencë këtë fenomen edhe nëpërmjet gjërave të tjera me të cilat ai është i lidhur, ndonse shkaku normal mund të mungojë. Ajo që nuk duhet harruar është fakti themelor se është pikërisht Zoti që ia fal shkakshmërinë një shkaku dhe se marrëdhënia mes shkakut dhe pasojës nuk është e pavarur prej Tij.


Zoti ka krijuar shkakshmëri mes gjërave të ndryshme dhe kjo është arsyeje përse Ai mund t`ia arrijë qëllimit të tij në ç`mënyrë të dëshirojë. Pa dyshim, në univers mbisundon sistemi i shkakshmërisë (ku çdo shkak ka një pasojë) por ky zinxhir është akoma në duart e Zotit dhe Ai ka të drejtë ta përdorë si të dëshirojë. Ka një lidhje shkakshmërie mes një gjëje dhe gjërave që kanë ardhur përpara saj mirëpo ky realitet nuk është i tillë siç e dimë ne. Kjo është arsyeja përse ne nuk jemi të aftë t`i shpjegojmë të gjitha fenomenet që ngjajnë në univers. Gjithçka ngjan ashtu si e di Zoti dhe si e bën Ai të ngjajë.


Për këtë realitet flitet në vargjet e "caktimit" hyjnor:



Dhe s`ka as një gjë t`vetme, thesaret e të cilës nuk janë tek Ne. Dhe Ne s`e dërgojmë veçse në masë të caktuar...Hixhr (Shkëmbi) 15:21


Gjithçka kemi krijuar me masë...Kamer (Hëna) 54:49


Ai që krijoi gjithçka dhe i caktoi një masë...Furkan (Dalluesi) 25:2


Ai që krijoi dhe përsosi gjithçka e pastaj i caktoi një masë dhe e udhëzoi...A`ala (I Lartësuari) 87:2-3


S`ka fatkeqësi që ngjan në tokë e në shpirtrat tuaj, që t`mos jetë shkruar në një Libër përpara se ta krijonim...Hadid (Hekuri) 57:22


S`ka fatkeqësi që vjen pa lejen e Zotit.. Dhe gjithkë që e beson Atë, Zoti ia udhëzon zemrën. Ai është i ditur për gjithçka...Tegabun (Gënjeshtra) 64:11



Ky varg tregon se gjërat e fitojnë identitetin e tyre të veçantë, në përshtatshmëri me një masë të caktuar nga Zoti për këtë gjë. Pikërisht ky caktim i Zotit ia jep një gjëje individualitetin e saj dhe e definon atë. Ky definim dhe individualitet i gjërave vjen përpara ekzistencës së tyre dhe pastaj i shoqëron ato. Një objekt mund të perceptohet qartësisht vetëm nëse vëzhgohet në perspektivën e tij, duke i definuar qartë lidhjet që i ka me gjërat e tjera. Gjërat e tjera shërbejnë si një kallëp që këtij objekti ia jep formën e caktuar. Çdo pasojë materiale është e lidhur me të gjitha gjërat që kanë qenë përpara saj dhe me të gjitha gjërat që e shoqërojnë. Të gjitha ato gjëra bashkë, janë shkaku i kësaj pasoje, e cila u bashkangjitet atyre për t`u kthyer në shkakun e një pasoje të re që do të vijë më vonë.


Kjo gjë mund të vërtetohet edhe nga dy vargjet në vijim:



Ai është Allahu, Zoti juaj dhe krijuesi i gjithçkaje...Gafir (Falësi) 40:62


S`ka gjë të gjallë që Ai s`e mban për balluket. Pa dyshim, Zoti im është në rrugën e drejtë...Hud 11:56



Tani sikur t`ua shtoni këtyre vargjeve faktin se Kur`ani e konfirmon sistemin e përgjithshëm të shkakshmërisë, do ta shihni fotografinë e plotë përpara syve tuaj:



  1. Vargu i parë thotë se gjithçka është e krijuar nga Zoti kurse vargu i dytë thekson se krijimi zhvillohet në një rend të caktuar, nga i cili nuk lejohen devijime sepse kjo gjë do të shkaktonte një kaos.

  2. Kur`ani e konfirmon sistemin e përgjithshëm të shkakshmërisë për të gjitha gjërat materiale.

  3. Rrjedh se çdo fenomen ose pasojë materiale është domosdoshmërisht e krijuar nga një shak, që i paraprin fenomenit në fjalë dhe që e sjell atë në ekzistencë. Pa dallim në është një shkak normal dhe i zakonshëm ose një shkak mbinatyror, gjithmonë ekziston një shkak që i paraprin çdo pasoje.

  4. Shumë shkaqe që nuk sjellin dot realizimin e pasojave të pritura, në të vërtetë nuk janë shkaqe. Shkaqet e vërteta janë ato të cilat asnjëherë nuk dështojnë në sjelljen e pasojës së pritur prej tyre. Një shembull mund të jepet me sëmundjet. Më herët mendohej se gripin e shkaktonte i ftohti por u vëzhgua se i ftohti jo gjithmonë shkaktonte grip. Tani dihet se gripi shkaktohet nga një virus. E njejta vlen edhe për shumë fenomene mbinatyrore.


3. Gjithçka që shkaktohet nga shkaqe natyrore në të vërtetë shkaktohet nga vetë Zoti


Kur`ani ndonse e konfirmon marrëdhënien ndërmjet shkakut dhe pasojës, gjithmonë ia mvesh pasojën vetë Zotit. Ideja pas kësaj është se këto shkaqe nuk mund të jenë të pavarura në krijimin e pasojave. Shkaku i vërtetë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, është vetëm Zoti. Ai thotë:



Pa dyshim Atij i takon krijimi dhe urdhri...Araf (Lartësitë) 7:54


Gjithçka që është në qiej e në tokë i takon Zotit...Bakara (Lopa) 2:284


Atij i takon Mbretëria e tokës dhe e qiejve...Hadid (Hekuri) 57:5


Thuaj: "të gjitha janë prej Zotit"Nisa (Gratë) 4:78



Ka shumë vargje të tilla që tregojnë se gjithçka i takon vetëm Zotit. Ai mund të veprojë me ta si të dojë dhe askush nuk mund të ndërhyjë në këtë punë përveç me lejen e Tij. Ai i lejon kujt të dojë që të ushtrojë ndikim mbi krijimin. Por kjo leje hyjnore, që e krijon marrëdhënien e shkakshmërisë, nuk i bën këto shkaqe të pavarura prej Zotit por vetëm sa u jep një leje nga Pronari i vërtetë, që ta "përdorin" pronën e Tij. Personi që e ka këtë leje nuk mund t`i kalojë kufijtë që i janë vendosur nga Pronari i tyre. Zoti thotë:



Thuaj: "O Allah, Zot i mbretërisë! Ti ia fal mbretërinë kujt të duash dhe ia mer prapa atij që do...Al-i Imran (Familja e Imranit) 3:26


Zoti ynë është ai që i dha krijim gjithçkaje dhe pastaj e udhëzoi...Bakara (Lopa) 2:50


E Tij është gjithçka që është në qiej e në tokë. Kush është ai që mund të ndërmjetësojë pa lejen e Tij? Bakara (Lopa) 2:255


Dhe është i vendosur mbi Fronin e i sundon punët. S`ka ndërmjetësues pa lejen e Tij...Junus 10:3



Shkaqet kanë aftësi të krijojnë pasoja pikërisht sepse Zoti ua ka falur këtë aftësi. Ata e kanë këtë aftësi por nuk janë të pavarura prej Zotit. Është pikërisht ky fakt që është përshkruar në vargjet e mësipërme ku përmendet "ndërmjetësimi" dhe "leja". Leja lë të kuptohet se ka një ndalesë, e cila pa këtë leje, do ta pengonte vepruesin nga një vepër e tillë.


Thënë shkurt, çdo shkaku i është dhënë aftësia për të krijuar një pasojë relevante. Por fuqia e vërtetë mbetet në duart e Zotit.


4. Shpirtrat e profetëve kanë ndikim mbi ndodhitë mbinatyrore


Zoti thotë:



Asnjë i dërguar nuk sjell ndonjë shenjë veçse me lejen e Zotit. Por kur erdhi urdhri i Zotit, u gjykua me të vërtetën dhe ata që e mbajtën për gënjeshtër u zhdukën...Gafir (Falësi) 40:78



Ky varg tregon qartë se ishte pikërisht i dërguari i Zotit që e sillte këtë "shenjë" me lejen e Tij. Shpirtrat e profetëve kishin një fuqi të veçantë për të bërë mrekulli dhe kjo fuqi, si të gjitha shkaqet tjera në univers, krijonte pasoja pikërisht me lejen e Zotit.


Sërish Zoti thotë:



Ata i përcjellin fjalët e djajve kundër mbretërisë së Sulejmanit por Sulejmani kish` besuar. Ishin djajtë që s`besuan, ua mësuan njerëzve magjinë dhe atë që u dha dy ëngjëjve Harutit dhe Marutit në Babilon. Por këta dy nuk ia mësuan askujt magjinë përpara se t`i thonin: "Ne jemi vetëm sprova andaj mos u bëj nga jobesimtarët!". Por prapë njerëzit e mësuan prej tyre atë që mund të shkaktojë ndarje mes një burri dhe gruas së tij. Dhe s`mund të lëndojnë askë veçse me lejen e Zotit...Bakara (Lopa) 2:102



Ky varg vërteton dy gjëra: fillimisht faktin se magjia ka një realitet dhe së dyti, faktin se magjia, njësoj si mrekullia ngjan për një shkak (që në këtë rast është magjistari) me lejen e Zotit.


Mund të konsiderohen mrekullitë, magjia, veprat e mistershme të një shenjtori ose aftësitë e përfituara nëpërmjet stërvitjes. Të gjitha këto vepra të jashtëzakonshme dhe mbinatyrore burojnë nga faktorët fizikë të atyre që i kryejnë. Por Zoti e ka bërë të qartë se "shkaqet fizike" që gjenden tek të dërguarit e tij dhe tek besimtarët janë dominuese mbi të gjitha shkaqet e tjera në natyrë dhe si të tilla nuk mund të munden. Zoti thotë:



Zoti pa dyshim ua dërgoi këtë fjalë profetëve dhe robërve të Tij: "atyre do t`u ndihmohet dhe fitimtarë do të dalë ushtria jonë..." Saffat (të rradhiturit) 37:171-173


Zoti ka shkruar: "Unë do të dal fitimtar.. Unë dhe të dërguarit e Mi...Muxhadila (ajo që përpiqet) 58:21


S`ka dyshim se ne u ndihmojmë të dërguarve Tanë dhe besimtarëve në këtë botë dhe në ditën kur të ngrihen dëshmitarët... Gafir (Falësi) 40:51



Siç mund të shihet, këto vargje nuk e kushtëzojnë dhe as e kufizojnë fitoren e premtuar. Të dërguarit e Zotit dhe profetët e tij do të dalin fitimtarë kundër armiqve të tyre në çdo situatë.


Nga kjo mund të kuptohet se burimi hyjnor është diçka metafizike dhe mbinatyrore. Kurse gjërat materiale, në anën tjetër, janë të kufizuara dhe mund të sundohen nga gjërat që janë më të fuqishme se ato. Por kjo forcë shpirtërore mbinatyrore, e ndihmuar nga vullneti i Zotit, nuk mund të pësojë disfatë. Kurdo që të përballet me një armik material, shpirtërorja përkrahet nga Zoti me një fuqi superiore për të arritur fitoren.


5. Gjithçka që shkaktohet nga një fuqi fizike është e varur nga urdhri i Zotit


Po të lexohet edhe njëherë vargu Por kur erdhi urdhri i Zotit, u gjykua me të vërtetën dhe ata që e mbajtën për gënjeshtër u zhdukën (40:78), mund të shihet se ndodhia mbinatyrore e shkaktuar nga një fuqi fizike e vepruesit është e varur prej lejes së Zotit edhe prej urdhrit të Tij. Ky urdhër mund të jetë në përshtatshmëri me lejen e shprehur ose të jetë e njejta gjë. Urdhri i Zotit është në të vërtetë edhe Krijimi i Tij, siç shprehet me fjalën "Bëhu!" në vargun:



Kur dëshiron diçka, urdhri i Tij është "Bëhu!" dhe ajo bëhet...Ja Sin 36:82



Dhe prapë Zoti thotë:



Pa dyshim, ky është një përkujtues. Ai që do, do ta gjejë rrugën drejt Zotit të tij. Dhe ju nuk dëshironi përveç asaj që do Zoti. Pa dyshim, Ai është i Ditur dhe i Urtë...Insan (Njeriu) 76:29-30


S`është veçse një Përkujtues për botët e për ata nga ju që duan të ecin drejt. Dhe ju nuk dëshironi gjë përveç asaj që do Allahu, Zoti i botëve... Takvir (Përfundimi) 81:27-29



Këto vargje tregojnë se punët që janë nën kontrollin e vullnetit njerëzor janë përsëri të varura nga vullneti hyjnor për ekzistencën e tyre. Ajo që thonë këto vargje është se njeriu vepron sipas vullnetit të tij por ky vullnet i është dhënë atij nga Zoti dhe është i varur prej Tij.


Vargjet nuk thonë se gjithçka që dëshiron njeriu është një dëshirë e Zotit. Po të ishte kështu, asnjë dëshirë njerëzore nuk do të mbetej e paplotësuar sepse do të ishte dëshira e vetë Zotit. Shumë vargje të tjera e mohojnë këtë ide:



Dhe po të donim, secilit shpirt do t`ia falnim udhëzimin...Sexhde 32:13


Dhe po të donte Zoti yt, të gjithë njerëzit mbi dhé do të besonin...Junus 10:99



Vullneti ynë është i varur nga vullneti hyjnor, veprat tona varen nga vullneti ynë dhe nëpërmjet vullnetit tonë, janë të varura nga vullneti i Zotit. Dhe me këtë, edhe vullneti ynë edhe veprat që i bëjmë varen nga urdhëri i Zotit, gjegjësisht nga fjala e tij "Bëhu!".


Gjërat mund të jenë ose natyrore ose mbinatyrore dhe në anën tjetër, gjërat mbinatyrore mund të jenë në anën e të mirës, si mrekullia ose në anën e të ligës, si magjia. Por të gjitha këto gjëra vijnë në ekzistencë nëpërmjet shkaqeve natyrore, duke qenë të varura gjithmonë nga vullneti i Zotit. Me fjalë të tjera, gjërat nuk mund të ekzistojnë përderisa shkaqet natyrore përshtaten me urdhrin e Zotit ose janë vetë urdhri i Tij. Të gjitha gjërat janë të barabarta në këtë drejtim mirëpo kur një profet bën një mrekulli ose kur një besimtar i lutet Zotit për diçka, një faktor shtesë u shtohet ekuacioneve dhe ky faktor është vullneti i Zotit, me çfarë edhe pasoja e këtyre shkaqeve vjen domosdoshmërisht në ekzistencë. Kur`ani thotë:



Zoti ka shkruar: "Unë do të dal fitimtar.. Unë dhe të dërguarit e Mi...Muxhadila (ajo që përpiqet) 58:21


I përgjigjem lutjes së lutësit kur më thërret...Bakara (Lopa) 2:186



6. Kur`ani ua mvesh mrekullitë shkaqeve me pasoja të pashmangshme


Kapitujt e kaluar mund ta kenë qartësuar faktin se mrekullia, njësoj si gjërat tjera natyrore dhe mbinatyrore, ka nevojë për një shkak dhe faktin se të gjithë shkaqet natyrore varen nga ndonjë shkak metafizik. Andaj sipas kësaj, të gjitha pasojat mund të ndahen në katër kategori:



  1. Ngjarjet normale vijnë në ekzistencë nga shkaqe të qarta dhe normale, të shoqëruara nga shkaqe të tjera reale. Në të shumtën e rasteve, këto shkaqe janë materiale dhe të varura nga vullneti dhe urdhri hyjnor.

  2. Ngjarjet e jashtëzakonshme me karakter të lig si magjia. Këto gjëra shkaktohen nga shkaqe jo të zakonshme natyrore, të cilat shoqërohen nga shkaqe të realta, që janë të varura nga leja dhe urdhri hyjnor.

  3. Ngjarjet e jashtëzakonshme me karakter pozitiv si një lutje të cilës Zoti i përgjigjet. Këto gjëra shkaktohen nga shkaqe të realta dhe natyrore, me lejen dhe me vullnetin e Zotit por nuk janë gjëra të karakterit sfidues, që përpiqen për të vërtetuar ndonjë pretendim (siç është rasti me mrekullinë).

  4. Mrekullitë: ngjarjet e jashtëzakonshme dhe mbinatyrore të një karakteri pozitiv, që sillen si sfida, për ta vërtetuar vërtetësinë e një mesazhi. Edhe këto shkaktohen nga shkaqe reale dhe natyrore me lejen dhe vullnetin e Zotit.


Kategoria e tretë dhe e katërt e kanë një cilësi shtesë: shkaqet e tyre përforcohen nga faktorë të pashmangshëm dhe si të tilla ata nuk mund të eliminohen ose të pësojnë disfatë sepse janë të përkrahura nga urdhri i Zotit.


Pyetje: Është e çuditshme të thuhet se mrekullia shkaktohet nga një shkak natyror. A nuk do të thotë kjo se edhe ne mund të krijojmë një mrekulli? Nëse mundemi, mrekullia do të ishte një aftësi relative që do të ishte një mrekulli në sytë e atyre që nuk kanë njohuri mbi shkaqet e saj por një gjë tejet e thjeshtë për ata që janë të informuar. Në të njejtën mënyrë, një ndodhi që në mesjetë do të konsiderohej si mrekulli, nuk do të cilësohej si e tillë në epokën tonë të shkencës dhe diturisë. Nëse shkenca arrin t`i zbulojë shkaqet e mrekullisë, atëherë ai fenomen pushon së qeni mrekulli dhe me këtë asnjë mrekulli nuk mund të përdoret për ta vërtetuar pretendimin e profetëve. Për të përmbledhur, mund të themi se një mrekulli nuk është një mrekulli, përveç përpara njerëzve që janë të panjohur me shkaqet e saj. Prandaj nuk mund të pranohet si një dëshmi për t`i vërtetuar prentedimet e profetëve.


Përgjigje: Mrekullia nuk është e varur nga panjohuria e shkaqeve të saj dhe nuk konsiderohet mrekulli vetëm sepse buron nga një shkak i jashtëzakonshëm dhe misterioz. Mrekullia konsiderohet mrekulli sepse sillet nga një shkak i jashtëzakonshëm që nuk mund të pengohet. Ta marrim shembullin e një të sëmuri që shërohet krejt papritur falë lutjeve të një besimtari. Ky rast konsiderohet një mrekulli, sepse buron nga një shkak i pandalshëm. Ne e dimë se pacienti mund të shërohej nëpërmjet ilaçeve dhe ky do të ishte një proces normal. Por ky shkak, dmth. trajtimi mjekësor, mund të pengohet nga faktorë të tjerë më të fuqishëm dhe prandaj nuk quhet mrekulli.


7. Kur`ani e konsideron mrekullinë si një dëshmi të profetësisë


Pyetje: Çfarë lidhjeje ekziston ndërmjet mrekullisë dhe pretendimit për profetësi? Arsyeja nuk gjen dot ndonjë lidhje mes të dyjave. Por Kur`ani me ngulm e thekson këtë fakt, siç mund të shihet në tregimet e profetëve të ndryshëm si Hudi, Salihu, Musa, Isa dhe Muhammedi (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta). Kur`ani rrëfen se në çastin që e shpallën profetësinë e tyre, populli menjëherë u kërkoi të sillnin një mrekulli për ta vërtetuar pretendimin e tyre dhe ata e bënë një gjë të tillë.


Dhe jo vetëm kaq. Disave prej tyre u është dhënë mrekullia edhe përpara se të kërkonin njerëzit diçka të tillë prej tyre. Zoti i tha Musës (pqmt):



Shkoni pra, ti dhe yt vëlla me shenjat e Mia e mos e harroni përmendjen time! Ta Ha 20:42



Dhe në lidhje me Isën (pqmt) thotë:



Dhe (do ta bëjë) një të dërguar bijve të Israelit: "Kam ardhur tek ju me një shenjë nga Zoti juaj. Mund të bëj një zog nga balta, pastaj t`i fryej e ajo të bëhet zog me lejen e Zotit. Dhe mund ta shëroj të sëmurin nga leproza e ta sjellë në jetë të vdekurin me leje t`Zotit dhe t`u tregoj se çfarë hani e çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Pa dyshim, në gjithë këtë ka një shenjë, në jeni besimtarë..,"Al-i Imran (Familja e Imranit) 3:49



Të njejtën pozitë e ka edhe Kur`ani që i është dhënë Muhammedit (pqmtmpt) që në fillim të misionit të tij. Nuk ka ndonjë lidhje të arsyeshme mes vërtetësisë së mesazhit të një dërguari në njërën anë dhe aftësisë së tij për të bërë mrekullira, në anën tjetër.


Për më tepër, bukuria e principeve të sjella nga të dërguarit e Zotit, të forcuara me argumente dhe dëshmi, nuk kanë nevojë për mrekulli të tilla që një njeri i mençur t`i kuptojë. Prandaj mund të thuhet se mrekullitë janë të nevojshme për t`i bindur njerëzit e zakonshëm, të cilët nuk kuptojnë nga fjalime të diturisë. Pra njerëzit e ditur nuk kanë nevojë për mrekulli.


Përgjigje: Profetët e Zotit nuk sollën mrekulli për t`i vërtetuar principet e besimit, si Njëshmëria e Zotit ose Dita e Gjykimit, të cilat mund të kuptoheshin nga vetë njerëzit. Këto gjëra ata gjithmonë i vërtetuan nëpërmjet arsyes dhe intelektit. Për shembull, në lidhje me ekzistencën e një Krijuesi, Zoti thotë:



I dërguari i tyre tha:"a ka dyshim për Zotin, Sunduesin e qiejve dhe të tokës?" Ibrahim 14:10



Kurse për ditën e gjykimit thotë:



Dhe s`i krijuam së koti qiejt e tokën dhe gjithçka që është mes tyre. Kështu thonë ata që s`besojnë dhe për këtë do ta fitojnë zjarrin. Mos duhet vallë t`i mbajmë njësoj ata që besuan me ata që bënë trazira mbi dhé? Sad 38:27



Atëherë pra, përse u kërkua nga të dërguarit që të sillnin mrekulli dhe përse e bënë ata një gjë të tillë? Kjo u bë për të dëshmuar se ata ishin të dërguar nga Zoti.


Ata pretendonin se ishin të dërguar nga Zoti dhe se Ai ua kishte shpallur atyre porosinë, ose drejtpërdrejtë ose nëpërmjet një ëngjëlli. Ky është një pretendim për një gjë mbinatyrore, që qëndron përtej realitetit dhe aftësisë kuptuese të njeriut. Nëse një pretendim i tillë ishte i saktë, duhej të kishte diçka që mund ta bënin vetëm profetët. Problemi i vetëm në këtë rreth është se të dërguarit e Zotit ishin njerëz si të gjithë të tjerët përnga pamja dhe jetesa e tyre. Përse ata të favorizoheshin për një marrëdhënie të tillë më botën mbinatyrore?


Për t`i treguar të gabuara pretendimet e profetëve, jobesimtarët përdorën dy metoda:


Metoda e parë: U përoqën ta mohonin pretendimin e tyre duke përdorur argumente si këto të shprehurat në vargjet e mëposhtme:



a) Ata thanë: "Ju jeni njerëz si ne por doni të na largoni nga ajo që adhuronin etërit tanë..." Ibrahim 14:10


Pra ata thonin se të dërguarit e Zotit ishin njerëz të zakonshëm si të tjerët por dihej mirë se njerëzit e zakonshëm nuk pranonin shpallje të tilla. Nëse atyre u është dhënë shpallja, përse të mos u jepej edhe njerëzve të tjerë? A nuk ishin të gjithë të barabartë si njerëz?


Të dërguarit e Zotit u përgjigjën:


Ne s`jemi veçse qenie njerëzore si ju, por Zoti ia fal bekimin e Tij kujt të dojë...Ibrahim 14:11


Ata e pranonin se ishin njësoj si njerëzit e tjerë por treguan se profetësia ishte një bekim i veçantë nga Zoti, të cilin Ai ia fal kujt të dojë. Nuk është e vështirë të kuptohet se ngjashmëria mes tyre si njerëz, nuk e përjashton mundësinë që ndonjëri të jetë më i bekuar se tjetri. Pa dyshim, po të donte Zoti, do të mund t`ia falte profetësinë secilit prej tyre por ai zgjodhi vetëm atë që dëshironte. Ky kundërshtim i njejtë u bë edhe për Muhammedin (pqmtmpt):


A i është shpallur Përkujtuesi derisa ishte në mesin tonë? Sad 38:8


b) Ndonse me një sarkazëm më të theksuar, të po kësaj natyre ishin edhe fjalët e mekkasve:


Dhe thonë: "Pse s`iu shpall Kur`ani një njeriu të rëndësishëm në dy qytetet?" Zuhruf (Ornamentet) 43:31


Dhe thonë: "Ç`profet është ky që ha ushqim dhe endet tregjeve? Pse s`i është dërguar një ëngjëll që t`paralajmërojë bashkë me të? Ose një thesar t`i zbriste nga qiejt ose të kishte një kopsht prej ku të hante?Furkan (Dalluesi) 25: 7-8


Ajo që ata deshën të thonin ishte kjo: "Nëse i Dërguari është zgjedhur nga Zoti për të qenë pranues i shpalljes hyjnore, atëherë duhet të ishte më i lavdishmi i njerëzve. Atëherë përse ky kërkon bukë për të ngrënë dhe përse është i obliguar të shkojë nëpër tregje që të mund ta fitojë bukën e gojës? Po të ishte i dërguar i Zotit, duhet të shoqërohej nga një ëngjëll që t`i ndihmonte në punët e tija ose do të duhet t`i jepej një thesar që të mos punonte për bukën e gojës. Ose së paku do t`i jepej një kopsht i veçantë që të mos ushqehej me ushqime si këto tonat."


Përgjigja e Zotit ishte:


Shih ç`krahasimesh bëjnë për ty! Aq shumë kanë devijuar sa nuk do ta gjejnë rrugën kurrë...Dhe para teje s`kemi dërguar profetë që të mos hajë ushqim e të mos shëtisë nëpër tregje. Dhe disa prej juve i kemi bërë një sprovë për të tjerët, do duroni vallë? Zoti yt është që sheh gjithçka...Furkan (Dalluesi) 25:20


Dhe si përgjigje të kërkesës së tyre që t`i dërgohej një ëngjëll, thuhet:


Sikur ta bënim ëngjëll prapë do ta kthenim në njeri që ata të binin në këtë dyshim që janë tani...En`am (Kopeja) 6:9


 c) Më tej, ata i rritën akoma më tepër kërkesat e tyre:


Dhe ata që nuk shpresojnë të na takojnë, thonë: "Përse s`na dërgohen ëngjëj ose përse s`e shohim Zotin tonë?" Ata janë tepër krenarë dhe janë rebeluar keq...Furkan (Dalluesi) 25:21


Sipas mendimit të tyre, nuk kishte kurfarrë dallimi mes tyre dhe të Dërguarit (pqmtmpt) sepse të gjithë ishin njerëz. Atëherë përse pikërisht atij duhet t`i jepej profetësia? Edhe ata meritonin që ëngjëjt t`i vizitonin ose akoma më tepër, meritonin ta shihnin Zotin e tyre. Zoti u përgjigj:


Ditën që do t`i shohin ëngjëjt s`do të ketë më hare për fajtorët dhe do të thonë: "E ndaluar është!" Furkan (Dalluesi) 25:22


Kjo do të thotë se nëse vazhdojnë me mosbesimin e tyre, do t`i shohin ëngjëjt vetëm në çastin e vdekjes dhe nuk do të jenë aspak të hareshëm. E njejta përmendet edhe në një varg tjetër:


Dhe thonë: "Ti që t`u shpall Përkujtuesi! Ti je pa dyshim i çmendur. Përse nuk na sjell ëngjëjt, në e thua të vërtetën?" Por Ne s`i dërgojmë ëngjëjt veçse me të vërtetën por atëherë atyre s`u jepet mundësi... Hixhr (Shkëmbi) 15:6-8


d) Ky varg i fundit flet për paqëndrueshmërinë e argumenteve të tyre. Sipas tyre, i Dërguari (pqmtmpt) ishte i sinqertë në pretendimin e tij për profetësi, por ishte i çmendur. Çfarëdo që të përcillte ai, ishte produkt i mendjes së tij të sëmurë dhe rrjedhimisht, e gabuar. I njejti "argument" u soll edhe kundër Nuhut (pqmt):


...e quajtën të çmendur Nuhun dhe e përzunë...Kamer (Hëna) 54:9



Këto ishin disa versione të "argumenteve" të tyre kundër profetësisë së Muhammedit (pqmtmpt), të cilat themeloheshin në faktin se profetët ishin të njejtë si njerëzit e tjera përnga njerëzia e tyre.


Metoda e dytë: ishte një mohim i drejpërdrejtë i pretendimit për profetësi dhe kërkesa që të sillnin një dëshmi për vërtetimin e këtij pretendimi dhe shenja, që do të tregonin se ata ishin vërtet të zgjedhurit e Zotit dhe pranuesit e shpalljes hyjnore.


Pretendimi i të dërguarve të Zotit ishte se kishin një status të veçantë, i cili ishte i pakapshëm dhe i panjohur për njerëzit e zakonshëm. Ata pretendonin se u ishte dhënë profetësia dhe shpallja dhe se Zoti kishte folur me ta, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet një ëngjëlli. Një pretendim i tillë nuk mund të verifikohet me anë të eksperimenteve shkencore dhe mund të kundërshtohej me dy pretekste:



  1. Nuk ka një dëshmi se diçka e tillë është e vërtetë

  2. Ka dëshmi se ky pretendim nuk është i saktë, sepse shpallja dhe Fjala hyjnore nuk janë gjëra që mund të dëgjohen nga dikush tjetër përveç atij që pretendon se i dëgjon.


Sikur një pretendim i tillë për profetësi të ishte i vërtetë, kjo do të thoshte se i Dërguari (pqmtmpt) ishte në kontakt të drejtpërdretë me botën mbinatyrore dhe ishte i lidhur me fuqinë hyjnore, e cila mund ta ndryshonte natyrën dhe të bënte që pasojat të shfaqeshin edhe pa shkaqet e tyre të zakonshme. Po të jetë kështu, ai duhet të ishte i aftë për të shkaktuar ndonjë pasojë tjetër të pakuptueshme mbinatyrore. Nëse Zoti i ka folur profetit (që është një pasojë mbinatyrore ose mrekulli në vete), ai duhet t`i ketë dhënë edhe ndonjë pasojë tjetër mbinatyrore si dëshmi për ta vërtetuar pretendimin e parë, domethënë fakti se Zoti vërtet i ka folur atij. Pra nëse Zoti ka dëshirë t`i udhëzojë njerëzit nëpërmjet një fenomeni mbinatyror (dmth. me shpalljen hyjnore), atëherë Ai duhet edhe ta dëshmojë vërtetësinë e të dërguarit të Tij, nëpërmjet një tjetër fenomeni mbinatyror që është ajo të cilën e quajmë mrekulli.


Kjo është arsyeja përse njerëzit kërkuan mrekulli nga profetët kurdo që të shfaqeshin ata. Ata kërkuan mrekulli për ta vërtetuar pretendimin e tij se ishte profet dhe jo për të qenë të sigurt në vërtetësinë e mësimeve që i sjell. Paramendoni një njeri që dërgohet në një provincë nga ana e mbretit për t`ua shpallur njerëzve ligjet e tij dhe urdhrat. Ai arrin në vendin e duhur dhe tregon se për çfarë ka ardhur. A do të jetë i kënaqur populli nëse ai fillon t`ua shpjegojë me hollësi të gjithë urdhrat dhe ligjet, duke u treguar se për ç`arsye janë dekretuar? S`ka dyshim se s`do të jenë dhe do të thonë: "Gjithë ç`ke thënë tregon se këto rregulla janë dekretuar me urtësi dhe janë sjellë për të mirën tonë. Por kjo nuk e vërteton faktin se ata janë nga sunduesi ynë dhe as që vërteton se ti je i dërguari i tij për të na sunduar. Ne do t`të besojmë vetëm kur të na tregosh dëshmi për këtë, për shembull një letër të nënshkruar dhe të vulosur nga mbreti me vulën e tij zyrtare." Njësoj siç i thanë paganët të Dërguarit (pqmtmpt):



...derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë...Isra (Udhëtmi i natës) 17:93



Nga shpjegimi i mësipërm qartësohen dy gjëra:



  1. Mrekullia është e ndërlidhur me vërtetimin e pretendimit për profetësi. Dijetar ose injorat, i elitës ose i masës së zakonshme popullore, secili njeri ka nevojë për një mrekulli që të mund ta pranojë si të vërtetë pretendimin e tij.

  2. Shpallja hyjnore të cilën e pranon një i dërguar i Zotit është një gjë krejtësisht e ndryshme nga ajo që mund të perceptohet nga shqisat dhe nga intelekti. Thënë shkurt, shpallja nuk është një funksion i mendjes së njeriut por një realitet që është përtej perceptimit intelektual. Ky fakt tregohet shumë qartë në Librin e Zotit dhe secili njeri që e përdor arsyen, do ta kuptonte këtë gjë.


Kohëve të fundit, disa "dijetarë" e kanë mbyllur njërin sy përpara këtij realiteti dhe janë përpjekur t`i interpretojnë faktet shpirtërore dhe diturinë hyjnore nëpërmjet shkencave të natyrës. Për këtë arsye, ata i kanë themeluar shpjegimet e tyre në teori materialiste sipas të cilave besojnë se perceptimi njerëzor dhe aftësia e të kuptuarit janë një cilësi material që buron nga truri. Ata thonë se të gjitha meritat dhe përsosmëritë, qofshin individuale ose shoqërore, janë zhvillime të materjes. Duke e bazuar në këtë, ata e kanë shpjeguar profetësinë dhe çështjet e tjera shpirtërore në një dimension krejt material, si vijon:


"Profetësia është një fuqi e mprehtë mendore dhe një gjenialitet intelektual. Gjeniu që quhet profet, i sheh kushtet shoqërore të popullit të tij, i analizon besimet e tyre, idetë, traditat dhe bestytnitë dhe pastaj i reformon ato në mënyrë që t`i përshtaten kohës dhe hapësirës ku jeton. Në këtë mënyrë, ai i përcakton principet themelore të shoqërisë dhe dekreton rregulla dhe ligje për ta përmirësuar standardin jetësor, për t`ua zhvillar moralin dhe etikën dhe për t`i bërë ata pjesëtarë të mirë të një shoqërie. Duke e themeluar në këtë hipotezë, ata thonë se:



  1. Profeti është një gjeni intelektual, që i thërret njerëzit drejt të mirës së tyre shoqërore.

  2. Shpallja hyjnore përbëhet nga mendimet që burojnë nga mendja e tij.

  3. Libri hyjnor është një përmbledhje e këtyre ideve dhe mendimeve brilante, me aq sa mund të jenë këto mendime, të pastra nga dëshirat dhe motivet vetjake.

  4. Ëngjëjt për të cilët flet profeti, janë në të vërtetë forcat materiale që e mbajnë në lëvizje universin. Ose mund të jenë edhe simbole të cilësive psikologjike që do ta çonin njeriun drejt përsosmërisë. "Shpirti i shenjtë" simbolizon një gradë më sipërore të këtyre forcave dhe është forca që i sjell këto mendime në mendjen e profetit.
    Kurse Djalli është ajo forcë brenda njeriut që i krijon mendimet e liga dhe i detyron njerëzit të veprojnë kundër të mirës së përgjithshme shoqërore.
    Në po këtë mënyrë i kanë shpjeguar edhe shumë realitete tjera për të cilat kanë folur të dërguarit e Zotit, si Pllaka, Penda, Froni, Libri, Llogaria, Parajsa dhe Ferri.

  5. Fetë janë produkte të kohës së tyre dhe ndryshojnë me kalimin e kohës.

  6. Mrekullitë që u mveshen të dërguarve nuk janë tjetër veçse mite dhe trillime, që krijuan për t`i forcuar besimet fetare të njerëzve të zakonshëm ose për ta rritur prestigjin e udhëheqësve fetarë në syrin e ndjekësve të tyre.


Kjo është një përmbledhje e shkurtër e besimeve të tyre. Por në këtë kuptim, profetësia është më tepër një mjet politik sesa një realitet hyjnor. Do të ishte pa vend që t`i analizonim dimensionet e ndryshme të këtij mendimi në këtë vepër. Mirëpo ajo që mund të themi është se ky përshkrim që i bëhet profetësisë nuk ka aspak ngjashmëri me konceptin e profetësisë që përcillet në librat e Zotit dhe në traditat e profetëve. Ajo që i detyroi këta "dijetarë" të bënin interpretime të tilla ishte vetëm nënshtrimi i tyre i plotë përpara teorive materialiste. Kjo ishte arsyeja përse ata e mohuan çdo realitet metafizik dhe u përpoqën ta zbrisnin në nivelin e materjes së pajetë.


Këto njerëz janë pasardhësit akademikë të një grupi të hershëm teologësh të cilët i interpretuan të gjitha realitetet si Froni, Pllaka, Penda dhe Ëngjëjt në aspektin krejtësisht material, duke mos harruar të shtonin se këto gjëra ekzistonin përtej perceptimit të shqisave tona. As që ka nevojë të thuhet se këto interpretime të tyre nuk u bazuan në eksperimente dhe perceptime shqisore. Por sot, në një kohë kur shkencat natyrore janë zhvilluar shumë më tepër dhe kur gjithçka hulumtohet dhe eksperimentohet, këto gjenerata më të reja u detyruan ta mohonin idenë e ekzistencës fizike të këtyre gjërave sepse siç u tha edhe më sipër, ata nuk mund të vërtetoheshin me anë të eksperimenteve. Për këtë arsye, atyre iu desh të krijonin kuptime të reja për këto realitete, që do të ishin në kornizat e perceptimit shqisor. Ata mendonin se dukek i sjellë këto realitete në nivelin e materjes, do ta parandalonin mohimin e tyre të plotë nga shkenca dhe me këtë do t`i bënin një shërbim fesë.


Por të dy këto grupe kanë devijuar nga rruga e vërtetë. Teologët e hershëm të cilët i përmendëm, i kuptuan shumë mirë këto fjalë dhe i shpjeguan fare pa përdorur interpretime alegorike. Gabimi i tyre ishte në mendimin se këto gjëra ishin domosdo objekte materiale, të cilat qëndronin përtej perceptimit tonë shqisor dhe nuk i bindeshin ligjeve të materjes, që ne i njohim.


Dijetarët modernë gabuan që në hapin e parë. Ata duke dashur t`i përshtatin këto fjalë me realitetet materiale, u mveshën atyre kuptime krejtësisht të gabuara me të cilat i zbritën këto të vërteta sublime në nivelin e botës fizike.


Mënyra e saktë e interpretimit të këtyre termeve është interpretimi gjuhësor dhe ai i mbështetur në funksionin e tyre1. Vetëm atëherë mund të identifikohet saktë se ç`do të thotë "Penda" për shembull. Kjo duhet të bëhet me ndihmën e vargjeve të tjera relevante. Pasi të jetë identifikuar "Penda", ajo mund të krahasohet me gjetjet shkencore dhe të shihet në ka një kundërshtim mes tyre. Nëse kjo analizë vërteton se objekti i përmendur është përtej kornizave të materjes, atëherë nuk mund të vërtetohet ose mohohet sipas principeve të shkencave natyrore. Ç`autoritet kanë shkencat natyrore për të gjykuar në lidhje me gjërat shpirtërore dhe metafizike? Sa e logjikshme do të ishte vallë që një gjuhëtar të vërtetonte ose të mohonte principe të astronomisë sipas rregullave të gramatikës? Atëherë përse duhet që rregullat e shkencave natyrore të përdoren për ta vërtetuar ose për ta mohuar ekzistencën e realiteteve metafizike?


1: (shënim i përkthyesit) Për më tepër në lidhje me këtë çështje mund të shihet pjesa e hyrjes së librit, ku kjo temë u shpjegua tashmë.



Dhe po s`e bëtë - e s`ka dyshim që s`keni për ta bërë - atëherë ruajuni zjarrit që ushqehet me njerëz e gurë. Ai u përgatit për jobesimtarët.



Ky kapitull filloi me përshkrimin e tre grupeve: të virtytshmit, jobesimtarët dhe hipokritët. Por më pas, të gjithë ata u mblodhën në fjalën "O njerëz!", duke i ftuar ta adhuronin Zotin. Në këtë kontekst, ata mund të ndahen vetëm në dy grupe: ata që iu përgjigjën thirrjes (besimtarët) dhe ata që nuk u përgjigjën (mohuesit). Hipokritët nuk paraqiten në këtë klasifikim për shkak të faktit se në dukje i takojnë grupit të parë ndonse në të vërtetë janë pjesëtarë të grupit të dytë. Ndoshta kjo është arsyeja përse cilësimi i grupit të parë ndryshon nga "ata që mbrohen nga e liga" në "ata që besojnë".


Fjala "el-Vakud" (e përkthyer në këtë kontekst si "ushqim") në përkthim të drejpërdrejtë do të thotë "lëndë djegëse". Sipas këtij vargu vetë njeriu është lënda djegëse e zjarrit të Ferrit, që do të thotë se ai vetë e ushqen zjarrin që do ta djegë. Zoti thotë:



...dhe në zjarr do të digjen...Gafir (Falësi) 40:72


Është zjarr i ndezur prej Zotit q`i kaplon zemrat...Humaza (Shpifësi)



Thënë shkurt, njeriu do të digjet në një zjarr që vetë ai do ta ushqejë.


Vargu në vijim ("Kurdo që t`u jepet një pjesë e frutave, ata do të thonë: "Kjo është ajo që na u dha edhe më parë". Atyre do t`u jepen të ngjashmet me to...") lë të kuptohet se njeriu do të gjejë në botën tjetër atë që e ka përgatitur për vete që në këtë jetë. I Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe mbi pasardhësit e tij) ka thënë: "Do të vdisni ashtu si keni jetuar dhe do t`ringjalleni si keni vdekur..." Por njerëzit e parajsës kanë një dallim nga ata të ferrit për faktin se Zoti do t`ua shtojë gjithë më tepër shpërblimin:



Atje do të kenë gjithë ç`të duan dhe tek Ne ka akoma më tepër...Dharijat (Erërat) 50:35



Në vargun "ruajuni zjarrit që ushqehet me njerëz e gurë...", ajo që nënkuptohet me fjalën "gurë" janë idhujt të cilët i adhuronin jobesimtarët. Zoti thotë:



S`ka dyshim se ju dhe ajo që adhuroni përveç Zotit do të jeni dru zjarri për Ferrin...Enbija (Profetët) 21:98





Atje do të kenë bashkëshorte të pastra dhe do të qëndrojnë përjetë...



Me mbiemrin "të pastra" në kontekstin e "bashkëshorteve" të përmendura në këtë varg, nënkuptohet një pastërti nga të gjitha gjërat që mund të krijojnë një ndjenjë pakënaqësie, qoftë kjo në aspektin e pamjes ose të sjelljeve. Me fjalë të tjera, bashkëshortet që u jepen besimtarëve në parajsë do të jenë larg çdo mangësie dhe karakteristike të keqe.


Analiza e vargjeve të mësipërme nëpërmjet haditheve


Shejh Saduku përcjell se një ditë e pyetën Imam Xhaferin (pqmt) në lidhje me këtë varg dhe ai u përgjigj:



"Bashkëshorte të pastra janë të tilla që nuk do të kalojnë menstruacion dhe nuk do të kenë gjëra të ngjashme si kjo..."



Autori: Në disa thënie të tjera përcillet se kuptimi i cilësimit "të pastra" është një pastërti nga të gjitha cilësitë e pakëndshme.


 


- VAZHDON -

Vizitori